Prapaskenat në Dropull, LSI merr Këshillin Bashkiak me një anëtar të PS-së

DropulliBashkia Dropull është e para njësi e re vendore e Qarkut Gjirokastër që u konstituua, ndërsa brenda kësaj jave pritet konstituimi edhe i bashkive të tjera. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u zgjodh kryetar, Panajot Lula.

Edhe pse LSI kishte shumicën e anëtarëve, çuditërisht ata propozuan një këshilltar të zgjedhur nën siglën e PS-së. Panajot Lula ka qenë ish-kryetar i Komunës së Dropullit të Sipërm, i zgjedhur nga PS-ja. Edhe në zgjedhjet e fundit, ai kandidonte si këshilltar nën logon e PS-së, por faktikisht ishte përjashtuar nga fushata, pasi de facto bënte fushatë për LSI-në.

Tani që LSI siguroi shumicën e anëtarëve, e “shpërbleu” Lulën me postin e Kryetarit të Këshillit. Ai është gjithashtu edhe përfaqësues i Dropullit në Këshillin e Qarkut Gjirokastër. Por kandidatura e Lulës nuk kaloi pa kundërshti. Këshilltarët e PS-së ishin kundër zgjedhjes së tij në këtë post, për shkak edhe të moshës, duke qenë se Lula është në prag pensioni. Mirela Leka Çabeli, kryesuesja e këshilltarëve të PS-së në Dropull, është shprehur se nuk është normale që paratë e taksapaguesve të Dropullit të shkojnë për një kryetar që del në pension pas një viti. Sipas saj në Këshill duhej zgjedhur një kryetar i ri. Edhe këshilltarët e PD-së ishin kundër zedhjes së Lulës.

Megjithatë ai arriti të merrte shumicën e votave. Përveç kryetarit, LSI-ja ka edhe postin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Dropullit. Zgjedhjet lokale të 21 qershorit prodhuan rezultate deri diku të çuditshme dhe Dropulli është një prej njësive vendore që e ilustron më së miri diçka të tillë. Kryetari i Bashkisë Dropull është zedhur nga PD-ja, kryetari i Këshillit u zgjodh nga PS-ja si propozim i LSI-së, por faktikisht pa konsensus nga anëtarët e tjerë të PS-së. Dropulli është një nga 61 bashkitë e reja të krijuara pas reformës territoriale.