Largimi masiv i mjekëve drejt Gjermanisë, një anesteziolog për gjithë jugun

Për tre vitet fundit ka shkuar në 400 numri i mjekëve që kanë bërë kërkesë të largohen nga Shqipëria. Ndërkohë, Gjermania është destinacioni i preferuar për shkak se ky shtet njeh çdo diplomë, certifikatë apo specializim të bërë. Kriteri i vetëm është gjuha.

Pavarësisht nevojave të theksuara të vendit tonë për mjekë e sidomos mjekë specialistë, këta të fundit refuzojnë t’i ofrohen një vendi i cili nuk ofron as kushtet më minimale të punës, duke fyer rëndë dinjitetin e të qenit mjek, siç janë shprehur vetë ata në intervista të ndryshme.

Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, flet për numrin e mjekëve që kanë bërë kërkesë për t’u larguar, si dhe arsyet e këtij vendimi. Sipas regjistrit që ky institucion disponon, në vitin 2016 kanë bërë kërkesë për të tërhequr një certifikatë që dëshmon sjellje të mirë të mjekut në punë 145 mjekë, çka nënkupton edhe aplikimin e tyre për t’u larguar nga vendi.

Spitalet e rretheve vuajnë prej kohësh mungesën e specialistëve, duke u kthyer kështu në godina të pavlera dhe sakrifikuese për ata pak mjekë që japin shërbim në çdo specialitet që munden.

“Anesteziolog nga Fieri deri në Greqi është vetëm një në Gjirokastër. Që e gjithë Shqipëria ka gjithsej nja 70 anesteziolog, që 70 nuk i dalin vetëm QSUT-së. Ai është dhe reanimator”, thotë Brahimaj.