Ndërpritet mbledhja e Këshillit Bashkiak Gjirokastër, PD dhe PS kundër kryebashkiakes Rami

13479967_1012265422160628_1201256870_n-1 (1)Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës ditën e sotme është bllokuar për shkak të rendit të ditës të përcaktuar nga kryebashkiakja Zamira Rami. Rendi i ditës është kundërshtuar nga dy këshilltarë të Partisë Socialiste dhe nga këshilltarët e Partisë Demokratike, të cilët kanë braktisur mbledhjen me arsyetimin se relacionet janë të diktuara nga kryebashkiakja.

Kjo gjë ka bërë që mbledhja e Këshillit Bashkiak të bllokohej dhe të futej në ngërç për shkak të mosplotësimit të kuorumit të nevojshëm që duhet për t’u zhvilluar. Ndërkohë, para se demokratët të braktisnin mbledhjen, kryetari i PD në Gjirokastër Roland Bejko i bëri thirrje kryebashkiakes që të kërkonte ndjesë për shkarkimin në mënyrë jo dinjitoze të ish-kreut të Ujësjellësit, veprim ky që ngjalli reagimin qytetar dhe bëri bujë në mediat online e rrjetet sociale.

Kërkesa e Bejkos ra në vesh të shurdhër pasi nuk pati asnjë reagim. Këshilltarët e mbetur në mbledhje nisën të bënin telefonatat për të mbledhur këshilltarët e tjerë që nuk ishin prezentë, në mënyrë që të plotësohej kuorumi për të zhvilluar mbledhje normale.

Mes dy këshilltarëve të PS që kundërshtuan rendin e ditës dhe braktisën mbledhjen e Këshillit Bashkiak, është edhe ish-kreu i Ujësjellësit Gjirokastër i shkarkuar disa javë më parë./syri