Matura Shtetërore, ja kur nis plotësimi i Formularit A1Z

matura2014-provimetMinistria e Arsimit dhe Sporteve ka bërë publike datat se kur do të nis plotësimi i Formularit A1Z. Duke nisur nga data 3-6 maj 2016 të gjithë maturantët e interesuar mund të kryejnë aplikimet e tyre në Portalin Matura Shtetërore 2016, sipas kalendarit të mëposhtëm, të publikuar nga AKP.

Të gjithë ata kandidatë, që kanë mbaruar Maturën Shtetërore përpara vitit 2016 dhe nuk kanë asnjë detyrim për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore dhe që dëshirojnë të aplikojnë më pas në programet e studimit në IAL publike apo private, duhet të plotësojnë Formularin A1Z online.

Qëllimi i këtij formulari është plotësimi i databazës së të dhënave të kandidatëve, që më pas do të aplikojnë për pranim në Institucionet e Arsimit të Lartë (publike dhe private) për vitin akademik 2016-2017. Aplikimi i kandidatëve për programet përkatëse të studimit do të kryhet në një periudhë që do të përcaktohet në vijim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Plotësimi online i Formularit A1Z, për kandidatët e sipërpërmendur, bëhet në shkollat ku ata kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.

Procesi i plotësimit të Formularit A1Z do të ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Përfaqësuesit e shkollës marrin kontaktet e kandidatit për ta njoftuar më vonë për paraqitjen në shkollë për futjen e të dhënave shkollore të tre viteve të arsimit të mesëm.