Në Zhulat të Gjirokastrës mes melodive baritore, aty ku tradita vijon të trashëgohet brez pas brezi (FOTO)
Meloditë baritore nuk do të ishin kurrë aq endëse, aq të paqta e magjike pwr shpirtin, nëse nuk do të dilnin prej cylave, sidomos atyre dyjare, për të cilat mjeshtrit e përpunimit, ata më të moçmit, dikur thoshin se ishin më të vështirat për tu bërë. Seç fshihej një magji e vogël për ta krijuar siç duhej cylën dyjare, që tingujt e dale prej saj të mos “shformoheshin”. Madje kishte një lloj fanatizmi profesional, kur ndonjë i ri donte t’u “vidhte” zanatin. Mjeshtrat e vjetër nuk para tregonin aq lehtë gjithë “hilet” sesi i bënin cylat dyjare, të cilat nuk ishin vetëm prej druri, por ndonjëherë edhe prej metali. Ishte si një lloj sprove për talentin.
Dija nuk mund të të jepej falas, duhej të shihej nëse vërtetë ai që do bëhej mjeshtër përpunimi kishte brumin e duhur për të qenë më i miri; nëse dinte të bënte art! Kështu ndodhte dikur, kur mjeshtëria e përpunimit të drurit, ku futeshin një sërë sendesh, si furkat me të cilat gratë tirrnin leshin, kërrabat për të kapur delet, zilet e këmborët, cylat për të qetësuar shpirtin netëve me hënë, krijoheshin nga burra me duar të arta në të gjithë labërinë. Por kjo traditë filloi të vdesë pak nga pak, me hyrjen masive në treg të një llojshmërie sendesh të gatshme, të cilat kërkonin vetëm lekë për tu blerë, jo kohë për tu krijuar. Kështu pak nga pak, falë edhe braktisjes së fshatit, mjeshtëritë e dorës u zëvendësuan nga ato të fabrikave.
Por në fshatin Zhulat të Gjirokastrës nuk ka ndodhur kështu! Ky fshat i bukur i labërisë e ka ruajtur traditën duke ushqyer me të edhe brezin e ri, duke mos humbur fijet e kujtesës me të shkuarën, kur sendet nuk ishin veç sende, por sende të gjalla të lidhura fort me shpirtin.
Në Zhulatin e largët vazhdojnë të punohen ende cylet dyjare, furkat, kërrabat, bastunet, enë dhe orendi të përdorimit të përditshëm me dorë, sipas mënyrës së vjetër. Krahas gjallimit të mjeshtërisë së punimit të veglave muzikore tradicionale, vend të rëndësishëm aty zë edhe interpretimi i tyre nga të gjithë grup moshat. Mjeshtrave të Zhulatit sot, u kërkohet të bëjnë cyle dyjare, orendi të traditës dhe objekte zbukurimi prej druri edhe nga fshatra të tjera të labërisë dhe jo vetëm. Ajo që është e veçantë është se shumica e këtyre punimeve krijohen nga mjeshtrat e punimit të drurit në mal, aty ku banorët që merren me blegtori kalojnë stinën e verës. Është pikërisht shpirti krijues dhe mënyra e jetesës e lidhur me blegtorinë dhe natyrën, e cila mban ende të gjallë këtë traditë, duke përfshirë edhe tradita të tjera. Para pak javësh, në 28 shtator në Zhulat u organizua një ekspozitë nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, në ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Nga kjo qendër është zhvilluar një anketim mbi këtë traditë në stane të ndryshme, në vendin e quajtur Hon dhe në banesa të zhulatasve ku evidentoi që tradita e interpretimit dhe punimit të instrumentave muzikorë tradicionalë gjallonte e bashkëshoqëruar me mjeshtërinë e gdhendjes në dru të objekteve të punës dhe të zbukurimit.
QKIPK ndërmorri dokumentimin e dijenive dhe praktikës tradicionale të ruajtjes dhe punimit për një nga instrumentet më të lashtë muzikor të popullit tonë: Cylja Dyjare në fshatin Zhulat, Gjirokastër. Kjo nismë e QKIPK është në vazhdën e punës për krijimin e regjistrit kombëtar të pasurive kulturore jo materiale. Lista e vitit 2010 ka 8 elementë, ku një ndër ta është edhe dijebërja dhe mbartësit e veglave muzikore. Ministria e Kulturës dhe QKIPK e kanë një ndër prioritetet krijimin e regjistrit kombëtar të këtyre pasurive, ku aktualisht ekspertët janë në terren për të hartuar këtë listë e për ta pasuruar atë.
Për mjeshtërinë e zhulatasve, kërkesat më të shumta sot vijnë nga turistët apo emigrantët, të cilët interesohen më së shumti për cylën dyjare, këtë instrument të veçantë, i cili ndoshta s’do të nxirrte atë melodi aq magjepsëse e të pa imitueshme, nëse nuk do të krijohej nga mjeshtëra të tillë.