Libohovë, dy familje jetojnë në varfëri të madhe dhe pa drita prej tre vitesh
Në kulmin e teknologjisë, internetit dhe aparatëve smart phone, ka ende familje që nuk kanë energji elektrike e madje as televizor. Nuk bëhet fjalë për ndonjë zonë të thellë të Shqipërisë, por për në Libohovë.
Dy familje të ardhura nga fshatrat e Përmetit dhe të vendosura në Libohovë, përveç varfërisë dhe banesave gjysmë të ndërtuara, prej tre vitesh përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike. Ndonëse kanë bërë apel disa herë, kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
Këto dy familje i kanë ndërtuar shtëpitë në fushë, në një territor disi të veçuar dhe që kërkon një investim të konsiderueshëm nga OSHEE-ja. Situata është më e vështirë për familjen e Guri Rakipit, fëmijët e të cilit janë në shkollë.
Në mungesë të energjisë elektrike ata qëndrojnë me orë të tëra nën dritën e qiririt për të bërë detyrat, si dhe janë të privuar nga të pasurit e një televizori, për të mos përmenduar internetin apo lehtësi të tjera. Nëna e tyre thotë se me vështirësi u ka blerë disa prej librave shkollorë fëmijëve, pasi nuk ka të ardhura të përballojë të gjitha shpenzimet.
|Libohova Online|