Lazarat, kopshtet e kanabisit mbillen me qepë

timthumb (7)Nga Alban Selimi*

(Reportazh i gazetës kosovare “Zëri”, në fshatin Lazarat.

“Kolumbia e falimentuar e Shqipërisë”. Kështu titullohet reportazhi që mban në kopertinë e përditshmja kosovare “Zëri” ku gazetari Alban Selimi sjell duke sjellë panoramën e sotme në fshatin dikur të paprekshëm. 

Lazarat, Gjirokastër, një kopsht jo më i gjerë se 20 metra katrorë brenda katër mureve të një shtëpie të vogël në qendër të Lazaratit, ishte mbjellë me disa rrënjë të qepëve, specave dhe lakrave. Pronari i shtëpisë, një burrë rreth të dyzetave, hap me kujdes perden e lokalit të tij, në qendër të fshatit, pikërisht skaj lisit të njohur si “Rrapi”, për të treguar parcelën e mbjellë vonë me këto perime. Dikur aty kishte të mbjellë diçka tjetër, sado që pronarit nuk ia thotë goja. Një gomë e vjetër veture, që dikur përdorej si saksi për mbjelljen e kanabisit, kishte mbetur në qoshe të kopshtit të rrethuar, si relikt i kultivimit të hashashit. 

“Rrapi”, një lis ky i vjetër në qendrën e fshatit, ka një simbolikë për banorët, sado që fshati-komunë ka vënë nën “hije” Bashkinë e Gjirokastrës, nën të cilën shtrihet Lazarati. 
Dhe, kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të aferës së njohur botërisht – prodhimit gjysmëlegal të kanabisit. 

Tanimë kopshtet e kanabisit mbillen me qepë. 

Tek çohet në këmbë në kafenenë në mes të fshatit, ngjitas me lisin e Rrapit, 60-vjeçari nga Lazarati, nuk përfundon deri në fund bisedën tek tregon se si fshati gjente blerësit potencialë të hashashit, që prodhohej aty. 

“E dinin ata (blerësit). Fshati ishte bërë i njohur për atë (hashashin)”, thotë plaku sikur me kod, tek flet për gjetjen e blerësve. 

Pyetjes nëse kishte shumë kosovarë që shkonin për të marrë mall në “vendburim”, ai i ikën mjeshtërisht. 

“Pazaret s’i bëja unë. As nuk di si shkonin”. 

Ndërkohë, burri do të tregojë se shumë lazaratas jetonin në Evropë, Amerikë dhe gjetiu. 

Ata kishin investuar edhe në shumë vende të tjera të Shqipërisë nga ku gjenin lidhjet. 

Itali, dera e parë për depërtimin e drogës në Evropë

Por, falë faktit që Shqipëria kishte dalje në det, mënyra më e lehtë për të depërtuar në tregun evropian ishte Italia. Vetëm këtë vit, në qershor, një gomone që udhëtonte nga Shqipëria në brigjet e Puglias në Itali, ishte zënë me afro 500 kilogramë drogë. 
Kosova, siç edhe e pranon burri lazaratas, ishte një treg jo aq i rëndësishëm i drogës për Shqipërinë. 

Ndërkohë, një tjetër person në kafene, derisa kërkon kujdes për atë që do të shkruajmë në gazetë rreth kultivimit dhe tregtimit të hashashit, tregon se ai ka njerëz të “fuqishëm” në Kosovë. 

“Kam unë njerëz në Pejë”, thotë ai, tek i referohet qytetit në Rrafshin e Dukagjinit, pa përmendur se kush janë njerëzit e tij. 

Derisa banorët ankohen se me ndalimin e veprimtarisë ilegale të prodhimit të kanabisit, që brenda vitit “nuk iu sillte më shumë se 5000-6000 euro fitim”, atyre nuk iu ka mbetur punë tjetër, pos të ikin jashtë, apo të bëjnë vepra tjera të dënueshme. 

“Nuk ka punë. Kupton, ajo punë bëhej për bukën e gojës”, thotë një i ri, që pretendon se do ikë jashtë. 

Netët e ftohta të policisë 

Përballë objektit të komunës së Lazaratit, që shtrihet në Bashkinë e Gjirokastrës, qëndrojnë vazhdimisht dy furgonë policie. Janë Forcat Speciale të Policisë Shqiptare të ashtuquajtura RENEA, ato që qëndrojnë 24 orë në fshatin që nuk ka më shumë se 5 kilometra në dalje të Gjirokastrës, në drejtim të kufirit me Greqinë. 

Një polic, do të tregohet i afërt me ekipin e gazetës “Zëri”. Madje, do të tregojë se netët janë tejet të ftohta në Lazarat, në krahasim me ditët, kur temperaturat në fshat gjatë vjeshtës arrijnë shpesh deri në 28 gradë. 

“Natën bëhet tejet ftohtë”, tregon polici, që e pranon se nuk janë mjaft të pëlqyer në fshat. 

Në katin e dytë, sipër objektit të komunës së Lazaratit, me shkallë të nxjerra nga jashtë, banorët mund të ngjiten në një kafene tjetër. 
Dy policë të njësisë RENEA ishin aty brenda, momentin kur ekipi i gazetës u fut në atë lokal. Njëri nga ta reagoi mjaft ashpër, kur fshati u vu në objektiv të fotoaparatit. “Pse fotografoni policinë. Do t’ju shoqëroj në komisariat”, ishte reagimi i policit të RENEA-s, që fshihte numrin identifikues, e që ato momente kërkoi t’i shohë fotografitë. 

Më pas, do të marrë një urdhër përmes telefonit që ekipin ta lërë të lirë, me kusht që të mos bëhej asnjë fotografi e policëve. 

Pronarët e kësaj kafeneje ishin treguar më të butë me policët, derisa në kafene te lisi i “Rrapit” policët hezitonin të futeshin. 
Megjithatë, pronari i këtij kafe-bari, tha se i vjen keq për policët, që shteti i ka sjellë në Lazarat, e “nuk kanë as ku të urinojnë”. 
“Ja pyesni ata nëse kanë një vend ku mund të urinojnë?!”, ironizon burri. 

Myslimanët që “ngopën” Evropën me hashash 

Ora shënonte 16:00. Në fshat do të dëgjohej ezani nga xhamia sipër. Një rrugë e ngushtë, e pakalueshme me veturë, çon në pjesën ku banorët kanë objektet e kultit. 

Të gjithë janë myslimanë. Por, pjesa dërmuese i takojnë sektit bektashian, derisa nga synitë, ka shumë pak në fshat. 
Gentian Pollo është një imam i xhamisë së Lazaratit. Ai thotë të ketë mbajtur ligjërata, për atë që kultivimi i kanabisit është “haram”. 
“Por, këtu janë të paktë ata që janë syni e që kanë frikën e Allahut ta bëjnë këtë”, ka thënë hoxha mjekërgjatë. 

Ai pas faljes së namazit, i ishte bashkëngjitur me disa mjeshtër ndërtimit të një aneksi në oborrin e xhamisë, që siç tha, do të shfrytëzohej si kopsht për fëmijë. 

Në dalje të xhamisë, disa xhematlinj, me mjekra të mbajtura me kujdes, do të rrëfejnë se Lazarati vërtetë ishte qendër e kanabisit, e jo siç thonë banorët, se kishte vetëm pak rrënjë të mbjella. 

“Këtu kishte më shumë se në çdo vend tjetër në Shqipëri. Por, jo të gjithë jetuan nga hashashi”, thotë njëri nga djemtë që ngiste një veturë “Mercedes” ngjyrë të zezë, e që assesi nuk pranonte të prezantohej. 

Imami i fshatit do të lejojë gazetarët të bëjnë fotografi nga pjesa e xhamisë, nga ku shihej një pjesë e madhe e fshatit. 

Por, disa punonjës aty, banorë të fshatit, do të kenë frikë. “Pse lejoni të bëhet fotografi nga xhamia. Ne edhe ashtu kemi problem me banorët”, do të reagojë një tjetër person që muroste në aneksin e xhamisë. 

Në tyrben e Baba Zenelit, që gjendet jo më shumë se 50 metra nga xhamia në Lazarat nuk është shfaqur njeri. 

Poshtë saj, një rrugicë e ngushtë, sërish sjell në qendër të fshatit. Shtëpitë kishin ngritur mure të larta, e mbi to, kishin vënë rrjeta që do të zvogëlonin dukshmërinë brenda oborreve. 

Mureve të trashë prej guri në rrugicën që nga tyrbja e “Baba Zenelit” çonte në qendër të fshatit, ende kishin mbetur gypat e ujit që ishin përdorur për ujitjen e kanabisit. 

Ndërkohë, ishin gomat e vjetra të veturave, të vendosura njëra mbi tjetrën, ato që ishin përdorur si saksi kanabisi, sikurse edhe kazanët e krijuar nga prerja e vozave, që duken ende mureve të Lazaratit, të mbjella me kultura tjera, apo të lëna bosh. 

Në rrugët e ngushta, vetura të tipit “Mercedes”, “BMË” dhe lloje të tjera të automjeteve të mëdha e të prodhuara kryesisht vitet e fundit, dukeshin më shumë se çdokund tjetër në fshatin, që nga përshtypja e jashtme dukej mjaft i varfër. Evident ishte fakti se shumë banorë nuk kishin investuar në Lazarat, përveç investimeve në plantacionet e tyre, qofshin ato të vogla brenda oborreve, apo në tokat e përshtatshme të fshatit ku mbillej hashashi. 

Pas ndërhyrjes së policisë, në fshat ishin arrestuar rreth 60 persona. Kurse në kërkim janë edhe 300 të tjerë, si kultivues të hashashit. Fshatarët që kanë mbetur jashtë grilave kryesisht qëndrojnë pa bërë gjë. Hashashi thonë se nuk është më zgjidhje. Kërkojnë që t’iu bëhet një zgjidhje, qoftë duke ua gjetur ndonjë punë.