LSI në hall të madh, Tavo nis sulmet me televizionin e tij kundër Kumbaros (VIDEO)

Përplasja PS-LSI në Gjirokastër vazhdon dhe me ç’duket do të intensifikohet më shumë në ditët e ardhshme. Ndërsa mbrëmë Mirela Kumbaro iu përgjigj akuzave të Vangjel Tavos, duke i kërkuar që të përballemi me punët që kemi bërë këto 4 vite dhe jo me familjet, sot televizioni i kontrolluar prej deputetit të LSI-së në Gjirokastër sulmon sërish ministren e Kulturës.

Alpo Televizion e nis edicionin informativ me një kronikë “fletërrufe” kundër Mirela Kumbaros, e cila tre ditë më parë ishte në Antigone, prej ku njoftoi rihapjen e Qendrës së Artizanatit falë një programi mbështetës prej Ministrisë së Kulturës. Kjo qendër u çel rreth 10 vjet më parë me mbështetjen e një fondacioni norvegjez dhe pas disa vitesh ndërprerje, u rihap sërish nga Ministria e Kulturës, me synimin për t’u kthyer në një ekonomi ndihmëse për rreth 30 gra e vajza.

Por sot Alpo Tv kishte konstatuar se qendra ishte e mbyllur dhe kaq mjaftoi që ta shpallnin këtë projekt “fasadë elektorale” e madje të raportonin se kishin zbuluar bllofin e Mirela Kumbaros.

Libohova Online kontaktoi me Ylli Muhon, ish-kryetar i Komunës Antigone dhe një prej iniciatorëve e mbështetësve të hapjes së kësaj qendre. Sipas tij Qendra e Artizanatit nuk është hapur prej dy ditësh për shkak të një fatkeqësie që ka ndodhur në fshatin Asim Zeneli, ku një i ri ka ndërruar jetë pas rrëzimit nga skela në Greqi. Në shenjë solidariteti dhe për të përcjellë sipas nderimeve të riun, gratë e fshatit nuk mund të shkonin të punon tek qendra, u shpreh ndër të tjera Ylli Muho.

Pas marrëveshjes Rama-Basha, e cila “fundos” LSI-në dhe partitë e tjera të vogla të vendit, vihet re një nervozizëm sidomos në radhët e drejtuesve të partisë së Ilir Metës. Këtij nervozizmi nuk i ka shpëtuar as Vangjel Tavo. Një ditë më parë ai sulmoi sërish Mirela Kumbaron nga studio e Vizion Plus. LSI në Gjirokastër synon të marrë dy deputetë, por pas kësaj marrëveshje Tavo mund të ketë të rrezikuar edhe mandatin e tij.

Pas 25 qershorit Rama duket i vendosur për të formuar një qeveri pa LSI-në. Shihni më poshtë kronikën “fletërrufe” të Alpo Televizion.

/Libohova Online/