LSI ‘mbush’ Gjirokastrën me një lajm të rremë: Do jemi në Qeverinë e ardhshme me PD-në

Në ditët e fundit të fushatës elektorale, LSI në Gjirokastër ka luajtur edhe ‘kartën’ e fundit për të marrë mbështetje me votë në 25 qershor, ose se paku për të ruajtur ato votues që ka punësuar në administratë, të cilët janë të frikësuar për atë që do të ndodhë pas 25 qershorit.

Siç mëson ArgjiroLajm.net drejtues të LSI-së në Gjirokastër, por edhe aktivistë të fushatës që dalin në terren, ndër të tjera japin edhe këtë lajm: “Qeveria e ardhshme do të jetë PD-LSI, është arritur marrëveshja”. Ky lajm i rremë ka nisur të përhapet me shpejtësi në Gjirokastër dhe zonat përreth, në një përpjekje që kjo parti të ruajë votat e zgjedhjeve të fundit, por edhe të fitojë akoma më shumë terren.

Në fakt, ajo që dihet me siguri për pas 25 qershorin, është se LSI nuk do të jetë më në pushtet. I vetmi koalicion i mundshëm është ai mes PS-së dhe PD-së.

Por përhapja e këtij lajmi të rremë është një tentativë për të ‘qetësuar’ të punësuar në shtet prej LSI-së, por edhe për të mikluar elektoralin në përgjithësi. Burimet thonë se pas marrëveshjes Rama-Basha, shumë prej votuesve të LSI-së janë duke ‘dezertuar’ drejt PD-së apo PS-së.

/ArgjiroLajm.net/