Meta dekoron Avni Rustemin me dekoratën e Flamurit Kombëtar: Asgjësimi i armikut të brendshëm, detyrë patriotike

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, nderi më i lartë i Republikës, Heroin e Popullit, Avni Rustemi. Vlerësimi vjen në 125 vjetorin e lindjes së tij, ku përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit shpreh mirënjohje të thellë për aktin e tij patriotik. Prej gati 30 vitesh Avni Rustemi nuk ka marrë asnjë dekoratë nga shteti shqiptar.

“Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës” shkruan Meta në postimin e tij.

Postimi

Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës. Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.