Meshë katolike në Kishën e Labovës, reagon ashpër Janullatos: Shkelje e ligjeve në prani të drejtoreshës së Monumenteve

Një ditë më parë në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës njoftohej për përfundimin thuajse komplet të punimeve në Kishën e Shën Marias në Labovën e Kryqit. Gjithashtu shkruhej se “gjatë punës inspektuese të punimeve, specialistëve të restaurimit iu bashkuan edhe një grup turistësh nga Italia, të cilët mbajtën edhe meshën e parë, ende pa përfunduar plotësisht restaurimi i Kishës”.

Por kjo ngjarje nuk është pritur mirë nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Përmes një deklarate pë mediat KOASH shpreh pakënaqësinë që priftërinj katolikë nga Italia zhvillojnë meshë në kishën ortodokse të Labovës, pa marrë më parë lejen përkatëse dhe duke shkelur hapur ligjin.

 

Më poshtë deklarata e plotë e KOASH.

 

Me habi dhe keqardhje pamë në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, në Facebook, tri priftërinj katolikë nga Italia, së bashku me një grup turistësh italianë, të kryenin “meshën e parë” në Kishën Orthodhokse të Labovës së Kryqit, një monument i famshëm bizantin. Në këtë ngjarje ishte e pranishme drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani dhe persona të tjerë, ndërkohë që ende vazhdojnë të kryhen punime plotësuese për restaurimin e këtij monumenti. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk pati asnjë dijeni rreth kësaj ngjarjeje. Protestojmë për këtë shkelje të re të Ligjit 10057 dt. 22.1.2009, neni 23, paragrafi 2: “Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”. Gjithashtu është një fakt i pranuar ndërkombëtarisht se shteti nuk ka kompetencë të japë lejë në mënyrë arbitrare tek Kisha apo Fe të tjera, që të përdorin një objekt orthodhoks kulti. Iniciativa të tilla të papërgjegjshme janë shkelje e hapur e lirisë fetare dhe cenojnë bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk do të reshtë kurrë së theksuari të drejtat e saj, siç ato përcaktohen qartë nga Ligji 10057, neni 22, paragr.2: “Shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit orthodhoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjtë, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Sekretaria e Sinodit të Shenjtë