Në moshën 102-vjeçare, ndahet nga jeta libohoviti i njohur në Boston, Vasil Malita

Më 30 dhjetor 2023 u nda nga jeta ne Boston libohoviti i shquar Vasil Malita. I larguar shumë herët në SHBA, ai i kishte ruajtur lidhjet e forta me vendlindjen. Teksa i shprehim ngushëllime familjes Malita, më poshtë një shkrim i plotë rreth figurës së tij me autor Kolec Traboini.

Vasil Malita u lind në Kalista të Libohovës më 30 nëntor 1921 në familjen e një furrtari. Babai Koço Malita vdiq në moshë të re duke lenë jetim Vasilin dhe motrën e vet Sofia. Në vitin 1935 mbaroi shkollën fillore dhe i kujtonte gjithmonë shokët e shkollës Kiço Rafti, Mumtaz Shehu, Sabaudin Gabrani, Muhamet Bako, Mehdi Zeqo, Asllan Hysa, Uran Abdiu, Njazi Rustemi, Rusto Rustemi (nipi i Avni Rustemit), Leonidha Vaja, Ferdi Abdiu, Nevruz (Feto) Bilibashi, Fejzo Kasimati, si dhe djalin i Myfit Libohovës, Elmazin.

Kujtonte me mirënjohje mësuesit e Libohovës, Eqerem Çano, Hiqmet dhe Irfan Roshi, Riza Kumbaro, Mexhid Sulejmani, Pano Hido, Zija Shapllo dhe mësueset Aishe dhe Rahime Dervishi. Vasili ishte dëshirën për të vazhduar më lart, por gjendja e vështirë ekonomike pas vdekjes së babait e detyroi të mendonte që i ri për të mbajtur familjen. Nëna Janulla punonte argate për bukën e gojës, por kjo nuk mjaftonte. Për të mësuar një zanat, Vasili u fut në një rrobaqepësi si nxënës në dyqanin e Taqi Roshit nga Poliçani i Pogonit. Më pas Taqi Roshi vajti në Tiranë dhe dyqanin e tij e mori Koço Dalani ku si Vasili ashtu dhe shoku i tij i vegjëlisë, Stefan Gramatiko, vazhdonin të mësonin zanatin e rrobaqepësit. Por vdekja e papritur e Koço Dalanit i detyroi të dy shokët të merrnin rrugën për në Gjirokastër.

Pronarët u jepnin një rrogë ditore fare të vogël, që nuk ju dilte as për të ngrënë. Me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi italian të dy u kthyen në Libohovë. Përkohësisht zunë punë ndihmëse me mëditje tek rrobaqepsia e Gorit, i cili kishte ardhur nga Çatistra e Pogonit e kishte hapur një dyqan në qendër të Libohovës. Aty u njohën rastësisht me një ushtar italian që vinte të riparonte uniformat e oficerëve. Ushtari italian me emrin Krispino ishte një rrobaqepës i specializuar në shkollë profesionale në Bolonjë. Duke parë pasionin e Vasilit dhe Stefanit për këtë zanat, ai u mësoi teorinë, mënyrën e prerjes së rrobave në bazë të përvojës së tij në Itali. Ishte diçka më ndryshe, më e thjeshtë e më praktike sesa mësimet që merrnin nga rrobaqepësit vendas, që për këto mësime kërkonin edhe para. Përvoja që u dha ushtari-rrobaqepës Krispino, u vlejti jashtë mase, e ndjenë veten më të sigurtë në profesion dhe më pas Vasil Malita vendosi të hapte dyqanin e tij në pazarin e Libohovës.

Por sa vështirësi kishte asokohe hapja e një dyqani. Lokali edhe gjendej me qera, por si i bëhej për makinë qepëse që në atë kohë kushtonin shumë. Ishte vjeshtë e vitit 1940, kishte filluar lufta italo-greke që do të vazhdonte deri në maj 1941 dhe gjatë kësaj kohe nuk ishte e mundur të realizonte dëshirën e tij për të hapur dyqanin e rrobaqepsisë. Ndërkohë Stefanin e morën ushtar dhe e dërguan në Prizren të Kosovës, por më pas kur erdhi me leje, Stefan Gramatiko dezertoi nga radhët e ushtrisë. Në verën e vitit 1941, Vasili arriti të gjente një makinë qepëse me qera tek Urani Verdhi. Nga fundi i asaj vere më së fundi e hapi dyqanin në pazarin e Libohovës. I vuri emrin rrobaqepësi “Rinia”. Ishte në një shqetësim të madh se a do të kishte klientelë. Por, çdo gjë po shkonte mbarë. Të rinjtë e Libohovës e preferonin dyqanin “Rinia”, por jo vetëm ata. Nisën të vijnë për të bërë porositë e tyre edhe të moshuarit, madje edhe gratë e vajzat e qytetit të Libohovës.

Më pas do të vinte në dyqan edhe shoku i fëmijërisë Stefan Gramatiko, me të cilin ca kohë u bënë ortakë dhe punonin edhe me orë të zgjatura, herë-herë edhe natën, sidomos në ditët para festave të Bajramit dhe të Pashkëve. Shumë shpejt klientela e Usta Gorit ra dhe njerëzit nisën të vinin në rrobaqepsinë “Rinia”. Por ndodhën disa ngjarje që do t’i sillnin edhe shqetësime. Forcat e çetës “Koto Hoxhi” dhe njësitet guerrile të Libohovës dhe disa fshatrave afër, më 11 shkurt 1943 sulmuan karabinierinë e rojën e financës në Libohovë dhe në atë situatë të turbullt në qytet, disa individë keqbërës përfituan dhe shpërthyen rrobaqepsinë “Rinia” duke vjedhur disa kostume të klientëve.

Në këto kushte, edhe për shkak të pasigurisë, qe e pamundur të vazhdohej mbajtja e dyqanit. Veç kësaj, Vasili bashkë me shokun e tij Stefan Gramatiko, ishin aktivizuar në lëvizjen antifashiste për çlirimin e vendit nga pushtuesit italianë që në vitin 1943 bashkë me libohovitë si Pandeli Aleksi-dëshmor, Nikolla Gjini- dëshmor, (të dy këta ishin në rrobaqepsinë “Rinia” të Vasil Malitës si shegertë), Dervish Gorica-dëshmor, Jashar Kasimati, Myrto e Baftjar Ruli, Luto Haxhi, Dashamir Sulejman Dervishi, Fejzo Kasimati, Miço Gramatiko, Vangjel Daci, Vexhi Kasimati, Tomorr Çomo e të tjerë.

Në korrik të vitit 1943, Vasili u nis për në Vithkuq të Korçës, për t’u rreshtuar si partizan i Brigadës së Parë sulmuese bashkë me libohovitët e tjerë si, Pëllumb Ruli, Riza Ruçi, Luan Spahiu, Ndreko Rino, Tomorr Spahiu dhe të tjerë nga qyteti i Gjirokastrës, Halil Zhuzhuni-dëshmor, i plagosur rëndë në luftën e Vithkuqit u kap në spitalin partizan të Oparit e u pushkatua nga gjermanët, Agim Çomo-dëshmor, i vrarë në luftën e Dukatit, dhjetor 1943 dhe Ago Topulli- 16 vjeçar, nga Gjirokastra, nipi i Çerçiz Topullit u vra në luftën e Tendës së Qypit në janar 1944.

Vasil Malita në Brigadën e Parë mori pjesë në të gjithë veprimtarinë luftarake pa u shkëputur asnjë çast, me detyrë luftarake artiljer në kompaninë e mortajave 81 milimetra. Pas luftës ai do të shërbente fillimisht si oficer artilerie e më pas në repartin urahedhës të mekanizuar të xhenjos në Tiranë.

Arratisja e xhaxhait të tij Lame Malita familjarisht në vitin 1945 padyshim ndikoi në karrierën e Vasilit, sepse atij iu pengua vazhdimi i studimeve në Akademitë Ushtarake jashtë shtetit, ku ndërkohë shkuan shumë shokë e kolegë të tij.

Doli në pension të parakohshëm (shëndetësor) në vitin 1971. Në vitin 1991 pasi fëmijët u larguan në emigracion edhe ai familjarisht, mori rrugën larg atdheut, në fillim në Greqi dhe në qershor 1993 u vendos në Boston të Shteteve te Bashkuara te Amerikës.

Nuk i humbi asnjëherë lidhjet e tij me Atdheun. Shkoi disa herë në Shqipëri, veçmas në Libohovën e tij të cilën e donte aq shumë. Me vizitat e Vasil Malitës në Atdhe janë bërë dy filma dokumentarë të cilët mund të shihen në You Tube.

Vasil Malita ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Boston me 30 dhjetor 2023, një jetë mbi një shekullore duke lënë kujtimet më të mira tek kushdo që e ka njohur. Mirënjohja është ngushëllimi më i mirë për një jetë mbushur me mirësi.