Mandi: Na pret një fitore historike. Do të krijoj këshill konsultativ me të rinjtë

Luiza-Mandi-283x300Kandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë Libohovë, Luiza Mandi, njofton se pasi të zgjidhet si kryebashkiake do të formojë një këshill konsultativ me të rinj, të cilët do të asistojnë në qeverisjen e ardhshme të Libohovës.

“Dua të ndaj me ju edhe angazhimin personal, për të krijuar një një këshill konsultativ me të rinj, të cilët do të asistojnë në qeverisjen e ardhshme të Libohovës. Fryma dhe vizioni i tyre i duhet më shumë se kurrë projektit tonë për një Libohovë më të mirë. Padiskutim që ky grupim nuk e dublon aspak Këshillin Bashkiak të Libohovës dhe as e mënjanon punën e tij. Nuk duhet kuptuar as si strukturë paralele, por thjesht një këshill konsultativ me të rinj nga e gjitha zona, që duan të jenë pjesë e sfidës sonë të përbashkët për transformimin e Libohovës. Unë besoj te rinia, vizioni dhe frymëzimi që ata kanë për të sjellë ndryshime të mëdha”- shkruan Mandi.

Më tej ajo ka inkurajuar mbështetësit e saj në rrjetin social Facebook, për të fitoren e 21 qershorit, që siç ajo thotë, është një fitore historike dhe e merituar.

“Na ndajnë edhe pak ditë nga fitorja historike dhe plotësisht e merituar. Kemi mbërritur deri këtu me një fushatë model sepse modeli ynë nuk është as i përbaltjes e as i dasive mes njerëzve, por i bashkëpunimit dhe besimit reciprok. Ne jemi modeli që frymëzojmë të ardhmen dhe perspektivën e Libohovës, por më shumë sesa me fjalë këtë do ta tregojmë pasi të nisim qeverisjen e Libohovës dhe të vëmë në zbatim planin tonë transformues për të gjithë këtë zonë”- nënvizon Mandi.

Një ditë më parë, Mandi u njoh me propozimet e të rinjve që iu bashkuan nismës së saj “Si e dua Libohovën”.