Libohova, rikthehet pazari tradicional pas 80 vitesh (FOTO)
July 17, 2017
30 biznese dhe njësi të vogla shitjeje u prezantuan në të parin Pazar tradicional në Libohovë.
Pazari i Libohovës ishte aktiviteti më i rëndësishëm kulturor dhe turistik i qytezës historike në fundjavë, ku të rinj dhe të moshuar, vendas edhe të huaj morën pjesë përgjatë tri ditëve në sheshin qendror të Libohovës, duke u njohur me prodhimet e zonës dhe punimet artizanale.
Ky aktivitet u zhvillua për të promovuar punën e artizaneve të Libohovës dhe zonës përreth, duke mundësuar kthimin pas një mungese më shumë se 80-vjeçare të pazarit të artizanatit dhe kulinarisë tradicionale të kësaj zone. Panairi “Udhët drejt historisë”, panair i zejtarisë dhe artizanatit, u organizua nga Shoqata “Open Doors for Albanian Youth-ODAy” , me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vlerësoi panairin si motivim që banorët të bëhen pjesë e tregut turistik. “Fakti që këtu ka edhe shumë turistë tregon që këtu po krijohen pole të reja atraksioni për turizmin e Gjirokastrës që të mos jetë një turizëm kalimtar, por të jetë një turizëm interaktiv”, – u shpreh Kumbaro.
Gjatë tri ditëve, 14-16 korrik 2017, u prezantuan të gjitha prodhimet e zonës, duke nisur nga prevede e manit e deri tek vera e shenjtë, nga bimët medicinale si sherebel, apo gjethet e shtogut. Motivet e vjetra të familjeve të Libohovës në punimet e dorës janë risjellë me shpresën si një mundësi punësimi në të ardhmen.
Ky projekt ndihmoi edhe në drejtim të punësimit të anëtareve të komunitetit, por edhe në drejtim të ruajtjes së traditës së zejeve, prodhimeve të kulinarisë dhe artizanatit, të punës për krijimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të kësaj zone si dhe në edukimin e brezit të ri në drejtim të dijebërjes, së zejtarisë karakteristike. Gjatë periudhës së organizimit të këtij aktiviteti (prill- korrik 2017) u organizuan kurse falas për zejtarët e rinj për të promovuar këto profesione, për të krijuar vazhdimësinë e këtyre zanateve edhe tek brezi i ri.
Projekti nisi në bashkëpunim me Bashkinë Libohovë ku u organizua prezantimi i dijebërjes së artizanatit dhe prodhimet e kulinarisë tradicionale të trevës. Këto elemente të trashëgimisë jomateriale, në këtë zonë janë në rrezik zhdukjeje dhe është një nga detyrimet e Ministrisë së Kulturës mbështetja e nismave të cilat mbajnë në jetë dukuritë e trashëgimisë jomateriale. Panairi do të rrugëtojë në Berat, në ditët e festivalit “Berati Multikulturor”, si dhe në Gjirokastër, apo Tepelenë, ku prezantimi në panaire të ngjashme, krahas kulturave të krahinave të tjera plotëson mozaikun e diversitetit kulturor të trashëgimisë jomateriale.
Në fund të këtij aktiviteti u shpërndanë edhe certifikata për pjesëmarrësit. Panairi, përgjatë tri ditëve, u ndoq nga një numër rekord vizitorësh, vendas dhe të huaj, të cilët u njohën me punimet artizanale libohovite.