Moti i keq, ende zona malore të bllokuara në qarkun Gjirokastër

Reshjet e shiut dhe dëborës gjatë 24 orëve të fundit kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në shumë zona të vendit. Lumenjtë gjithashtu kanë rritur prurjet. Sa i përket qarkut Gjirokastër, situata është kjo

Të gjitha akset rrugore kombëtare të qarkut Gjirokastër në administrim të ARRSH janë të kalueshme dhe nuk paraqesin probleme. Firmat kontraktuese janë në gatishmëri.

Në Bashkinë Përmet janë ende të bllokuara rrugët që lidhin Nj.Administrative Frashër me fshatrat Miçan, Vërçisht, Ogren, Zavalan. Po punohet me mjete për pastrimin e këtyre rrugëve.

Rruga Këlcyrë – Malëshovë dhe Malëshovë – Leskaj – Limar vazhdon e bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës. Po kështu edhe rruga e fshatit Mezhgoran në Nj.Administrative Qendër në Bashkinë Tepelenë.

Ndërkohë për shkak të reshjeve të dendura, prurjet në shtratin e lumit Vjosa janë rritur ndjeshëm.