Mirela Kumbaro bën reagimin e parë pas zëvendësimit nga Rama: Largohem e lumtur për gjithë punët e mira që bëmë dhe e bindur se ekipi që ngrita do të jetë sërish fitues me ministren Elva Margariti

Mirela Kumbaro, ministrja e Kulturës në detyrë, ka bërë reagimin e parë pasi kryeministri Edi Rama e zëvendësoi në këtë detyrë me Elva Margaritin në kuadër të ndryshimeve që iu bënë kabinetit qeveritar. Ajo i është drejtuar me një mesazh për fundvitin gjithë stafit të Ministrisë së Kulturës, institucion që e drejtori prej 5 vitesh, duke thyer kështu edhe rekordin si Ministri i Kulturës më jetëgjatë në këto 28 vite demokraci. Kumbaro përmend disa prej arritjeve në këto pesë vite, si dhe thotë se ministrja re, plot energji pozitive dhe kreativitet, do të shpjerë përpara projeket e Ministrisë së Kulturës. Më poshtë mesazhi i saj i plotë.

Të dashur miq dhe kolegë,

Nuk shkon pa emocion ky mesazh, i fundit për këtë vit, por edhe i fundit si ministre e Ministrisë më të bukur, më sfiduese dhe më emocionuese!

5 vite rresht, e kemi nisur vitin bashkë, me shumë projekte, me shumë nisma e programe që 5 vjet më parë as do t’i kishim menduar se mund t’i realizonim. Që nga reformat e para e vizita historike e Papa Françeskut – meritë e jashtëzakonshme e Ministrisë sonë, duke mos harruar ArgjiroFest_ON, 5 muze të rinj, 4 kantieret teatrorë, disa qindra monumente të restauruara, kalendarë kulturorë fantastikë, levizja per Leximin. e shumë të tjera që s’do na dalë ndonjëherë koha t’i numërojmë. Por mbi të gjitha, NE ndërtuam një ekip! Një skuadër që e gjeta falë Jush, e pasuruam me Ju, e forcuam Bashkë, dhe i dhamë emrin më të bukur në botë “Ministria e Kulturës”.

5 vjet në krye të kësaj skuadre, që i quaj një fat të jashtëzakonshëm në jetë, ku u përpoqa të jap sa munda, dhe ku ndërtuam gjithë ç’mundëm, duken për nga intensiteti i ngjarjeve dhe i punëve shumë më tepër. Jam shumë e nderuar dhe e privilegjuar, që më besuat dhe punuat me mua, që më dhatë energji dhe afeksion, por edhe që më vutë në provë e më dhatë mundësi të bindeshim se vetëm bashkë mund t’ia dalim.

Jam e qetë dhe e lumtur sot, që ngritëm një sistem të qendrueshëm në politikat kulturore, e në programe që tashmë e kaluan sprovën dhe kanë garantuar suksesin si ai i Edukimit Përmes Kulturës, Rruget e Kujteses, Programet e Librit, Diplomacia Kulturore, Reforma ne Trashegimi Kulturore etj.

Jam entuziaste që sfiduam vetëveten duke i ofruar vendit 2 ligje bashkëkohore dinjitoze si ai i të Drejtave të Autorit dhe i Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve, dhe qe ndërmorëm aq shumë iniciativa të tjera ligjore që ju do t’i vijoni.
Por e di mirë se mbeten shumë gjëra për t’u bërë ende, për t’u bërë më mirë, për t’u bërë më shumë, dhe për t’u thelluar, përshpejtuar a korrigjuar, qoftë në reforma institucionale, në Trashëgimi Kulturore apo në Art e Kulturë.
Para se të mbyllet ky vit, dua t’ju them se:

Unë ju jam mirënjohëse me mendje e me zemër për çdo sekondë që i keni dhënë skuadrës, për çdo buzëqeshje që më keni dhënë mua, për çdo talent që e keni vënë në shërbim të punëve. Unë ju kërkoj ndjesë për çdo keqkuptim, dhe moment tensioni dhe emocioni, që veç punës i kanë shërbyer, dhe më të afërt na kanë bërë.

Raporti ynë hierarkik ka qenë mjaft atipik dhe mbase i pazakontë, besoj unë, por i vërtetë ka qenë pa dyshim. Kjo është pak por e sigurtë. Ministër nuk do të jem më përtej janarit, por mikja juaj dhe derë e hapur për secilin prej jush do të jem përherë. E lumtur që largohem nga kjo zyrë duke marrë kaq shumë miq me vete. Jam e sigurtë dhe e bindur se Skuadra jonë e bukur do të jetë sërish fituese edhe me Ministren Elva Margariti, e cila do të jetë një ministre krijuese, plot energji pozitive dhe që falë jush do të udhëheqë punët e kulturës me vizionin e të ardhmes, e do t’i shpjerë përpara projektet e nisura dhe projektet që do të nisni.

Jua dëshiroj të bukura shumë këto orë të fundit të këtij viti. Ju uroj me zemër një Vit të Ri fantastik, dhe me dëshira të realizuara për Fëmijët tuaj, me mbarësi në Familjet tuaja se Familja është çka më të shtrenjtë kemi.

Juaja
thjesht, Mirela