Lista e Gjirokastrës, pse Basha e la jashtë Altin Çomon

Ish-kryetari i Partisë Demokratikë në Gjirokastër dhe ish-kryebashkiaku i Libohovës, Altin Çomo nuk është përfshirë në listat e kandidatëve për deputëtë. Ndonëse ai ka pretenduar vazhdimisht për të qenë kandidat dhe ka lobuar për këtë tek kryetari Basha përmes Presidentit Bujar Nishani, por dhe personalisht, PD ka zyrtarizuar të tjerë emra për Gjirokastrën.

Lista kryesohet nga Tritan Shehu, i cili ishte i deleguar nga PD për Gjirokastrën dhe Libohovën gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2015, dy bashki këto që nuk u fituan dot prej PD-së. Altin Çomo mori drejtimin e Bashkisë Libohovë në vitin 2007 deri në vitin 2015, kur humbi përballë Luiza Mandit e mbështetur nga PS-LSI. Ai ka drejtuar Partinë Demokratike në Gjirokastër për rreth 5 vite, por rezultatet elektorale të demokratëve kanë ardhur duke u ulur.

Kulmi ishte në zgjedhjet e vitit 2013 kur PD mori vetëm një mandat deputeti në këtë qark. Dy vite më vonë Altin Çomo humbi edhe Bashkinë Libohovë, në të cilën kandidonte për një mandat të tretë. Ndoshta kjo performancë e tij në rezultatet elektorale ka ndikuar që ai të mos ishte pjesë e listës së Bashës.

Tre emra të tjerë tek lista e Gjirokastrës janë Roland Bejko, Kosta Barka dhe Besnik Aliaj. Çuditërisht PD nuk ka një kandidat të pestë për qarkun.

/ArgjiroLajm.net/