Mori pjesë në fushatë, nis procedimi disiplinor për drejtorin e shkollës së Nepravishtës
Për shkak se kanë marrë pjesë në fushatë zgjedhore ministria e Arsimit dhe Sportit ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për 10 drejtues arsimorë. Mes tyre është edhe drejtori i shkollës së Nepravishtës, Kujtim Mushi.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, po vijon monitorimet në të gjithë vendin pranë drejtorive rajonale arsimore dhe zyrave arsimore si dhe në institucionet e tjera të varësisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkon nga të gjithë punonjësit e administratës arsimore të vijojnë të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat dhe veprimtaritë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.