Luiza Mandi takim me banorë të Zagories: Ndërtimi i rrugës prioritet i imi si kryebashkiake

Luiza MandiKandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë Lihovë, Luiza Mandi, është rikthyer sërish për takime elektorale me banorë të fshatrave të Zagories. Gjatë bisedës me ta ajo ka kërkuar mbështetje me votë në 21 qershor, ndërsa është angazhuar që gjatë punës së saj si kryebashkiake, ndërtimi i rrugës që të çon në Zagorie do të jetë prioritet. Mandi është ndalur edhe te zhvillimi i turizmit, pasi Zagoria i ka të gjitha resurset natyrore dhe kulturore për të qenë një destinacion turistik i rëndësishëm në jug të vendit. Më poshtë shënimi i saj në Facebook për këtë takim.

“Kthehem nga Zagoria pas të tjera takimeve të shumta me banorë të fshatrave të kësaj krahine. Biseda te hapura dhe angazhime konkrete përballë tyre, në mënyrë që kjo krahinë e bekuar nga natyra të mos jetë më si e lënë mënjanë. Investimi për rrugën që të çon në Zagorie do të jetë një nga prioritetet e mia si kryebashkiake. Zagoria ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit dhe ne do të bëjmë gjithçka duhet që ajo të kthehet në një destinacion turistik. Edhe njëherë gjej rastin t’i falenderoj për mbështetjen. Bashkë do të arrijmë një fitore të madhe dhe të merituar”- shkruan Mandi.