Ndarja e re, Zagoria kundër bashkimit me Libohovën

128839Me ndarjen e re administrative dhe territoriale, siç është vendosur tashmë dhe që do të votohet në Kuvend të enjtën, komuna e Zagorisë do të shkrihet si njësi vendore për t’ju bashkëngjitur Bashkisë Libohovë. Por duket se ky variant nuk është mirëpritur prej banorëve të kësaj zone. Arsyet e kësaj kundërshtie, s’kanë fare të ngjarë me arsyet që po dëgjojmë nga ata që sot protestojnë në zona të tjera. Janë arsye që lidhen me funksionalitetin e qeverisë vendore, jo të ndonjë patriotizmi krahinor.

E thënë më shkurt, zagoritët kundërshtojnë këtë bashkim për shkak të largësisë së zonës së tyre me qendrën e njësisë së re vendore, që normalisht do të jetë Libohova. Prej tyre nuk u mirëprit as zhvendosja e gjendjes civile në Libohovë pak vite më parë, që i detyronte banorët e kësaj zone të vinin në Libohovë për një çertifikatë. Ardhja në Libohovë është një stërmundim për ta dhe ka kosto të madhe. Të faturosh një makinë nga Zagoria për në Libohovë, kërkon të paktën 60 mijë lekë të vjetra vajte-ardhje. Po të lexosh në forume të ndryshme online të zagoritëve, ndarja e re administrative është një shqetësim i madh për ta, ndaj është zhvilluar edhe një takim mes kryekomunarit të Zagorisë dhe ministrit Bledi Çuçi, të cilit i janë parashtruar pretendimet e zagoritëve.

Duke ndjekur më tej diskutimet online, zagoritët e konsiderojnë të largët distancën edhe me qendrën aktuale të komunës së tyre, fshatit Nivan. Sipas tyre, ka disa fshatra që duhet të udhëtosh me orë të tëra për të shkuar në Nivan, e jo më në Libohovë. Vështirësia më e madhe vjen edhe për shkak të rrugës tejet të shkatërruar, rrugë e cila është premtuar vazhdimisht por nuk është vënë dorë asnjëherë. Për ta, zgjidhja më e mirë do të ishte një bashkim me Gjirokastrën apo Lunxhërinë, kjo duke u lidhur përmes rrugës së Çajupit, e cila është e asfaltuar. Pra, zagoritët s’e mirëpresin këtë bashkim me Libohovën për arsye tërësisht funksionale dhe jo për ndonjë paragjykim krahinor.

Mes diskutimeve ka edhe mendime për një bashkim me Pogonin, por sërish duke menduar që qendra e Bashkisë Dropull pritet të jetë në Jorgucat, distanca rritet edhe më shumë, ndërkohë që rruga e shkatërruar e Zagorisë nuk evitohet. Ndarja e re administrative do të votohet në parlament ditën e enjte dhe me ç’duket nuk pritet të ketë ndryshime në hartën përfundimtare të miratuar nga komisioni i posaçëm i reformës. Për zagoritët mbetet thjesht të presin, me shpresën se qeveria apo bashkia e re do të asfaltojnë rrugën që të çon në zonën e tyre.