Mesazhi dhe albumi fotografik, Kumbaro tregon ç’e lidh me Libohovën (FOTO)
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka postuar në faqen e saj në Facebook një album me foto nga Libohova, për të treguar atë që ajo e cilëson si simbiozën e saj me Libohovën.
Kumbaro kujton shtëpinë e familjes së madhe, ku lindën gjyshërit dhe babai i saj e ku vetë ajo ka kaluar gjithë beharet e fëmijërisë dhe adoleshencës.
“Nuk besoj se jam e vetmja që e lidh veten me elemente identitarë që kujtdo mund t’i duken pa rëndësi por që secilit nga ne i flasin aq shumë dhe i kujtojnë jetën që nuk ç’bëhet edhe sikur gjithçka të ribëhet. Kjo është simbioza ime me Libohovën, qyteti ku lindën gjyshërit e mi, im atë, ku unë kam kaluar gjithë beharet e fëmijërisë dhe adoleshencës time, ku kthehem e rikthehem çdo vit në shtëpinë e familjes së madhe, për t’u takuar me një tufë lule me gjyshen time mitike, të cilës i shkëlqejnë sytë blu edhe në foton bardhë e zi të gurit të varrit, me shifon të zi mbi ballë, duke më treguar, me një talent të lindur prej gruaje të fortë e delikate të Jugut, fundin e filxhanit dhe vetëm ato ëndrra që unë dua të dëgjoj”, shkruan Kumbaro, teksa mesazhin e shoqëron me disa foto nga Libohova, realizuar prej fotografit Adnan Beci.
/Libohova Online/