Luigi Soreca vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës

Në përfundim të detyrës në Shqipëri, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës. Ceremonia për dorëzimin e titullit u zhvillua sot në kalanë e Gjirokastrës.

Mes të pranishmëve ishin edhe ministrat Çuçi e Kumbaro. Kryebashkiaku Flamur Golemi tha gjatë fjalës së tij se vlerësimi për ambasadorin është domethënës dhe plotësisht i merituar. Motivacioni për dhënien e këtij titulli është:

“Mik i shtrenjtë i Gjirokastrës dhe Shqipërisë, i cili me përkushtim, dashuri e angazhim konkret, frymëzoi, ideoi dhe mbështeti projekte europiane që promovojnë zhvillimin e turizmit, kulturës dhe shoqërisë civile”.

Luigi Soreca nis në muajin prill një tjetër detyrë në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm. Ai do të jetë i Dërguar i Posaçëm i Komisionit Evropian në Itali për nisjen e procesit të zhvendosjes së refugjatëve.