Ndotja e lumit Drino, situatë alarmante pranë rrugës së Libohovës (FOTO)

 Ndotja e lumit Drino, situatë alarmante pranë rrugës së Libohovës (FOTO)

10Kur merr rrugën për në Libohovë, në të djathtë, m’u pranë urës mbi lumin Drino, të zë syri pirgje me plehra, makina që shkarkohen, njerëz që rrëmojnë ndonjë copë metal për ta shitur për skrap apo edhe ndonjë zjarr që s’i le plehrat të ngrenë kryet. Prej kohësh ky vend është kthyer në një pikë grumbullimi të mbetjeve urbane, pa llogaritur ndotjen që i shkakton ujërave të lumit, pa llogaritur kontaminimi që i bën tokës, pa llogaritur shkatërrimin e florës dhe faunës. Paradoksale është se në krahë të këtyre plehrave kultivohet misri, gruri, tërshëra, jonxha etj kultura bujqësore.

Dhe, po uji i ndotur nga këto plehra, përdoret më pas për të ujitur tokat e mbjella. Plehrat që depozitohen në këtë zonë, janë të disa fshatrave të Dropullit. Nuk janë banorët, por vetë kompania që merret me pastrimin, e cila i grumbullon këtu. Ndoshta ky vendgrumbullim i mbetjeve është i miratuar nga pushteti vendor, por është e paimagjinueshme që në Shqipëri mund të ketë ndonjë ligj apo rregullore që thotë, se plehrat hidhen në lumë. Mungesa e një landfilli për zonën, nuk e justifikon aspak këtë barbari që po i bëhet mjedisit.

Edhe nga ana vizuale apo estetike, kjo është një pamje e shëmtuar për këdo që merr rrugën për në Libohovë, Zagori a gjetkë. Ndotja e lumit Drino është në nivele shumë të larta. Pavarësisht gjobave që Ministria e Mjedisit ka vendosur ndaj subjekteve private ashtu edhe ndaj njësive të pushtetit vendor në qarkun e Gjirokastrës, situata është njësoj, për kushedi se sa kohë akoma.  

05

09

07

06

Libohova Online