Luiza Mandi: Mirënjohje për sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve të Brigadës së 8-të Sulmuese në Zagorie

Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi mori pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 73-vjetorit të krijimit të Brigadës së 8-të Sulmuese në Sheper të Zagories. Në faqen e saj në Facebook, ajo ka postuar fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, si dhe disa foto nga takimi. Më poshtë fjala e plotë e kryebashkiaekes Luiza Mandi.
E nderuar zonja ministre,
I nderuar kryetar i Këshillit të Qarkut
Të nderuar banorë të Zagories, familjarë të dëshmorëve, miq dhe të ftuar,
Jemi mbledhur këtu sot për të përkujtuar një ngjarje të rëndësishme jo vetëm në historinë e kësaj krahine, por të krejt Luftës Antifashiste Nacional Clirimtare . 73-vjetori i formimit të Brigadës së 8-të Sulmuese këtu në Sheper është një nga faqet më të ndritura në historinë e kësaj lufte që e renditi Shqipërinë në kampin e fitimtarëve dhe na çliroi nga okupatori. Ne sot përkulemi me respekt përpara 148 dëshmorëve të kësaj brigade, që ranë në luftime kundër armikut, përkulemi përpara 167 të plagosurve, mes tyre edhe vajza, që u përballën me okupatorët nazistë.
Ndonëse në lapidarin përkujtimor të ngritur për dëshmorët janë të gjithë emrat e tyre, unë dua të përmend në shenjë mirënjohje disa prej njerëzve që drejtuan Brigadën e 8-të Sulmuese dhe çuan përpara guximin e vendosmërinë për t’u përballur me okupatorët. Është komandant Asaf Dragoti, zv.komandant Koço Gjeci, komisar Qazim Kondi dhe zv.komisar Rrahman Parllaku.
Fillimisht, Brigada e 8-të Sulmuese e nisi operacionin kundër armikut në mbrojtje të delegatëve dhe mjediseve ku po përgatitej Kongresi Historik i Përmetit, duke zënë pozicione luftimi nga Ura e Dragodit, Lunxheria, Gryka e Çajupit, Gryka e Salckës, Pogoni, Dhembeli, Nemeçka e deri në fshatrat e Përmetit.
Në sajë të kontributit të kësaj brigade, Kongresi i Përmetit ku u morën vendime të rëndësishme për kohën, i zhvilloi punimet qetësisht. Siç të gjithë e dimë Operacioni i Qershorit 1944 ishte prova më e vështirë e kësaj brigade, ndërsa më pas ajo u angazhua në aksione të tjera si ai për çlirimin e Konispolit, Lushnjes, Elbasanit dhe Tiranës.
Pas çlirimit të Tiranës, Brigada e 8-të Sulmuese, me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm marshoi së bashku me forcat e Brigadës së 6-të në tokat e ish-Jugosllavisë, në ndjekje të pushtuesit.
Partizanët e trevave atdhetare të jugut , të grupuar në Brigadën e 8-të Sulmuese, shkruan me gjakun e tyre histori lavdie gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Emrat e dëshmorëve të kësaj brigade, janë shkruar me shkronja të arta në panteonin e kombit shqiptar.
Ne të gjithë bashkë jemi sot krenarë për sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve të kësaj brigade. Në këtë pëvjetor shpreh bindjen dhe kam besim se ëndrrat, idealet dhe gjaku i dëshmorëve të kësaj brigade do të respektohen ndër breza. Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të Brigadës së 8-të Sulmuese.