Moti i keq, ndërprerje energjie në disa zona. Ja numri ku mund të raportoni problemet

Energjia Libohove GjirokasterRikthimi i motit të keq jo vetëm me reshje shiu por edhe dëbore, ka sjellë probleme sa i përket furnizimit me energjinë elektrike, megjithatë të prekura janë vetëm zonat rurale ku terreni është i vështirë.

18 fidera janë stakuar gjatë natës si pasojë e përkeqësimit të motit, ndërsa rajonet më problematike janë ato të Fierit, Durrësit dhe Burrelit për shkak të kohës së keqe me shi dhe erë. Sa i përket qarkut të Gjirokastrës raportohen probleme në Lazarat, Zagorie, Libohovë dhe disa fshatra të tjerë.

Rreth 1 mijë e 800 punonjës janë në terren në gjendje gatishmërie për të riparuar defektet në të gjithë vendin. Pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE është vënë në shërbim numri 04 22 74 141, ku qytetarët mund të raportojnë problematikat në furnizimin me energji elektrike në zonat ku ata banojnë. Sipas një njoftimi zyrtar të OSHEE-së, të gjitha hidrovoret janë në punë.