Leonard Hide, kandidati i PS për Bashkinë Libohovë

Partia Socialiste ka zyrtarizuar kandidatin e saj për zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë Libohovë. Në një mbledhje me strukturat lokale në këtë bashki, deputetja dhe drejtuesja politike e qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro, tha se Leonard Hide është emri me të cilin PS do të synojë të mbajë drejtimin e Libohovës për 4 vitet e ardhshme.

Edhe pse jashtë strukturave partiake dhe i papropozuar nga organizatat socialiste të Libohovës, Kumbaro ka argumentuar se përzgjedhja e Hides është produkt i një analize të gjerë bazuar në sondazhe të brendshme të PS dhe si një kandidat që mund të fitojë vota përtej radhëve të socialistëve.

Më shumë interesante garën për Libohovën e bën fakti që kandidati i PS ka lidhje të afërta familjare me kandidatin e grupimit të PD-së së mbështetur nga Sali Berisha. Më konkretisht, Leonard Hide dhe Adil Xhelili janë kushërinj të parë me njëri-tjetrin. Me siguri që gara nuk ka për të qenë vetëm në llogoret politike, por mbase edhe brenda fiseve përkatëse që në këtë rast janë ndoshta më të dyzuar se kurrë për orientimin e votës.

Leonard Hide ka një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, në detyra të ndryshme kryesisht në jug të vendit e deri në Dibër në vitin 2015. Aktualisht ai mban pozicionin e drejtuesit të Policisë Kufitare në Qafë Botë, detyrë nga e cila pritet të largohet pas angazhimit të ri në politikë. Se çfarë rezervon kjo garë dhe si duhen lexuar raportet elektorale në Libohovë, në ditët e ardhshme do të publikojmë një analizë më të plotë. ©argjirolajm.net