Libohovë, rrugë pa emërtime dhe tabela orientuese

EmertimeShpesh në rrugët e Libohovës të ze syri ndonjë vizitor të huaj apo edhe grupe turistësh që vijnë për të parë nga afër këtë qytet. Kjo ndodh sidomos në stinën e verës. Por ndërkohë orientimi i tyre drejt pikave që mund të vizitojnë në Libohovë, është i vështirë. Mungojnë tabelat që tregojnë vendndodhjen e monumenteve kulturore. Bëhet fjalë për tabelat me ngjyrë kafe.

Por s’janë vetëm këto tabela. Rrjeti i brendshëm rrugor i Libohovës është i pa emërtuar, pa tabela orientuese. Në këtë mënyrë shpesh të huajt e kanë të vështirë të orientohen. Emërtimet e rrugëve të brendshme të Libohovës dhe vendosja e tabelave përkatëse, jo vetëm që do të orientonin të huajt, meqë shpesh herë edhe thuhet se prioritet është turizmi, por ndërkohë do të jetësonin në një farë mënyre edhe emrat e atyre personaliteteve që këshilli bashkiak do të përzgjidhte për emërtim.

Për fat të mirë Libohova nuk vuan nga mungesa e personaliteteve, por edhe nëse ishte kështu, sërish duhej gjetur një zgjidhje. Zot na ruaj, nëse kjo zgjidhje do të ishte e ngjashme me atë të Kamzës.