Merrnin lekë për të lejuar kalimin në zonën Shengen, pranga policëve të Kakavijës

KakavijeShërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është vënë në lëvizje dhe nisi hetimet menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin “Fiks Fare”, në Top Channel, ku shfaqen 3 shtetas që denoncojnë një aferë, ku dyshohet se janë të implikuar edhe punonjës policie.

SHÇBA-ja ka vërtetuar dhe dokumentuar ligjërisht se punonjësit e Policisë Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të kryer nga persona të cilët ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 25 të Kodit Penal.

Kontrollori Ylli Hoxha dhe përgjegjësja e turnit Veziko Bejko, me detyrë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, Gjirokastër, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash në këmbim të lejimit të kalimit të paligjshëm të kufirit të 3 shtetasve drejt Greqisë, pasi këta të fundit kishin mangësi në dokumentacion për të udhëtuar në zonën Shengen.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, e cila urdhëroi ndalimin e 2 punonjësve të policisë. Sot, në orën 17:00, u bë ekzekutimi i 2 urdhrave të ndalimit për efektivët e sipërpërmendur.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka përjashtuar punonjësit Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, për shkelje të rëndë të detyrës.

“Ministria e Punëve të Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për investigimin dhe pamjet e trasmetuara, duke ‎e konsideruar këtë rast, bashkë me denoncimet e tjera të medias, një shembull mjaft të mirë të përpjekjes sonë të përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me detyrën nga zyrtarë dhe punonjës të policisë. MPB fton qytetarët dhe median të vijojnë të denoncojnë në çdo mënyrë të mundshme, të gjitha rastet kur punonjës të Policisë së Shtetit, abuzojnë me detyrën ose korruptohen,” thuhet në njoftim zyrtar.