Ndodh në Gjirokastër, i burgosuri arratiset nga Gjykata e Apelit

Një ngjarje skandaloze ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit Gjirokastër. 24-vjeçari Saimir Ahmeti ka mundur t’i shpëtojë policisë. I riu nga fshati Vanë në Delvinë ishte arrestuar për përndjekje dhe do të paraqitej në Gjykatën e Apelit Gjiroakstër për t’u njohur më masën e sigurisë. Por në momentin që do të futej brenda, 24-vjeçari ka shtyrë dy punonjësit e policisë që e shoqëronin dhe është larguar. Policia Gjirokastër në reagimin e parë për ngjarjen thotë sqaron se “Shërbimet e Policisë së Burgjeve nuk kishin kërkuar masa mbështetëse nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër për siguri shtesë, gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore. Shërbimet e Policisë së Shtetit në Gjirokastër sa morën njoftim janë angazhuar maksimalisht për kapjen e shtetasit të Ahmeti”.

Aktualisht janë ngritur pika të shumta kontrolli në qytet. S’dihet nëse 24-vjeçari është fshehur diku në Gjirokastër apo ka mundur të dalë jashtë qytetit.