Mbyllet pas 14 vitesh televizioni Albanian Screen i Rezart Taçit
Një tjetër kompani e biznesmenit Rezart Taçi duket se po shkon drejt falimentimit. Televizioni Albanian Screen që transmetonte per së paku 14 vitesh është në ditët e tij të fundit për shkak të largimit masiv të punonjësve.
Stafi nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për mbyllje apo falimentim, por ata individualisht ata kanë pranuar të marrin 2 nga 3 rrogat e prapambetura dhe të largohen. Porsa i përket rrogës së tretë u është thënë se do të likuidohet brenda këtij muaji. Burime nga stafi i “AS” thanë se çdo ditë largohen punonjës duke bërë të pamundur transmetimin e programit dhe lajmeve.
I vetmi edicion lajmesh është ai i orës 15.00 që ritransmetohet edhe në mbrëmje. Porsa i përket programacionit vazhdojnë të ritransmetohen programe të blera më parë. Janë mbi 120 punonjës që do të detyrohen të gjejnë një punë tjetër. Pronari i televizionit, familja e Rezart Taçit, ka tentuar disa herë ta shesë, por nuk ia ka dalë për shkak të borxheve të akumuluara. Nuk dihet vazhdimi dhe nëse ai do të shpallë falimentimin apo do të vijojë të mbajë të hapur ekranin me ritransmetime. Albanian Screen e morik këtë emër pas blerjes nga Rezart Taçi të televizionit ALSAT të biznesmenit Vehbi Veliaj.