Nesër eklipsi diellor, në Shqipëri errësira vetëm 40%. Mos e shihni me sy të lirë ose syze dielli

Solar eclipseTë premten  në 20 mars Europa do të përfshihet nga eklipsi total i Diellit, i cili do të shihet edhe në Shqipëri.

Eklipsi total diellor do të nisë në orët e para të mëngjesit. Në Tiranë ai pritet të shihet rreth orës 09:35 të mëngjesit, por hëna do të mbulojë diellin vetëm 40 përqind, ndaj shfaqja do të jetë disi e zbehtë për të apasionuarit e këtij fenomeni në Shqipëri.

Maksimumi i eklipsit do të jetë në orën 10:42 dhe gjithçka do të kthehet në normalitet në orën 11:52.  I gjithë procesi i eklipsit do të zgjasë për 2 orë e 17 minuta.

Britania dhe disa vende të veriut të Evropës do të përjetojnë eklispin e plotë, ku mbulimi i diellit pritet të jetë mbi 90 përqind, madje në disa vende si Skocia hëna do të mbulojë mbi 97% të diellit.

Eklipsi tjetër diellor në nivele të tilla  parashikohet të ndodhë në vitin 2026, ku errësira totale do të jetë në Islandë.

Ekspertët kanë këshilluar që eklipsi mos të shihet me sy të lirë pasi mund të dëmtojë retinën e syve.

Madje nuk këshillohen as syzet e diellit.

Për të shijuar eklipsin duhet të përdorni  syze  të posaçme, dylbi të mbuluara me një filtër diellore ose  teleskop diellor.