Ndalohet prerja e pyjeve në Zagori (VIDEO)
Inspektorati i Pyjeve dhe Mjedisit në Gjirokastër ndaloi prerjet e pyllit në Zagori, pas verifikimit në terren në bazë të ankesës së banorëve të zonës. Kompaninë e kontraktuar nga Bashkia Libohovë për shfrytëzimin e 500 m3 dru në Pyllin e Katalit, ky Inspektorat e raportoi në Ministrinë e Mjedisit. Sipas inspektorëve vetë kompania kishte nënkontraktuar një tjetër kompani për të prerë pyllin gjë që nuk lejohet me ligj.
Inspektorët gjithashtu gjetën shkelje në mënyrën e prerjes ku mungonin piketimet dhe shënjimi i drurëve që do të priteshin. Në kohën kur mbërritën inspektorët në parcelën 25 mbi fshatin Topovë gjendeshin disa punëtorë që transportonin dru me kafshë pune. Kreu i shoqatës “Zagoria” Andon Pango tha se banorët e Zagories kërkojnë të bëhet vlerësimi i dëmeve të vitit të kaluar dhe ndërprerja e menjëhershme e prerjeve.
“ne duam që të ndërpritet sa më parë prerja e pyllit. E keni parë vetë që ka filluar prerja e parcelës 25, me firmën nënkontraktore. Edhe kjo është e jashtëligjshme, nuk mund të hyjë firma nënkontraktore të presë pyllin. Shpresojmë që Bashkia të marrë masa. Në të kundërt ne do të bëjmë një kallëzim penal në Prokurorinë e Gjirokastrës”, u shpreh Andon Pango. Sipas banorëve të Zagorisë, parcela e dëmtuar është ajo me numër 39 në vendin e quajtur Dërmazi i Hoshtevës. Prerjet pa asnjë kriter kanë shkatërruar 90% të pyllit, por kjo parcelë nuk figuron e prerë në dokumentacion./tch