Lindita Nikolla ia komunikon Lindita Rovës, shkrihet Drejtoria Arsimore Gjirokastër

Gjatë një takimi në Gjirokastër, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla informoi mbi shkrirjen e 13 Drejtorive Rajonale të Arsimit teksa apeloi mësuesit që të qëndrojnë larg derës së politikës për një vend pune.

 Nikolla në reagimin e parë për vlerësimin e punës së Drejtorëve të shkollave të sistemit parauniversitar përmes mësuesve, deklaroi se në rast se do të ketë shkarkime, referencë do të jetë vetëm ligji.

 Rezultatet e vlerësimit të mësuesve do të vendosin fatin e drejtorëve të shkollave të sistemit parauniversitar.

“Nëse ka shkarkime është ligji që gjithmonë është referenca dhe vetëm ligji do të jetë referenca momentin që flasim. Vitet në vijim është miratuar projekti i MAS dhe do të standartizojmë shkollën e drejtorëve. Do të kemi katër Drejtori të sigurimit të cilësisë në katër rajone të vendit, që janë rajone zhvillimore jo thjesht të para në kuptimin gjeografik. Dhe patjetër, ne, në 61 bashki do të kemi Zyrat Arsimo”, tha Nikolla.

Duke iu referuar rasteve të korrupsionit dhe abuzimeve me punësimin e mësuesve të denoncuara në media, Ministrja Nikolla kishte një mesazh direkt për politikën.

Refuzoni të dashur kolegë këdo që ju tregon derën e kryetarit të partisë, pra edhe të PS, si një derë që krijon mundësinë e hatërllëqeve, nepotizmave apo korrupsionit për punësimin tuaj. Keni vetëm një derë që varet nga merita juaj dhe ai është portali “Mësues për Shqipërinë”, u shpreh ministrja e Arsimit.

Ministrja e Arsimit bashkë me atë të kulturës, Mirela Kumbaro, ishin në Gjirokastër për të prezantuar dy projekte bashkëpunimi mes dy dikastereve të lidhura ngushtë me binomin arsim dhe kulturë.