Libohova Online: Një përgjigje për Roland Bejkon, kryetar i PD Gjirokastër

Për herë të dytë brenda dy vitesh, kryetari i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko sulmon portalin Libohova Online. Në një reagim të paprecedentë për një kryetar partie, që në vend të merret me elektoratin për t’i bindur pse duhet ta votojnë në zgjedhje, Bejko humbet qetësinë dhe sulmon portalet online që janë një hapësirë informimi alternative, sikundër është portali i tij Jugunews.net.

Në respekt të lexuesve tanë, sqarojmë z.Bejko dhe gjithë ata që ndoshta kanë lexuar “shpërthimin” e tij në vigjilje të kësaj fushate.

Portali Libohova Online nuk ka asnjë lidhje me portalin ArgjiroLajm.net prej të cilit thjesht huazon lajme sikundër huazohen prej portaleve të tjera dhe në çdo rast me citim poshtë. Nëse ai kërkon të bëj lidhje me patjetër se ndoshta nuk i dalin mirë llogaritë, është në të drejtën e tij të hamendësojë. Natyrisht huazojmë shkrime nga njëri-tjetri, si me shumë portale të tjera, por nuk jemi njësoj.

Sa i përket shkrimit me titull “Çdo bëjë Basha me Roland Bejkon”, është huazuar prej këtij portali dhe në fund është vendosur citimi.

Me sa kemi vënë re shkrimin në fjalë e kanë marrë portale të tjera të mëdha dhe e kanë interpretuar si kanë dashur. Por për këtë, nuk është e udhës që Roland Bejko të sulmojë faqen Libohova Online.

Megjithatë kjo është zgjedhja e tij dhe ka gjithë hapësirën të shprehet, pastaj e gjykojnë qytetarët dhe ata që na ndjekin se kush është “çerr i Rilindjes” dhe kush është “çerr i çadrës”.

Dy vite më parë, në fushatën elektorale të vitit 2015, për fat të keq kryetari i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, “motivonte” elektoratin në Libohovë duke sulmuar nëpër salla faqen Libohova Online, vetëm sepse ne kishim hapur një sondazh, rezultati i të cilit për fat të keq nuk ishte në favor të partisë së tij.

Z.Bejko, ndërsa na tregoni CV-në, shkollimin në Francë apo punën si pedagog, duhet të mësoheni edhe me faktin se jo të gjithë mund të mendojnë si ju, jo të gjithë mund të sillen si ju, jo të gjithë të bien dakord me ju. Dhe shyqyr që nuk mendojmë dot të gjithë njësoj se do na kishte marrë lumi.

E fundit, të falenderojmë për jehonën që i bën faqes tonë. Deri tani e kemi konsideruar veten një portal shumë modest, me rreth 6-7 mijë lexues në ditë. Por fakti që për herë të dytë një kryetar partie flet publikisht për ne, na bën veçse të kënaqemi e të mendojmë se nuk jemi aq fare pak të rëndësishëm.

Në këtë faqe ke patur hapësirë të mjaftueshme edhe ju edhe partia që përfaqësoni dhe sigurisht që do vazhdoni të keni, ndonëse mund të mos biem dakord për çdo gjë dhe pavarësisht “shpërthimit” tuaj pranveror.

“Republika e re” për të cilën punoni ka vend për të gjithë, edhe për ata që nuk mendojnë si ju.

Faleminderit që na lexoni 😉

Për transparencë dhe në respekt të lexuesve, më poshtë lexoni reagimin e plotë të Roland Bejkos, kryetari i PD Gjirokastër.