Lazarat, një tjetër i arrestuar nga grupi i zjarrit

largea_luftime1403123385Ndërsa një ditë më parë policia arrestoi 5 persona nga Lazarati, si pjesë e grupit të zjarrit që qëlloi policinë në operacionin e qershorit 2014, sot është njoftuar arrestimi i një tjetër personi, i cili po ashtu ishte pjesë e grupit të zjarrit. Bëhet fjalë për shtetasin e shpallur në kërkimin, Florjan N. Shurdhi, 31 vjeç, banues në Lazarat. Gjykata e Shkallës Parë për Krimet e Rënda, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje e punonjësve të Policisë Shtetit” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

Prokuroria e Krimeve  të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe  me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në qershor 2014, kane nisur procedim penal  për sulmet me armë mbi punonjësit e policisë  dhe gjithë veprat e mësipërme, gjatë operacionit antikanabis të zhvilluar në Lazarat.

Kapja e këtij shtetasi u bë në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije nga ana e Shërbimeve të Policisë Kufitare të Kakavijes  në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër  , në hyrje për në territorin shqiptar, pasi shtetasi Florjan Shurdhi po kthehej nga Greqia.