Mirela Leka Çabeli, nga suksesi në biznes drejt suksesit në politikë

11426466_1446148509020181_1943031029_nZgjedhjet lokale të 21 qershorit do të mbahen mend për dy gjëra. Së pari sepse zhvillohen me një ndarje të re administrative dhe së dyti sepse kurrë më parë s’ka pasur kaq shumë gra e vajza nëpër listat e partive. Gra që garojnë për t’u bërë kryebashkiake apo për të zënë një vend në këshillat e njësive të reja vendore. Një prej tyre është edhe Mirela Leka Çabeli, e cila garon për një vend në Këshillin Bashkiak të Dropullit. Prej gati dy dekadash punë në biznesin e saj, Mirela ka arritur të skalitë profilin e gruas së suksesshme në sipërmarrjen private, profil që sot më shumë se kurrë i duhet edhe strukturave të qeverisjes vendore, për t’i dhënë një tjetër dimension vendimarrjes publike.

Ajo kryeson listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak të Dropullit. Në përgjithësi jemi mësuar që të shohim vetëm kandidatët për kryetar bashkie që bëjnë fushatë intensive dhe jo kandidatët për këshill. Por ky nuk është rasti i Mirelës. Ajo është pothuajse përditë në terren, në çdo shtëpi në Dropull, për të dëgjuar çdo zë dhe për të shtrënguar çdo dorë. Kërkon besimin e të gjithëve. Në vitin e largët 1996, kur Shqipëria po rrëshqiste drejt destabilitetit dhe rrënimit të shtetit, Mirela Leka Çabeli nisi një sipërmarrje të vogël private, një dyqan ku tregtohej kafe. Vit pas viti, falë përkushtimin dhe shpirtit sipërmarrës të saj, ky biznes u rrit dhe sot është një markë e njohur në Gjirokastër, gjithë rajonin jugor e madje deri përtej kufijve të Shqipërisë.

Fillimisht ka përfunduar studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Greke në vitin 1999, për të vijuar më pas me të tjera studime në Ekonomi, dega Administrim Publik. Aktualisht ndjek studimet e ciklit të dytë, Master për Aministrim Publik në Tiranë. Me orgigjinë nga Goranxia, por lindur e rritur në Vanistër, Mirela e ka nisur angazhimin e saj politik rreth 10 vjet më parë, në strukturat e Partisë Socialiste në Dropull. Konkretisht ajo ka drejtuar degën e PS-së në Vanistër. Falë aftësive të saj organizative dhe komunikuese, arriti që në zgjedhjet e parlamentare të vitit 2013, PS-ja të dilte forcë e parë në Vanistër. Bonuset për këtë rezultat natyrisht që i shkonin asaj. Për shkak të aftësive komunikuese dhe reputacionit të mirë që gëzon në shoqëri, Mirela arrin të marrë vota edhe përtej elektoratit besnik të PS-së.
Në një shoqëri e si e jona, e cila akoma nuk ka gjetur ekuilibrin e duhur, në një terren me shumë të panjohura është e vështirë për cilindo që përfaqëson një model ndryshe, pavarësisht gjinisë që ka, të vendosë pa dilema për t’u angazhuar në politikë. E megjithatë Mirela ka vendosur të angazhohet. Si bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar e dy fëmijëve binjakë, ajo kërkon t’i japë vetes një sfidë tjetër dhe qytetarëve një arsye më shumë për të besuar te forca e femrës.

Si gjithçka në jetë dhe angazhimi në politikë e vendimarrjen lokale, ka sfida e vështirësi, por ka dhe mundësi e shanse për të kontribuar pozitivisht, për të punuar ndershmërisht për një Shqipëri më të mirë, për një Dropull më me perspektivë, për të thënë nesër që unë isha aty, nuk u fsheha, nuk fola për problemet e vendit tim vetëm në kafene apo në floktore, nuk u tremba nga të panjohurat, nuk mendova vetëm për familjen time, por, ofrova talentin, sinqeritetin, përkushtimin, butësinë, këmbënguljen, ngrita zërin dhe thashë të vërtetat, u përballa me burrat, por dhe bashkëpunova me ta, bëra të gjitha përpjekjet që Shqipëria e fëmijve tanë të jetë më e mirë se e jona, që Dropulli i fëmijëve tanë të jetë më i mirë se i joni.

Ditët më të mira në jetë nuk janë ato që kemi kaluar, ditët më të mira janë përpara nesh. Këtu buron frymëzimi i Mirelës për sfidën e saj të radhës. Gratë nuk janë, nuk kanë sesi të jenë thjesht një numër- diçka më shumë apo më pak se gjysma e popullsisë. Çdo grua e ka vullnetin përgatitjen e kurajon që, ashtu siç rrit me përkushtimin maksimal fëmijët e saj, me të njëjtin përkushtim të kontribuojë në jetën politike në vend. Me siguri që nga kjo premisë është nisur edhe Mirela e shumë gra të tjera që garojnë në këto zgjedhje. Një demokraci e mirë është jo thjesht një demokraci, ku gratë kanë të drejtë të zgjedhin, por edhe të zgjidhen.