Libohova në revistën turistike franceze, kandidati i PS: Disa vite më parë ishte e paimagjinueshme të flitej për turizëm, sot ka bujtina e restorante

Revista franceze Envols ka bërë një shkrim për turizmin në Shqipëri. Mes destinacioneve që përmenden është edhe Libohova. Shkrimin e ka shpërndarë në faqen e tij kandidati i PS për kryetar bashkie, Leonard Hide. Ai thotë se deri para disa vitesh ishte e paimangjinueshme të flitej për turizëm në Libohovë ndërsa sot ka shumë iniciative private për agroturizëm e bujtina. Sipas tij perspektiva turistike e Libohovës u ngrit pas investimeve të qeverisë në infrastrukturë. Më poshtë reagimi i plotë i Hides.

Libohova në një nga revistat e njohura franceze të turizmit, #EnVols, përmendet si një destinacion turistik, me pasuri të shumta të trashëgimisë kulturore; Teqeja e Melanit, Kisha e Labovës e Kalaja e Shanishasë, asetet tona të çmuara që janë në shërbim të turizmit. E paimagjinueshme disa vite më parë të flitej për turizëm në Libohovë. Sot ka iniciativa private, bujtina e restorante që presin e përcjellin vizitorë çdo vit. Nuk dolën nga hiçi, por u ngritën pas investimeve publike në infrastrukturë dhe krijimit të një perspektive të qartë për zhvillimin e turizmit. Kjo është fakt! Unë do të mbështes fort sipërmarrje të tjera në këtë sektor, sidomos në agroturizëm, si një formë e re biznesi për të mbajtur njerëzit e lidhur me fshatin, për të tregtuar produktet e tyre dhe për të krijuar vlerë të shtuar në ekonomi. Jam optimist se më e mira është përpara dhe #ProjektiRipërLibohovën do të funksionojë. Bashkë do t’i japim rrugë këtij projekti. Njerëzit shohin nga ne, asgjë nuk presin nga kundërshtarët tanë.