Libohova dhe personazhe realë të fiksuar në celuloid

483695_631108063582881_1577850121_nNga Thanas Verdhi

Asnjëherë s’më kishte shkuar në mend që objekti i këtij shkrimi do ishin disa sekuenca nga filmi” Koncert në vitin 1936”.E shoh atë film sa herë e ndesh kur jepet në televizor, tashmë jo më për përmbajtjen, por për pamjet nga Libohova e atyre viteve dhe një numuri të konsiderueshëm qytetarësh, një pjesë e të cilëve kanë lënë mbresa të pashlyeshme në memorien time. Regjisori Saimir Kumbaro dhe ata që vendosën t’i bënin xhirimet e filmit në Libohovë, u kanë bërë një shërbim të madh libohovitëve. Mendoj se përveç dëshirës për ta xhiruar filmin në vendin e të parëve, ka qënë dhe një zgjedhje e mençur e regjisorit që brenda një “rrezeje” të ngushtë territori qëndrojnë kaq në harmoni zyrat e administratës lokale, kompleksi i tregtisë dhe shërbimeve si dhe sheshi para tyre që plotësonte kuadrin e një qëndre lokale urbane. Një kompleks i tillë që plotësonte këto kërkesa do ishte vështirë ta gjeje në ndonjë qytet tjetër, e aq më pak në Lushnjën e atyre viteve, ku përveç disa ndërtesave përdhese e të shëmtuara të hante balta dhe lluca .

Qendra e qytetit dhe veçanërisht Sarajet e Beut janë pa dyshim ndërtimet simbol që identifikojnë qendrën e qytetit tonë. Me një projekt dhe strukturë elegante, katër godinat që përfshihen në këtë kompleks dhe që qëndrojnë në këmbë prej më se dy shekujsh i jepnin qendrës së qytetit strukturën e plotë të një qendre urbane mjaft dinjitoze për kohën. Përdorimi pa kriter dhe mos vënia dorë për mirëmbajtjen e tyre, bënë që kompleksi të degradonte me kalimin e viteve dhe ,kur janë bërë xhirimet e filmit, ato e kishin humbur me kohë shkëlqimin e dikurshëm. Megjithatë brenda tyre ishte përfshirë gjithë aktiviteti administrativ dhe i shërbimeve të kohës. Me përjashtim të klubit te rrapi, restorantit poshtë tij dhe dyqanit të manifakturës, shërbimet e tjera ishin përfshirë brenda sarajeve. Siç është fiksuar edhe në celuloidin e filmit, pajisja e këtij kompleksi me një numur të madh ambientesh, lejonin që të funksiononin më së miri administrata e pushtetit lokal, zyra e P.T.T, ajo e gjendjes civile, qendra shëndetësore, ajo e kulturës, një sërë dyqanesh të riparim-shërbimeve dhe të tregtisë, zyra e policisë etj. Në sheshin e brendshëm, midis dy ndërtesave kryesore të kompleksit, në periudhën e verës jepej edhe ndonjë film ku operatorët e autokinemasë, zoti Suat Çomo e më vonë Pajtim Ruçi, ishin të gatshëm e të duruar për t’u treguar kureshtarëve titullin e filmit dhe numurin e akteve. Në atë podium në raste të veçanta jepej edhe ndonjë program me këngë dhe valle ku këngtarët e valltarët e talentuar Qazo dhe Pelo Ruçi, Sehid Hide, Reuf Ruçi, Osman Ruli, Hajo Joka, Dino Bilibashi, Thoma Dhima, Jani Gramatikoi dhe të tjerë kishin një repertor të zgjedhur dhe këndonin e kërcenin me pasion këngët dhe vallet e zonës sonë.

Sa herë e shoh në film qendrën e qytetit tim ndiej njëherazi mall, dashuri, dhëmbje, trishtim. Njerëzit që shërbenin në ato ambiente ishin të lidhur organikisht me to, aqsa tani, pas afro 50 vjetësh, kur një pjesë e tyre janë larguar nga jeta, duket sikur atyre zyrave dhe dyqaneve u mungon diçka, u mungon prania e njerëzve që u jepnin gjallërinë dhe ngrohtësinë e nevojshme. Te dyqani ushqimor nuk dëgjohet më zëri i ngrohtë dhe i dashur i Kiço Zejnos që ishtë aq i sjellshëm e i drejtë, njëlloj si ballanca që përdorte për peshim; mungon dhe nuk dëgjohet më zëri i ulët i Jani Moshos, burrit fisnik te dyqani i berberëve; nuk dëgjohen më zërat e Bardho Çuçit dhe Sheri Beqos në P.T.T, ku ky i fundit i kërdiste me të shara çentralistet e Gjirokastrës, të cilat jo pa qëllim i’a vononin lidhjet telefonike; te dyqani i këpucarëve nuk dëgjohen më zërat e qeshur të Nasho Duros, Koço Aleksit e Reshat Tamazit; te dyqani i rrobaqepsisë s’është më Vasilika Pano, vajza e urtë dhe pafjalë, në kontrast me zërin e lartë dhe të zhurmshëm të Llambi Budrit. Nuk ka më humor me Sudo Lulushin te klubi, që na binte llokumet në tabaka, kur luanim domino “me të ngrënë”.

Nuk janë më te hija e rrapit mjeshtrat e dominosë Koço Gramatikoi dhe Selman Aliko, i cili m’u kujtua këto ditë, një burrë i gjatë që mbante një brez të trashë të mbështjellë disa herë rreth mesit e që nuk na i kursente gurët e dominosë për të bërë “një dorë” në këmbim të një torone. Nuk janë më as dy pronarët e mullinjve poshtë klubit, Safet Çomo dhe Hajro Gega që pavarësisht se ishin “në garë” për t’i marrë njëri-tjetrit klientët që venin për të bluar, në të njëjtën kohë ishin tolerantë dhe miqësorë midis tyre. Ka kohë, rreth 50 vjet që zhurma e këtyre mullinjve ka pushuar dhe s’është më as fillaqia që ishte plot me ujë dhe që binte me furri mbi turbinat që vinin në lëvizje gurin e mullirit. S’janë më, poshtë tyre, në rrjedhën e ujit edhe dy mullinjtë e tjerë, ai i Kiço Zejnos dhe i Hasan Labit. Te restoranti nuk dëgjohet më zëri i qetë dhe mikpritës i Foto Gjikës dhe as debatet e furrxhinjve Lipe Pano, Habib Shehu dhe Diko Goxhai që e bënin bukën të butë si sfungjer e të shijshme sa ta haje thatë. Nga qendra e kulturës nuk dalin më tingujt magjikë nga fizarmonika e Mina Verdhit dhe s’e di, nëse është akoma mbi shkallë dyqani i vogël i Banushit dhe nëse rron apo jo vetë Banushi, teneqexhiu që prodhonte fyej për ne dhe koliste, siç thoshte ai, gjymat dhe ibrikët e banorëve të qytetit.

Ja pra, pse e shoh sa herë e ndesh në televizor filmin “Koncert në vitin ’ 36”, për të parë qytetin tim të atyre viteve dhe një numur të konsiderueshëm njerëzish të fiksuar në celuloid për të cilët kam mall e dashuri.

Pavarësisht gjendjes së rënduar dhe degradimit në vazhdimësi të qytetit tonë, ne e donim shumë Libohovën edhe ashtu siç ishte, të drobitur e të rrënuar. Në fund të viteve ’80-të Libohova përjetonte krizën më të rëndë ekonomike dhe të identitetit të saj gjatë gjithë kohërave. Të vinte me të vërtetë keq ta shikoje atë vend të bukur e të bekuar që natyra i kishte dhënë me tepricë çdo gjë, të katandisej në atë gjendje që nuk ishte aspak dinjitoze për të.

Pas një “sëmundjeje të zgjatur e të rëndë”, në fillim të viteve ’90-të, Libohova po e merrte gradualisht veten. Shtrirja e gjerë e qytetit në disa lagje dhe terreni i thyer, kërkonte investime të mëdha dhe punë serioze për të urbanizuar qytetin. Në vitin 1993 u dukën përpjekjet e para në infrastrukturë duke zgjeruar rrugët që lidhnin lagjet me njëra tjetrën. Ishte iniciativa e ministrit të mbrojtjes së asaj kohë, libohovitit Safet Zhulali, që nën kërkesat e vazhdueshme dhe të zotit Ilir Spahiu, këshilltar i ministrit në fjalë dhe kryebashkiakut të Libohovës, zotit Selman Lile, një qytetar i ndershëm e puntor, të hidheshin hapat e para serioze në nisjen e një pune që do vazhdonte dhe në të ardhmen.

Një pjesë e madhe e qytetarëve libohovitë, pjesa më vitale, të rinjtë, shkuan në emigracion, kryesisht në Greqi, ku me sjellje korrekte, me punë të ndershme dhe duke kursyer, riparuan banesat ekzistuese, ndërtuan shtëpi të reja, duke ndryshuar e përmirësuar kështu jetën e tyre. Në kontrast me pronën private, ku çdo familje ka sistemuar ambientet personale, qendra e Libohovës me ndryshime të vogla, mbetet po ajo që ishte. Me përjashtim të riparimit dhe restaurimit të disa objekteve të privatizuara si klubi te rrapi dhe hoteli poshtë tij nga zoti Fatmir Roshi, ndërtesa dykatëshe e restorantit nga zoti Sedat Ismailati dhe rikonstruksionit të Sarajeve, qendra e qytetit i ngjan një rruge të zakonëshme me po atë infrastrukturë të para dy shekujve, të cunguar e pa asnjë variacion. Mbyllja dhe tkurrja e atyre pak hapësirave në qendër me ca ndërtime groteske betoni, tregon se Libohova e sotme nuk ka asnjë studim serioz dhe vizion, të paktën për të rikompozuar e urbanizuar qendrën. I takon Bashkisë së Libohovës që të ftojë studiot më të mira të arkitektëve urbanistë si dhe të sigurojë fondet e nevojshme, që në atë pak vend që ka mbetur, ndoshta duke e zgjatur deri te Lëmi i Kumbaratëve, të bëjnë projekte serioze për të rikompozuar qendrën me të gjithë elementët urbanistikë të nevojshëm.

Pushteti lokal gjatë 20 vjetëve të fundit duhet të bënte më tepër për rregullimin dhe urbanizimin e qytetit dhe veçanërisht të qendrës së tij. Mungesa e vizionit dhe projekteve kanë lënë qytetin pa investime serioze, e rrjedhimisht pa ndryshime të dukshme. Nëse do punohej seriozisht nga pushteti lokal gjatë dy dekadave të fundit, Libohova do ishte sot më e bukur, më e urbanizuar, më e lakmueshme. Ma merr mendja se, po t‘i kishte ato projekte, qeveritarët dhe deputetët libohovitë dhe ata që kanë lidhje me qytetin tonë në pushtetin qëndror si zotërinjtë Genc Ruli, Blendi Klosi, Bujar Nishani, Tritan Shehu, Safet Zhulali, Aldo Bumçi, Moikom Zeqo, Vangjel Tavo dhe të tjerë, do ishin padyshim të gatshëm e të predispozuar të mbështesnin me fondet përkatëse Libohovën. Edhe sot e kësaj dite, Libohova lëngon në një gjendje monotonie apatike, me infrastrukturë të cunguar, pamjaftueshmëri të ujit të pishëm, në një vend ku burimet e ujrave janë të pashterrëshme; mangësi në pastrimin e qytetit dhe ndriçim të mangët natën.

Unë kam kohë që s’kam kaluar asnjë natë në Libohovë, por shokëve të mi që kanë shtëpi atje, u bën përshtypje që rrugët që lidhin lagjet dhe rrugicat brenda tyre janë pa ndriçim, duke e lënë qytetin në terrin e natës. Një gjendje e tillë është për të ardhur keq, pasi dhe para 50 vjetëve, një central i vogël siguronte një ndriçim minimal në lagjen e qendrës së qytetit. Është e papranueshme që Libohova sot nuk ka shërbim dentar dher shërbim të mangët farmaceutik, kur me popullsinë që ka qyteti dhe fshatrat rrotull do duheshin 2-3 specialistë të këtyre profileve. Sot Libohova kalon krizën më të rëndë të punësimit. Për shkak të mungesës së projekteve dhe investimeve serioze që thamë më lart, sot Libohova ka nivelin më të lartë të papunësisë. E vetmja mundësi për të jetuar është ajo pak pronë private, blegtoria, bimët medicinale dhe puna në ndërtim, që sigurojnë një sasi të vogël të ardhurash. Kur thashë më lart se nuk ka projekte serioze për të urbanizuar qytetin e nxitur punësimin e kam fjalën që Libohova ka plot resurse natyrore që me pak investime do të zbuste në një farë mase krizën e papunësisë.

Qyteti ynë është i pasur me ujra të pastra dhe të kristalta, me të gjithë mikroelementët e nevojshëm. Një fabrikë për ambalazhimin e ujit do të ishte shumë rentabël. Jo larg, por 2-3 km. poshtë Libohovës, te rrepet, është ndërtuar një fabrikë për prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve të frutave, fabrikë që mund ta kishin bërë dhe vetë libohovitët. Libohova ka plot fruta e perime, kështu që një fabrikë e vogël dhe e pajisur mirë mund t’i përpunonte dhe ambalazhonte ato për vendin dhe eksportin. Një fabrikë e vogël mund të përpunonte bimët medicinale të zonës për prodhimin e esencave. Këto dhe plot aktivitete të tjera do zbusnin në një farë mase krizën e punësimit, për të mos folur pastaj për resurset e pakrahasueshme që ka qyteti ynë në drejtim të turizmit.

Kur vij në Gjirokastër, shpesh miqtë më propozojnë për të shkuar për drekë apo për ndonjë kafe në Derviçan, Vanistër apo Terihat. Përveç atyre pak lokaleve të Dropullit, vendosur në anë të rrugës që kanë vetëm komoditetin e brendshëm, edhe atë pa asnjë gusto, ato lokale për mendimin tim nuk të ofrojnë asnjë variacion, me pak fjalë, asgjë të veçantë dhe mbresëlënëse. Cdo ndodhte nëse Libohova do kishte infrastrukturë të rregullt, lokale dhe minihotele në pika dominuese, me arkitekturë që t’i përshtatej stilit klasik dhe modern të kohës? Ku ka vend më të magjishëm se Gushnica, ku gurgullima dhe oshëtima e ujrave që rrjedhin me rrëmbim e që në simfoni me cicërimat e zogjve dhe dendësinë e rrepeve që nuk lejojnë depërtimin e rrezeve të diellit edhe në ditët më të nxehta dhe që krijojnë një kondiocionim natyral të krahasohet me tjetër vend? Lokalet dhe minihotelet duhet të ishin në radhë si dikur mullinjtë e blojes që ndiqnin njëri-tjetrin në rrjedhën e ujit.

Nuk do të gjeje vend, nëse jashtë mureve të Kalasë, majë shkëmbinjve apo në majë të Kalistasë, aty ku Karavidhajt kanë ndërtuar tri vila të bukura, do të ishin ndërtuar lokale nga ku mund të shikoje, si në pëllëmbë të dorës, atë peizazh të mrekullueshëm për karshi. Libohova ka aq shumë mundësi për t’u “mbytur” nga vërshimi i turistëve që kalojnë nga Saranda në Gjirokastër e anasjelltas, saqë nuk do të kishtë mundësi t’i përballonte dot. Për fat të keq në Libohovë rrallë sheh ndonjë grup vendas apo të huaj, dhe kjo gjendje apatike, do të vazhdojë t’i mbajë larg vizitorët, derisa të ndryshojë mentaliteti për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen. Pushteti lokal duhet të bëjë çmos që të kërkojë ndihmën e pushtetit qendror dhe të donatorëve vendas apo të huaj në mënyrë që në Libohovë, nëpërmjet programeve të vecantë, të investohet në ata sektorë që janë prioritarë. Për fat të mirë, Libohova i ka patur drejtuesit vendorë gjithmonë vendas, e padyshim persona dinjitozë, nga familjet më të mira. Në vendet e vogla është përgjegjësi e madhe dhe e shumfishtë të jesh në krye të një komuniteti që të njeh, siç i thonë fjalës, dhëmbë e dhëmballë. Në këtë aspekt drejtuesit e Bashkisë janë nën vëzhgimin e rreptë të një komuniteti të tërë dhe për faktin se në atë post ndërthurren edhe interesa ekonomike dhe sociale. Në këtë kontekst, gjatë dy dekadave, kanë drejtuar qytetin një numër i kufizuar kryebashkiakësh, të cilët, në përgjithësi, kanë marrë vlerësimet e duhura nga komuniteti. Kështu që sa më shumë kohë kalon, aq më shumë kristalizohet mendimi i qytetarëve për t’i dhënë secilit një vlerësim të tillë, saqë çdo njeri prej tyre do mendohej mirë para se të kandidonte.

Meqë jam i lidhur me shumë fije me vendin tim, në përgjithësi, opinionet e popullit për secilin prej tyre kanë qënë pozitive. Midis tyre do veçoja kryebashkiakun e para disa viteve, zotin Vladimir Hide, mbasi vlerësimi, nderimi dhe mirënjohja e popullit të Libohovës për të është i pakrahasueshëm me të tjerët. I drejtë, i ndershëm, i komunikueshëm, tolerant e me sens praktik për zgjidhjen e problemeve, zoti Hide është padyshim kryebashkiaku dhe qytetari model, i cili në rradhë të parë, dinte të dëgjonte këdo që kishte diçka për të thënë dhe, të nderonte çdo njeri që kishte bindje në ligj. Gjatë periudhës që drejtoi Bashkinë e Libohovës, zoti Hide i dha atij institucioni fizionominë dhe autoritetin e një administrate kompetente dhe serioze. Duke bashkëpunuar ngushtë me pushtetin qendror, me ministritë dhe deputetët e zonës, ai paraqiti pranë dikastereve, projekte të studiuara dhe serioze. Fondet e akorduara nga qeveria dhe donatorët bënë që Libohova në pak vite të shndërrohej nga një qytet i lënë pas dore, në një vend ku mund të jetohej normalisht.

Kështu u riparuan dhe u rikonstruktuan qendra e qytetit dhe rrugët që lidhin lagjet, Kulla e Sahatit, Sarajet e Beut, Shtëpia e Kultures, dy shkollat e qytetit dhe ambientet për rreth; u rikonstruktua sistemi elektrik dhe ai i ndriçimit, u përmirësua sistemi i pastrimit të qytetit, u montua një central telefonik dixhital me kapacitet 1000 numura, ku çdo familje mund të pajiset me telefon fiks, u pajisën biblioteka dhe shkollat e qytetit me libra të reja etj. Fonde të mëdha u përdorën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si rikonstruksioni i segmentit Dhuvjan-Libohovë dhe zgjerimi e shtrimi i rrugëve që lidhin lagjet me njëra tjetrën. Zoti Vladimir Hide u shqua për komunikim të ngrohtë me qytetarët. Zyra e tij ishte e hapur për këdo, pavarësisht bindjeve partiake. Populli i Libohovës nuk mund ta harrojë kryebashkiakun, i cili në bashkëpunim me deputetin e zonës, zotin Vangjel Tavo, ka ndihmuar libohovitët për t’i pajisur me viza për Greqi në rast sëmundjesh apo punësimi, duke u lehtësuar kështu hallet qytetarëve. Ai ishte përherë i pranishëm dhe i vëmendshëm në zgjidhjen e konflikteve, duke i amortizuar e shuar ato për të mos i lënë të degjeneronin në banalitet.

Një “galeri” e tërë individësh që shfaqen e zhduken në ndonjë rol të vogël episodik, apo thjeshtë në turmën e “spektatorëve” plotësojnë kuadrin e plotë të filmit. Jam i bindur se shumica e tyre nuk ndodhen aty rastësisht, por janë zgjedhur me kujdes. Personazhe të tillë të regjistruar në celuloid si Mantho Gramatikoi, Xhevahir Brinja, Foto Paguna, Thoma Duro, Petrit Ruli, Jorgo Verdhi, Peço Kukumi, Date Tata, Maze Hide, Malo Shehu, Llaqi Petro, Ramiz Tahiri, Nizamudin Bejleri, Andon Aleksi, Vasil Rafti, Jani Mosho, Saimir Xhafo, Koço Aleksi, Nasho Duro, Mehdi Pasho, Tafil Ferri, Bardho Çuçi, Vasil Mandi dhe plot të tjerë, janë pa dyshim individë që me punën dhe personalitetin e tyre kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e komunitetit tonë. Mantho Gramatikoi i përket brezit të ri të libohovitëve që u inkuadrua shpejt në drejtimin e pushtetit lokal nga fundi i viteve’60-të. Me profesion mekanik, Mantho mori arsimim të mirë profesional me mbarimin e Politeknikumit 7-Nëntori në Tiranë. Për disa vjet punoi në ofiçinën mekanike të fermës, për t’u emëruar më pas në detyrën e sekretarit të Lokalitetit, kryetarit të Këshillit, përgjegjësit të Artizanatit dhe, së fundi, sekretar në Shkollën e Mesme Bujqësore në Libohovë. Inteligjent, korrekt e pragmatist, ai shumë shpejt u shqua si një zyrtar i ri i administratës së kohës dhe i’u ndodh pranë bashkëqytetarëve, të cilët gjenin tek ai mirëkuptim e zgjidhje të problemeve. Ai bëri çmos që ato kompetenca që kishte t’i vinte në shërbim të komunitetit duke ua lehtësuar në një farë mase hallet e problemet që ata kishin. Në fillim të viteve ‘90-të, Mantho emigroi familjarisht në Greqi ku aktualisht banon edhe sot.

Xhevahir Brinja është ndihmës mjeku që nuk ia kurseu asnjëherë ndihmën popullit të Libohovës. I gatshëm në çdo kohë dhe i vëmendshëm për çdo njeri që kishte nevojë për të, Xhevua ndiente detyrim të madh për pacientët dhe i trajtonte ata me kujdesin e duhur. I paisur me sens praktik e duke patur formim të mirë mjekësor, ai nuk gabonte në diagnostikimin e pacientëve, i kuronte ata me kujdes e në raste të veçanta, kur kërkohej ndërhyrje më e specializuar, i dërgonte në Gjirokastër. I sigurt në vetvete, ai u bënte shërbim të veçantë pacientëve, të cilët në raste dërrmuese kishin besim të plotë në diagnostikimin dhe kurimin që u jepte. Jam i bindur se eksperienca e gjatë, korrektësia dhe përkushtimi i tij për komunitetin, ka bërë që libohovitët ta shohin me nderim të vecantë këtë specialist, i cili ka bërë më të mirën për bashkëqytetarët e tij.

Petrit Ruli, një nga personazhet më të rinj e njëkohësisht më simpatikë, ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve për aktrim dhe, pas përfundimit të studimeve, u emërua aktor në Teatrin Profesionist në Gjirokastër. Me vonë u emërua përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në Libohovë. Aktualisht është punonjës i Bashkise Libohovë për problemet e kulturës dhe njëkohësisht përgjegjës i bibliotekës së qytetit.

Foto Paguna në vitet ‘70-të drejtoi Shtëpinë e Kulturës në Libohovë. Organizator i zoti, ai diti të zgjedhë individët më të talentuar midis të cilëve punonjës në sektorë të ndryshëm, arsimtarë dhe nxënës shkolle, duke i inkuadruar ata në grupet amatore teatrale apo të këngëve dhe valleve që u shquan për shfaqje të suksesëshme në shkallë rrethi dhe vendi. Një larmi e vërtetë aktivitetesh që kishin për protagonistë zotërinjtë: Xhevahir Brinja, Jorgo Verdhi, Llaqi Petro, Gani Buzo; pesë fëmijët e Jani Gramatikoit, Leonora, Roza, Irini, Pirrua dhe Dhori; Jani dhe Miço Gjika, Jorgo Rafti, Agron Ismailati dhe plot të tjerë. Një vend të veçantë në këtë grupim zë një djalë i talentuar z. Gani Buzo . Me talent të spikatur në disa drejtime, ai është dalluar që i vogël në aktivitete të ndryshme kulturore. Në vitet ’90 emigroi në Greqi dhe pas kthimit në atdhe ngriti një aktivitet të veçantë në pregatitjen e reklamave . Sot ai drejton një kopësht fëmijësh privat me një numur të konsiderueshëm fëmijësh. Kohët e fundit talenti i tij në pikturë është befasues duke u renditur krahas piktorëve me emër.

Jorgo Verdhi është një nga aktorët amatorë me talent të spikatur. Në film, në atë rol, ai na jep një personazh kompleks e të vërtetë. Edhe Andon Aleksi që shfaqet në një sekuencë filmike, transmeton me mimikën e tij efekte të forta emocionale. Vonë mora vesh, që ky i fundit luan bukur edhe me çifteli. Kanë mbetur të paharruara në memorien e libohovitëve rolet e luajtura me profesionalizëm nga Pirro Gramatikoi, një djalë elegant, fisnik e i talentuar. Me këtë rast dua t’i transmetoj atij gjithë respektin dhe konsideratën time, duke e inkurajuar njëkohësisht që ta përballojë me dinjitet e durim gjendjen e krijuar si rezultat i një aksidenti që i ka ndodhur në Greqi para disa vitesh.

Një grup adoleshentësh që paraqiten si figurantë plotësojnë kuadrin e filmit. Ky grup të rinjsh, që tani janë rrotull të pesëdhjetave, në atë kohë ishin ata që i jepnin jetë e gjallëri këtij ambienti dhe që tani, pas kaq vitesh, e shohin me nostalgji veten e tyre të fiksuar në celuloid. Duke u kërkuar të falur që nuk i kam identifikuar dot të gjithë, mund të përmend këtu zotërinjtë Vilson Bilibashi, Taqi Begzo, Feruze Buzo, Mimoza Ruçi, Fatos Shehu, Hazis Buzo dhe të tjerë, për ta mbyllur me disa djem më të vegjël që shoqëronin “tellallin” si Alqi Duro, Mërkur Ruçi, Agron Veseli, Arti Paguna.

Në celuloidin e filmit shfaqen e zhduken midis “spektatorëve” figurantë një numër i konsiderushëm njerëzish që tani nuk rrojnë më, por që me personalitetin e tyre kanë mbetur të paharruar. Pa anashkaluar asnjë prej tyre, po ndalem te disa individë për të cilët komuniteti libohovit ka nderim të veçantë.

Nizamudin Bejleri, në kujtesën time të mbi gjysëm shekulli më parë, mbetet mësuesi model, autoritar e me shpirt të madh , që i trajtonte nxënësit e tij me kujdesin dhe vëmëndjen e duhur. Nuk dua të ndalem në meritat e tij si mësues, mbasi qëkur unë isha nxënës i tij në mesin e viteve ’50 ai ishte vlerësuar me medalje të ndryshme nga Kuvendi Popullor. Dua të shtoj, se ai ishte i vetmi që dinte të gjitha tekstet e këngëve, jo vetëm të zonës sonë, po të të gjitha trevave të jugut. Studiues të teksteve të këngëve të vjetra dhe të kohës, shkonin në Hoxhallarë për të takuar mësuesin e nderuar Nizamudin Bejleri, i cili me kujtësen e tij të admirueshme u recitonte atyre tekstet e këngëve që vetëm ai dinte t’i tregonte kaq bukur.

Bardho Çuçi ishte një nga personazhet realë më emblematikë të qytetit. I gjatë, elegant, serioz e njëkohësisht me humor, ai ishte për shumë vite, derisa doli në pension, përgjegjës i P.T.T në Libohovë. Ishte punonjës model të cilin mund ta besoje për çdo gjë, aq më tepër që çdo korrespondencë telefonike apo postare kryhej përmes tij. Ai kishte krijuar një raport aq miqësor e të besueshëm me njerëzit, saqë çdo libohovit i’a besonte pa kurrfarë ngurimi problemin që mund të kishte. Vitet që ishte në pension e takoja shpesh Bardhon kur vinte në Tiranë, mbasi motra e tij, Kadria ishte komshie, në një shkallë, me motrën time. Edhe në rolin që luan në film, Bardho është ashtu siç ishte në jetë, real e i vërtetë.

Medi Pasho, në kujtësen time, të gadi 50 vjetëve më parë, ishte një njeri fisnik, i urtë, i ndershëm e tepër i rregullt, nga ata njerëz që s’i binte askujt në qafë dhe i gatshëm të ndihmonte këdo që kishte nevojë për të. Ka punuar vite me rradhë si ekonomist në fermë, detyrë që e kryente me ndërgjegje dhe përkushtim maksimal. I saktë në çdo detaj të punës e jetës, Medi Pasho ishte simbol i njeriut që kishte bindje në ligj e që kërkonte nga të gjithë korrektësi dhe drejtësi, veti që i shërbyen atij që krahas punës si ekonomist, të ushtronte dhe detyrën e ndihmës gjyqtarit. Në këtë aspekt Medi Pasho ishte qytetari që i bënte nder vendit të tij. Me këtë rast, dua t’u transmetoj fëmijëve nderimin që kam për babanë e tyre, duke u uruar që të ecin në gjurmët e tij.

Në qendër të “spektatorëve”, në atë film, shquhet një burrë, që bie menjëherë në sy për përmasat e mëdha të trupit, me kapele borselinë, i shëndoshë, me fytyrë të qeshur e të ndritshme. Pa ia përmendur emrin, lexuesit e kanë të qartë se bëhet fjalë për Vasil Mandin, një burrë fisnik e i ndershëm, që e kishte zemrën flori. Lindur e rritur në Peshkëpi, Vasili u vendos në Libohovë duke u bërë në vite një nga figurat më simpatike të qytetit. Ai së bashku me gruan e tij, Pellagjinë, plotësonin besnikërisht njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një familje ideale dhe të shëndetëshme moralisht. Katër fëmijët e tyre janë shëmbull i shkëlqyer qyetarie, të qetë dhe të ndershëm. Kristaqi, djali i madh që e kam njohur me mirë në vitet e rinisë sime, shquhet për korrektësi, tolerancë, inteligjencë të veçantë dhe që, pa dyshim, pas mbarimit të studimeve universitare, ishtë një nga mësuesit pasionantë që ka lënë gjurmë e kujtime shumë të mira në shkollat e Rrethit të Gjirokastrës. Tani Kristaqi punon e jeton në Greqi. Unë kam shumë vite pa e takuar dhe i uroj gjithë të mirat atij, vëllezërve , Odhisesë e Lefterit, si dhe motrës, Violetës, duke i uruar që të jenë në lartësinë e prindërve të tyre.

E lashë për në fund mikun tim të vegjëlisë dhe rinisë, Saimir Xhafon, mbasi, sadoqë të flasësh për të, asnjëherë s’i ke thënë të tëra. Zotëri në kuptimin e plotë të fjalës, ai ishte një nga miqtë e mi më të virtytshëm, e që humbja e tij para kohe më ka lënë një boshllëk të madh. Artist në temperament e në pamje dhe me një formim të plotë kulturor, ai e kishte kaluar me kohë nivelin e bashkëmoshatarëve. I pajisur me një kulturë të përgjithëshme për t’u admiruar, profesor e gazetar i zoti dhe violinist për t’u patur zili, ai ishte miku i të gjithëve, miqësi dhe mirësi që ua kthente me pashë të tërëve. Ai shpirt brilant , i ëmbël e i pafajshëm, u ndesh shpejt me brutalitetin e kohës dhe natyrisht, si i tillë nuk mund të rezistonte dot. U mbyll në vetvete aqsa, që kur ishte 30 vjeç, siç është regjistruar edhe në disa sekuenca në celuloidin e filmit në fjalë, nuk ishte më ai djaloshi biond, i tingujve magjikë që nxirrte nga violina dhe poezive romantike që shkruante. Zëri i tij melodioz e i ëmbël kishte vite që heshtëte, mbasi në adoleshencë, ariet e bukura që këndonte ishin të denja për një këngëtar të vërtetë dhe me talent . Kur e shoh tani në film, e kuptoj mirë që vitet e lumtura të adoleshencës ishin sosur me kohë për të, duke ia lënë vendin melankolisë dhe trishtimit. Dhe ashtu, i trishtuar u shua kur ishte vetëm 50 vjeç.

Edhe tani, pas gjysëm shekulli e kujtoj me nostalgji vendin tim, e veçanërisht qendrën e qytetit, aty ku mblidheshim e diskutonim, luanim, argëtoheshim. Tani, kur vij në Libohovë, ndjej se qytetit tim i mungojnë ata personazhe aq të dashur e interesantë që i jepnin vendit jetë dhe gjallëri. Sot, një pjesë e shokëve të mi janë larguar, vitet i kanë thinjur e zbardhur, aqsa koha dhe hallet i kanë transformuar e plakur. Pjesa tjetër, që ishin më të moshuar se ne s’janë më dhe për këtë ndjej trishtim të thellë , megjithatë kjo është jeta, ligjet e natyrës nuk falin askënd. Me këtë rast dua tu bëj një homazh të veçantë të gjithë bashkëqytetarëve të mi që përmënda në këtë shkrim e që s’janë më, se tani pas kaq vjetësh, më duken aq të afërt, aq të dashur, aq miqësorë. U prehshin në paqe dhe Zoti i pastë në mbrojtje shpirtrat e tyre.

Tiranë, tetor 2012.

 Në vend të epilogut

Bashkëpunimi im me gazetën “Libohova” është relativisht i vonshëm, më pak se dy vjet. Në të shkuarën edhe gazetën e lexoja rrallë, kur më bintë në dorë rastësisht ndonjë numur i saj. Pavarësisht nivelit, mundohesha të gjeja në të, copëza nga jeta e qytetit tim të dashur.

Rreth tre vjet të shkuara bëra një shkrim homazh për shokun tim të fëmijërisë e adoleshencës, Saimir Xhafon, shkrim që ia dërgova drejtorit të gazetës, z. Jusufati për ta botuar, gjë që u kundërshtua nga ky i fundit me argumenta absurde dhe qesharake. Nuk ngula këmbë dhe rrallë takohesha me të, ku bisedonim për probleme të ndryshme, por edhe për gazetën “Libohova”. Pavarësisht gjithëçkaje, ai më dukej tip interesant, paçka se herë pas here, sipas vendit e kuvendit tek ai gjeje intrigantin, përgojuesin e prepotentin; megjithatë, unë deri në fund doja ta shihja me sy pozitiv duke e klasifikuar te njerëzit e leshtë. I donte shumë titujt shkencorë dhe vuante që s’i kishin dhënë ndonjë dhe, kishte të drejtë, pse të mos i jepnin edhe atij titullin “Profesor”?! Para dy vjetësh, zoti Sulejman Jusufati kishte planifikuar të bënte një shkrim homazh për një profesor e intelektual të veçantë të qytetit tonë,Vangjel Diamantin, shok klase dhe kushëriri im. Ma lexoi dhe pashë që shkrimi ishte i një niveli të dobët. I sugjerova që ta rishihte me kujdes. Hoqi dorë dhe kërkoi që ta bëja unë atë shkrim. Ishte shkrimi im i parë në gazetën “Libohova”dhe, dashur pa dashur, u angazhova me frekuencë të plotë duke shkruar pothuajse në çdo numur të saj. Rrallë më bënte dhe ndonjë vërejtje që unë e merrja në konsideratë, qoftë dhe për t’i bërë qejfin, duke “rregulluar” ndonjë gjë të vogël, deri në atë masë sa të mos prishej kuptimi dhe struktura e frazës. Bile shpesh i thoshja me shumë sinqeritet që, nëse, për një arsye apo për një tjetër, s’do ishim dakord, për të ndryshuar diçka, qoftë dhe pa rëndësi, aty bashkëpunimi ynë mbyllej miqësisht.

Shkrimet e mija i pëlqenin z. Isufati, i cili më transmetonte dhe vlerësimet e libohovitëve brenda dhe jashtë vendit. Dhe kështu, vazhdoi një bashkëpunim i frytshëm deri para një muaji, kur vura re pabesinë e parë dhe të frundit, që ndërpreu përfundimisht bashkëpunimin tonë. Dhe ja si ndodhi: Nga mesi i muajit tetor 2012 i dorëzova z.Jusufati shkrimin e fundit që e keni dhe ju në këtë fashikull “Libohova dhe personazhe realë fiksuar në celuloid”. Meqë ishte shkrim i gjatë, i sugjerova të botohej në dy numura gazete. Po atë ditë, në mbrëmje, zotëria në fjalë, më merr në telefon dhe më thotë se shkrimi, sipas tij, kishte dalë i bukur, por kishte një kontradiktë të vogël, të cilën për kortezi, nuk dua ta them. I thashë që aty s’ka asnjë kontradiktë , megjithatë i sugjerova që pasi të redaktohej, e shihnim dhe, nëse kishte nevojë për të ndryshuar diçka, e rregullonim .

Pas disa ditësh, mora vesh se pa u konsultuar fare me mua, në mënyrë të fshehtë, ua kishte dërguar shkrimin një pjese të anëtarëve të redaksisë, duke përjashtuar disa që padyshim do ishin në anën time. Ky veprim tinzar më befasoi shumë dhe u ndjeva i tradhëtuar e i zhgënjyer. E merrja në telefon dhe e pyesja jo pa qëllim nëse shkrimi ishte redaktuar nga redaktorja, por ai më shmangej e më jepte përgjigje si ai kalamani i keq i zënë në faj… as po e as jo. Të shtunën e fundit të tetorit e mora përsëri në telefon. Nuk ma njohu zërin e më ngatërroi me Hysein Çobanin dhe e pyeti nëse e kishte lexuar materialin tim që i kishte dërguar. Kur i thashë kush isha, u ndie si i zënë në lak dhe me fjalë pa kuptim e si i dehur më tha.:……po,…..jo, po do takohemi të hënën në orën 10, sepse antarët e redaksisë, kanë ca vërejtje. Tani s’kisha as pikën e dyshimit se “gjyqi i inkuizicionit ” kishte vepruar dhe duhej të prisja dënimin. Për të qeshur e për të qarë, apo jo? “C’e pësova si breshka te nallbani ”- thashë me vete ,” -po mirë të më bëhet kur merrem me të” -ngushëllova veten. Ato dy ditë deri të hënën që ishte takimi, të them të drejtën isha i mërzitur, i revoltuar, kurse natën më mbytën ëndrrat; sa mbaronte njera fillonte tjetra, njera më e çuditëshme se tjetra.

Sa zgjohesha nga makthi nga ndonjë ëndërr e ligë, merrja kalem e kartë dhe e shkruaja që të mos e harroja, për ta konsultuar të nesërmen me Librin e Endrrave. Ëndrrat e liga, sa të frikëshme janë për atë që i sheh, aq humoristike janë për ata që i dëgjojnë kur ua thua. Pashë aq shumë të tilla në ato dy netë , sa s’kam parë tërë jetën; ndonjëherë mund ti botoj në kapitullin “Ëndrrat”, pse jo? Për mungesë vendi ndrrova mëndje që të botoja në këtë shkrim një prej tyre, që e titullova “Tujexhinjtë e natës, lugetërit e të dielës mbrëma”, që do tua them një herë tjetër .

Ashtu i lodhur, nga ato dy netë me ëndrra, të hënën në ora 10 isha te kafeneja për të marrë “mandatin”.

Sulua ishtë ulur në tavolinë dhe, i sëkëlldisur, rufiste kafenë. Nuk ishte më ai Sulejmani i kohëve të shkuara, apo Sulltan Sulejmani, siç i thërrisja me shaka, por një Sulo tjetër, i transformuar, i zymtë, i egër, i kuq. Tërë ai bashkëpunim e mirëkuptim i gati dy viteve ishte shuar në çast. Me një ton drejtori arrogant, sikur unë të isha i punësuar tek ai(larg qoftë), më tha se një pjesë e shkrimit duhet hequr, mbasi, sipas disa anëtarëve të redaksisë në Tiranë dhe Libohovë unë kisha dalë nga tema dhe, për disa probleme që kisha trajtuar, ata nuk ishin dakord. Sipas tyre, unë kisha bërë mëkat se nuk paraqisja realitetin, se në Libohovë, gjithnjë sipas tyre, punët shkojnë vaj, njerëzit i kishin zgjidhur të gjitha hallet dhe jetojnë shumë të lumtur. I justifikoj plotësisht disa nga anëtarët e redaksisë së Libohovës, se ata janë të punësuar në shtet dhe dalja nga rreshti i penalizon deri në pushim nga puna. Bile, njëri prej tyre, dikur me profesion çoban, ne vërejtjet e dërguara, është përpjekur të bënte dhe pak ironi, padyshim ironi mediokre, produkt i njerëzve të mefshtë dhe të pa kultivuar. Habia ime ishte kur z. Sulo më vuri përpara disa fletë, rreth 4-5 faqe, që fillonte me emra, grada dhe tuje e që ndiqeshin më pas nga antarët e thjeshtë pa asnjë gradë. Për kuriozitetin tuaj po citoj 4-5 rreshtat e para të vrejtjeve që ngjanin më shumë si një akt akuzë:Nr.58/x

Prof. Dr. Hysen Çobanit, Prof. Dr. Uran Asllanit, Dr. Moikom Zeqo, redaktores znj. Dhurata Agalliu, zotërinjve Bexhet Çobani, Adil Xhelili, Besnik Ismailati, znj. Perika Xhuli dhe z. Bate Xhafo, po ju dërgojmë për vërejtje e sugjerime shkrimin e z. Thanas Verdhi me titull “Libohova dhe personazhe realë fiksuar në celuloid”.

Mbasi ka paraqitur vërejtjet e secilit me hieroglife që mezi i deshifrova, drejtori i gazetës z. Sulejman Jusufati, në vendimin e tij me njoftonte se duhej të hiqet pjesa e mesit, pasi, sipas redaksisë, unë kam dalë nga tema. “Ky s’është problem, sepse unë i vë një titull tjetër” – i them. Po me kë të flisje? Ai s’dëgjonte nga asnjë vesh. Megjithatë, më dha dy ditë afat, nëse do pranoja të hiqja pjesën e mesit të shkrimit. I them se nuk kishte nevojë për asnjë afat dhe se bashkëpunimi ynë mbyllej aty. Ia bëra të qartë që shkrimin do ta botoja për libohovitët që dinë të lexojnë, në një fashikull të veçantë, por me një shtojcë, ku do të shkruaja për të dhe për një pjese të redaksisë, të cilët, me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tyre, e kanë katandisur gazetën në gjendje të vajtueshme. “Provoje, nëse do që të të thyejnë turinjtë (e kishte fjalën për ata me tuje)” – më tha . “Larg qoftë!” – thashë me vete dhe më ngeci në fyt shprehja standarde që përdoret në raste të tilla. Imagjinova se si ata “trima” pleq, me grada dhe tuje në supe, i kishin flakur ato, kishin përveshur mëngët e kishin mbathur dorrezat e boksit.

Vërtet nuk e kuptoj çi cimbisi dhe sëkëlldisi kaq shumë profesorët e nderuar, kur unë vura në dukje disa mangësi në Libohovë si puna e ujit, dritave apo probleme me infrastrukturën dhe kur jepja disa mendime për zbutjen e papunësisë. Mbase ndonjë libohovit i kamur, i nxitur edhe nga shkrimi, mund të ndërtonte ndonjë fabrikë të vogël për përpunimin e bimëve medicinale dhe, ku zoti Asllani, si specialist i kësaj fushe, mund të jepte këshilla të vlefshme, se si të përsoset teknollogjia e përpunimit të hamocfakës, paparunës e cukunidhës; apo dhe profesori tjetër i bujqësisë mund të ndihmonte bujqit libohovitë që, duke modifikuar kodin gjenetik të perimeve, të prodhonin në Libohovë preshë dhe qepë me aciditet të ulët që të mos digjnin aq shumë. Në fund të fundit, është detyrë e secilit që të bëjë më të mirën për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit tonë të dashur.

Të vetmit që ishin dakord që shkrimi të botohej i plotë dhe pa asnjë ndryshim, ishte një zotëri që s’e identifikova dot kush ishte dhe zonja Perika Xhuli e vetmja grua anëtare e redaksisë nga 6-7 bulat që e refuzuan atë. Sipas zonjës Xhuli, shkrimi ishte realist e i sinqertë dhe se ekstremistët duhet të mësohen me diversitetin e mendimeve dhe se atyre (ekstremistëve) u mungon kultura demokratike e të shkruarit dhe të lexuarit. E falënderoj zonjën Xhuli dhe më vjen vërtet keq që një pjesë e antarëve të redaksisë, të tërë së bashku, nuk arritën dot të ngriheshin as në gjysmën e nivelit të kësaj zonje të nderuar.

Jo rastësisht, gazeta “Libohova” është më e dobëta e zonës. Dhe kjo thjeshtë për shkak të paaftësisë së drejtorit të saj zotit Sulejman Jusufati dhe një pjese të redaksisë, të cilët e kanë privatizuar atë, duke botuar në të shkrime pa vlerë dhe pa as një interes për lexuesin libohovit. Me frymën përjashtuese dhe të propagandës mbytëse ata po largojnë jo vetëm lexuesin, por edhe çdo njëri që ofrohet për të ndihmuar me shkrime serioze gazetën. Ata janë gati të sulmojnë këdo që guxon të dalë nga kornizat e standardeve konformiste, prej nga ata vetë nuk mund të dalin dot. Zoti Sulejman Jusufati dhe një grup bolshevikësh, me një mentalitet të mykur, kanë uzurpuar kryesinë e Shoqatës Libohova dhe gazetën e saj, duke përfituar nga sinqeriteti dhe ndershmëria e disa burrave që i mbajnë formalisht në të, për të marrë dhe ndarë me njëri-tjetrin “tuje” nga Këshilli Bashkiak i Libohovës; ndërkohë që qyteti ynë ka patur e ka plot zonja dhe zotërinj të nderuar që janë shquar si personalitete të spikatura në rang vendi e më tej, në fusha të ndryshme të ekonomisë, arsimit, shkencës, artit etj.

Nëse do krijohet një klimë e ngrohtë bashkëpunimi midis libohovitëve dhe redaksisë, jam i bindur se gazeta Libohova do të jetë padyshim më e mira e gjithë zonës së jugut. Kjo kërkon urgjentisht një reformim të plotë të stafit drejtues të redaksisë (larg qoftë, mos mendojnë se dua t’u zë vendin), ku në krye të zgjidhen njerëz të kulturuar e me vizion. Në veçanti dua të ftoj të rinjtë libohovitë, nxënës, studentë dhe specialistë, kudo që janë, ta vleresojnë gazetën “Libohova”, duke u angazhuar në të me shkrime, projekte dhe ide. Jam i bindur se me kulturën, talentin, fantazinë dhe vrullin e moshës së tyre, ata mund të bëjnë atë që kjo gazetë të konkurojë me gazetat më serioze dhe, në vend të atyre pak faqeve mjerane, të kthehet në një revistë të përmuajshme, ku të vlojë debati konstruktiv, poezia, e bukura. Njoh plot djem e vajza libohovite, fëmijë të miqve dhe shokëve të mi, por edhe të tjerë libohovitë të cilët, kur i sheh nëpër studiot televizive, auditoret e universiteteve apo në fusha të tjera, të habisin me inteligjencën, oratorinë, forcën e mendimit, mënyrën e komunikimit dhe edukatën e përsosur.

Tani për tani, unë nuk do të shkruaj më në gazetën “Libohova”, mbasi ajo, siç thashë më sipër, është privatizuar nga Sulo & Co, por unë do të jem gjithmonë prezent pranë bashkëqytetarëve të mi të nderuar, qoftë nëpërmjet ndonjë fashikulli të veçantë, si ky i sotmi, apo në internet. Falë kësaj teknollogjie, kontakti me njerëzit është pa kufi dhe nuk ka pengesa e distanca për qytetarët libohovitë kudo që të jenë.

Do ishte në nderin dhe dinjitetin e gazetës “Libohova” ta botonte shkrimin tim “Libohova dhe personazhe realë fiksuar në celuloid”, mbasi e kam shkruar me shumë dashuri për Libohovën dhe qytetarët e nderuar libohovitë, por, meqë s’ishte e thënë, gjeta këtë zgjidhje që, gjithsesi, s’qe më e mira!