Nga Avni Rustemi te Arben Ristani, politikanët shqiptarë që provuan qelinë

 Nga Avni Rustemi te Arben Ristani, politikanët shqiptarë që provuan qelinë

avnirustemi-c1200x600Janë të shumtë rastet që kanë provuar thënien lapidare të At Arapit se të jesh politikan në Shqipëri doemos do ta kesh njërën këmbë në burg dhe një në varr.

“Tirana Observer” riboton në një raport special rastet e 50 politikanëve që kanë provuar qelitë e burgut.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin regjimit komunist ku Enver Hoxha nuk kurseu bashkëpunëtorët e vet duke shpikur shpeshherë “grupe armiqësore”. Në këtë listë nuk përfshihen personalitetet që u dënuan në mungesë nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, por vetëm ata që provuan burgun, e ndër të cilët një pjesë edhe u ekzekutuan.

Nga Abas Ermenji që u arrestua nga fashistët italianë tek Kadri Hazbiu që u pushkatua. Nga Beqir Balluku e deri tek Feçor Shehu. Për të ardhur më pas tek periudha postkomuniste, ku Fatos Nano, por edhe të tjerë provuan të ftohtin e qelisë. Cilat ishin historitë e tyre dhe pse u arrestuan.

1. Abas Ermenji

Në vitin 1939 Abas Ermenji arrestohet nga italianët si një nga organizatorët e rinisë korçare në manifestimet e 28 Nëntorit 1939 kundër pushtimit fashist dhe internohet në ishullin e Ventotenes, prej ku lirohet në vitin 1941. Pas lirimit ai bëhet një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit Qendror të tij. Kjo bën që në vitin 1944, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ai detyrohet të largohet nga Shqipëria. Ai dënohet me vdekje në mungesë nga regjimi komunist, me akuzën si kriminel lufte dhe si bashkëpunëtor i pushtuesve. Ai vdiq 10 mars 2003 në SHBA.

2-3. Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi

Për 30 vjet, që pas çlirimit të vendit deri në vitin 1975, Abdyl Këllezi mbajti poste të rëndësishme drejtuese si në strukturat shtetërore ashtu edhe në Partinë e Punës së Shqipërisë. Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ministër i Financave, zëvendëskryeministër, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, anëtar i Byrosë Politike etj. Në vitin 1975 ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit si organizator i grupit armiqësor në ekonomi, që kishte si pikësynim rrëzimin e pushtetit të kohës. Në maj të vitit 1977, së bashku me Koço Theodhosin (Ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave), dënohen me vdekje dhe më pas ekzekutohen. Varret e tyre nuk janë gjendur ende.

4. Adil Çarçani

Adil Çarçani gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë komisar i Brigadës së VII S, dhe në vitin 1952 zgjidhet ministër. Në vitet ’60 zgjidhet anëtar i Byrosë Politike, dhe që nga viti 1981 deri më 1991 mban postin e kryeministrit, të cilin e merr pas vdekjes së Mehmet Shehut. Pas ardhjes së demokracisë, ai u arrestua, u gjykua dhe u dënua me burg për përvetësim dhe shpërdorim detyre, ashtu si anëtarët e tjerë të Byrosë Politike që u arrestuan në atë kohë. Dënimi i tij u reduktua në arrest shtëpiak, për shkak të problemeve të tij shëndetësore. Çarçani vdiq më 13 tetor të vitit 1997.

5. Anton Harapi

Me 13 shtator 1943 Anton Harapi emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Ky post qeveritar në kohën e okupacionit gjerman në Shqipëri vulosi fatin e At Antonit, pasi në qershor të vitit 1945 ai arrestohet nga formacionet partizane. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, At Antoni është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit.

6. Arben Ristani

Në vitin 1994, në moshën 25 vjeçare, gjyqtari Arben Ristani do të shqyrtonte dhe çështjen më të bujshme për kohën, ç’ka do ta fuste edhe në sherr me Presidentin Berisha. Ristani do të shqyrtonte gjyqin ndaj gazetarëve Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, të cilët akuzoheshin për nxjerrje të sekretit shtetëror. Edhe pse vendosi t’i dënojë, masa e dënimit duket se u konsiderua tepër e ulët për drejtuesit e saj kohe, të cilët nuk do të vononin hakmarrjen ndaj gjyqtarit të ri duke e arrestuar. Tashmë Ristani është deputet i Partisë Demokratike.

7. Avni Rustemi

Avni Rustemi, politikan dhe deputet i parlamentit shqiptar në vitin 1923. Në vitin 1920 ai qëllon dhe vret në Paris
Esat Pashë Toptanin, një nga politikanët më të njohur të asaj kohe. Ai arrestohet nga policia franceze, por pas një gjyqi të gjatë, gjykata franceze e liron nga burgu. Mbas asaj Avni Rustemi u kthye në Shqipëri, ku u zgjodh dhe deputet në Parlamentin shqiptar. Por në 22 prill 1924, Avni Rustemi vritet nga njerëz të Ahmet Zogut.

8. Bahri Omari

Ishte nënprefekt i Himarës në vitin 1912, dhe në vitin 1923, anëtar i Kuvendit Kushtetues dhe përkrahës i forcave të Nolit në Parlament. Pas përmbysjes së qeverisë së Nolit, mërgon në Bari të Italisë. Regjimi i Ahmet Zogut e dënon më shumë vite burg në mungesë. Në qershor 1939 kthehet në Shqipëri e në vitin 1943 emërohet ministër i Jashtëm në qeverinë shqiptare të Rexhep Mitrovicës. Pas çlirimit të vendit, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ai u arrestua me akuzën si bashkëpunëtor i pushtuesve. Ai ishte në grupin e parë të intelektualëve që u dënuan në të ashtuquajturin “Gjyqi Special” në vitin 1945, dhe do ekzekutohej menjëherë pas vendimit me vdekje.

9. Beqir Balluku

Ushtaraku që qëndroi për 20 vjet në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Me detyra të larta ai impenjua që në 1943-shin si komandant i batalionit partizan “Krujë-Ishëm”, komisar i Brigadës së 3-të Sulmuese dhe më pas komandant i Brigadës së 2-të Sulmuese. Më 28 janar 1948 ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Në Kongresin e Parë të PKSH së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952, ministër i Mbrojtjes Popullore, post të cilin e mbajti deri në vitin 1975, vit në të cilin akuzohet si organizator i një “puçi ushtarak”.

10. Fatos Nano

Themeluesi i Partisë Socialiste u arrestua nga prokuroria në qershor të vitit 1993 me akuzën “abuzim në detyrën e kryeministrit me pasojë përfitim për të tretët”. Në vitin 1994 përfundon gjykimi në Gjykatën e Faktit, duke i dhënë 12 vjet heqje lirie. Partia Socialiste, opinioni publik vendas, organizata ndërkombëtare prestigjioze të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, e konsideruan dënimin si hakmarrje politike nga ana e mazhorancës që drejtohej nga ish-Presidenti Berisha. Në mars të vitit ’97, Nano nuk pranoi të largohet nga burgu edhe pse për shkak të revoltave dyert u hapën dhe vendi përfundoi në një kolaps total. Fiton “de jure” lirinë me dekret presidencial. Në ’99-ën ai shpallet i pafajshëm dhe dëmshpërblehet për 1485 ditët e burgut.

11. Feçor Shehu

Ministër i Brendshëm në fillim të viteve ‘80, Feçor Shehu u arrestua në zyrën e tij, në shkurt të vitit 1982. Ai akuzohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, bashkë me disa figura të tjera të shtetit të asaj kohe si Kadri Hazbiu, Llambi Ziçishti etj. Si ata, pati të njëjtin fund. Pas një gjyqi special, ata u dënuan me vdekje. Vetëm dy ditë pas përfundimit të gjyqit, në mesnatën e 15 shtatorit të vitit 1983, të ashtuquajturit “grupi armiqësor i Mehmet Shehut”, nën masa të rrepta sigurie u morën nga qelitë e Burgut 313 dhe u ekzekutuan diku në periferi të Tiranës, afër fshatit Linzë.

12. Gafurr Mazreku

Gafurr Mazreku ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Has dhe deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e ’97-ës. Po në këtë vit, pas një debati në Parlament me deputetin Azem Hajdari, Mazreku qëllon mbi këtë të fundit pesë herë me pistoletë. Pas këtij atentati, ai u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg. Sjellja e mirë dhe amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, por zgjedhja e tij refuzohet nga Komisioni i Garancive Statusore. Në vjeshtën e vitit 2003 fiton postin e kryetarit të komunës Fajzë, në një bastion të PD-së. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.

13. Gjergj Kokoshi

I diplomuar për Filozofi në Itali, Gjergj Kokoshi u emërua ministër Arsimi, pas Kristaq Cipos në vitet 1945-1946. Ai qe i pari që ngriti zërin para zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, duke e cilësuar si antidemokratik ligjin e atëhershëm për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese. Kokoshi synonte krijimin e opozitës. Pikërisht për këto aspirata, Kokoshi u dënua për akuzat e “ngritjes së një grupi socialdemokrat, që kishte si qëllim rrëzimin e pushtetit më forcë dhe me anë të një kryengritje me forcat e huaja”. Vepra e Kokoshit dhe shumë figurave të tjera që akuzoheshin për bashkëpunim me të quheshin si tradhti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut. Kokoshi vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1960.

14. Halit Shamata

Një nga politikanët e arrestuar në gusht të vitit 1998, ishte edhe ministri i Brendshëm në vitin 1997. Ish-ministri u akuzua për krime kundër njerëzimit. I arrestuar me shumë bujë në 22 gusht 1998, ai do linte qelinë vetëm disa ditë më vonë, pasi akuzat ndaj tij nuk u provuan dot. Por ish-ministri do e merrte pafajësinë për akuzat e ngritura ndaj tij vetëm katër vjet më vonë, më 26 prill 2006, kur gjykata rrëzoi të gjitha akuzat ndaj tij.

15. Halim Xhelo

Gjeneral-major Halim Xhelo, zv/ministër i Brendshëm dhe njëkohësisht shef i Sigurimit të Ushtrisë në vitet e diktaturës, është dënuar disa herë nga drejtësia. Për herë të parë, patrioti shquar nga Vlora u dënua nga regjimi i Zogut, për shkak se ishte kundërshtar i tij. Por Halim Xhelo arriti të arratisej dhe të qëndronte në emigrim deri në vitin 1939. Në vitin 1967, në kulmin e karrierës së tij, ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet me shumë vite burg. Ai akuzua si kundërshtar i regjimit komunist dhe mbështetës i sovjetikëve. U vetëvra në burgun e Burrelit në vitin 1974.

16. Haxhi Lleshi

Haxhi Lleshi ishte pjesëmarrës aktiv dhe një nga drejtuesit kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mbajti postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nga viti 1953-1982 dhe ishte Hero i Popullit. Në vitin 1996, Lleshi u gjykua dhe u dënua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Sipas organit të akuzës, këto krime ai i kishte bërë duke qenë në krye të strukturave të regjimit komunist dhe për këtë u dënua me vdekje. Por më pas ky vendim u tërhoq nga Gjykata e Apelit, e cila e reduktoi vendimin me pesë vjet lirim me kusht. Lleshi vdiq më 1 janar 1998.

17. Hekuran Isai

Ish-ministri i Brendshëm në regjimin diktatorial, Hekuran Isai u përball për herë të parë me hekurat e burgut në 7 tetor të vitit 1993. Akuzat ndaj tij ishin të karakterit ekonomik. Edhe Isai, si pjesa më e madhe e kolegëve të tij që u arrestuan në atë kohë, u akuzua për shpërdorim detyre. Gjykata e dënoi Isain me 8 vjet burg, por në vitin 1996 ai akuzohet sërish. Në këtë vit, pas një vale arrestimesh të disa punonjësve në rang të lartë të policisë që kishin punuar para viteve ’90, adresohen edhe akuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Sipas prokurorisë, Isai dhe nëntë ish- zyrtarë komunistë ishin nën akuzën e autorizimit të internimeve dhe veprimeve të tjera politike që dhunonin legjislacionin komunist. Në vitin 1997, Isai lirohet pas një amnistie të presidentit të asaj kohe.

18. Kadri Hazbiu

Ministër i Brendshëm për 25 vjet, nga viti 1954 deri në vitin 1979. Gjatë regjimit komunist, Kadri Hazbiu është cilësuar si një nga figurat më kryesore të shtetit në atë kohë. Në vitin 1979 ai emërohet ministër i Mbrojtjes, post të cilin e mban deri në vitin 1982. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në vitin 1982, ai përjashtohet me shumë bujë nga Partia në Plenumin e Komitetit Qendror dhe akuzohet si armik i popullit dhe i partisë. Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe si autor i një tentative për të eliminuar Enver Hoxhën, Hazbiu dënohet me vdekje dhe ekzekutohet më 10 shtator të vitit 1983.

19. Kol Tromara

Një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë, pati një fund tragjik, kur, në vitin 1945, u pushkatua së bashku me mikun e tij, Bahri Omarin, pas një vendimi të “Gjyqit Special”. Shkak për dënimin e tij ishte posti i ministrit të Kulturës, që ai mbajti gjatë qeverisë së Rexhep Mitrovicës në vitet e pushtimit nazist. Ai u akuzua si bashkëpunëtor i pushtuesve dhe u ekzekutua në prill të vitit 1945. Kol Tromara lindi në Devoll të Korçës dhe që i vogël emigroi jashtë vendit ku edhe u shkollua. Në vitin 1907 ai ishte sekretar i shoqërisë “Besa-Besë” në Boston; më 1915, sekretar i Përgjithshëm i “Vatrës” e një vit më vonë kryetar i saj.

20. Koçi Xoxe

Koçi Xoxe ishte i pari ministër i Brendshëm gjatë regjimit komunist që u ekzekutua me vdekje. Në prill të vitit 1946 u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme e zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, sekretar i Komitetit Qendror të PKSH-së dhe deputet i Kuvendit Popullor që në legjislaturën e parë. Ai dënohet në vitin 1949 nga prokurori Bedri Spahiu me akuzën e spiunazhit, bashkëpunimin me jugosllavët për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, si dhe për eliminimin e këtij të fundit. Pas vendimit, ai ekzekutohet menjëherë me pushkatim.

21. Koço Kota

Kryeministër i qeverisë së Zogut nga viti 1925 deri në vitin 1939, Koço Kota pati një fund tragjik, kur në vitin 1949 vdiq nga torturat në burgun e Burrelit, të ndërtuar nga ai vetë gjatë kohës kur ai ishte në krye të shtetit.  Pas pushtimit të vendit nga Italia, Koço Kota u largua nga Shqipëria së bashku me mbretin Zog dhe u vendos në Selanik të Greqisë, duke mos u përzier fare me politikë. Në vitin 1945 ai rrëmbehet nga Sigurimi i Shtetit dhe më pas dënohet nga gjykata me shumë vite burg, me akuzën e tradhtisë ndaj atdheut. Ai dërgohet për të vuajtur dënimin në burgun e Burrelit, ku gjen edhe vdekjen.

22. Koço Tashko

Një nga studentët e parë shqiptarë që ka studiuar në Harvard. Koço Tashko kthehet në Shqipëri në vitin 1937 bashkë me direktivat e reja të Kominternit për lëvizjen komuniste. Megjithëse një nga themeluesit e kësaj lëvizje, Tashko u zhgënjye më pas nga ajo çfarë ishte bërë në Partinë Komuniste. Në detyrën e kryetarit të Komisionit te Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë, më 9 shtator të vitit 1960 shkarkohet nga detyrat e tij për “aktivitet armiqësor ndaj partisë” dhe dënohet me burg. Pas 10 vjet burg e shumë vjetësh internim vdes në një fermë.

23. Llambi Ziçishti

Ministri i Shëndetësisë ishte bërë një nga figurat drejtuese të sistemit komunist në Shqipëri, fill pas diplomimit për Mjekësi. Në vitin 1975 u emërua ministër i Shëndetësisë, deri më 1982, kur edhe mbylli karrierën dhe jetën e tij. Në vitin 1982 ai akuzohet si bashkëpunëtor i grupit armiqësor të drejtuar nga Mehmet Shehu. Llambi Ziçishti u akuzua gjithashtu se në vitin 1973 kishte dashur të helmojë diktatorin Enver Hoxha. Pas një procesi hetimor, që zgjati nga nëntori i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar më 17 shtator 1983 së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin.

24. Lef Nosi

Lef Nosi është një nga patriotët e shquar, që ndihmoi në Shpalljen e Pavarësisë së vendit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Elbasanit, në gusht të vitit 1909, gjatë të cilit u themelua Shkolla Normale. Lef Nosi ishte një nga delegatët që morën pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Me krijimin e Qeverisë së Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali, ai u emërua ministër i Postave. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i Ballit Kombëtar. Pas çlirimit të vendit nga nazifashistët, Lef Nosi u arrestua nga regjimi komunist dhe u dënua me vdekje, dhe vetëm pak kohë më vonë u ekzekutua.

25. Lenka Çuko

Ish-anëtarja e Byrosë Politike e zgjedhur dy herë në këtë pozicion, dhe sekretare e Komitetit Qendror, Lenka Çuko u prangos në valën e arrestimeve që u bënë në vitin 1993. Edhe ndaj saj u adresua e njëjta akuzë si ajo e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, abuzim me detyrën për shpërdorim të fondeve publike. Edhe pse pretendoi pafajësi, Çuko u dënua dhe pas amnistive të aplikuara në atë kohë dënimi i saj u reduktua dhe ajo u lirua në fund të vitit 1995. Por u arrestua sërish në vitin 1996, për krime kundër njerëzimit dhe për internimin e disidentëve. Gjykata i dha dënimin prej 15 vitesh burg, i cili u reduktua në 5 vjet disa muaj më vonë. Çuko u largua nga burgu pas amnistisë së presidentit Berisha në vitin 1997.

26. Liri Belishova

Liri Belishova ka qenë anëtare e Byrosë Politike nga viti 1948 deri në vitin 1960, pasi Enver Hoxha e përjashtoi nga forumi më i lartë partiak. Por ish-anëtarja e Byrosë Politike pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik do kalonte shumë peripeci. Në vitin 1960 ajo përjashtohet nga partia dhe më pas internohet e burgoset për faktin e vetëm se nuk ishte dakord me prishjen e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik. Gjatë viteve të internimit, Liri Belishovës i vdes nga një sëmundje e pashërueshme edhe vajza e vetme. Ajo lirohet nga internimi vetëm pas rrëzimit të regjimit diktatorial.

27-28. Liri Gega dhe Dali Ndreu

Liri Gega ishte anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës, ku bënin pjesë edhe Fiqret Shehu e Nexhmije Hoxha. Anëtare e KQ që nga viti 1943. U martua me Dali Ndreun, ushtarak i lartë. Ka qenë deputete e Kuvendit në vitin 1945-1948 dhe një drejtuese kryesore e Organizatës së Gruas Shqiptare. Në vitin 1956 arrestohet së bashku me bashkëshortin e saj me akuzën si agjentë të jugosllavëve. Gjykata i dënon me vdekje dhe çifti Gega-Ndreu ekzekutohen menjëherë.

29. Manush Myftiu

Manush Myftiu pas çlirimit të Shqipërisë mori detyra me mjaft rëndësi, duke kapur majat e strukturës komuniste. Për tre vjet (1947-1950), ai ishte kryetar i Kuvendit Popullor. Në vitin 1949 Myftiu ishte ministër pa portofol dhe kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Në vitin 1952 ai do të emërohej zv/kryeministër, post që, përveç një shkëputjeje 10-vjeçare (1966- 976), do ta linte vetëm në vitin 1990. Në vitet 1956-1958, Myftiu ishte ministër i Shëndetësisë, ndërsa nga viti 1958 e deri më 1965, ministër i Arsimit e Kulturës. Arrestohet në vitin 1992 për shpërdorim detyre, por lihet arrest shtëpie për shkak të problemeve me shëndetin. Më pas dënohet sërish në vitin 1996 për krime kundër njerëzimit, por kësaj radhe dënohet me vdekje. Gjykata e tërheq këtë vendim dhe e redukton dënimin në 5 vjet lirim me kusht.

30. Mirash Ivanaj

Mirash Ivanaj, një ndër atdhetarët dhe personalitetet më të shquara të kombit, njohës i 11 gjuhëve të huaja, me dy fakultete të kryera në Romë, atë të letërsisë dhe të jurisprudencës, ministër Arsimi në kohën e Mbretit Zog, dënohet dhe persekutohet nga regjimi komunist, gjersa vdes në burg. Ai u arrestua më 15 maj 1947, i akuzuar si “një mbështetës i fortë i qeverisë fashiste zogiste, duke shërbyer si ministër Arsimi”. Ivanaj u dënua me 7 vjet burg dhe vdiq 12 ditë para se t’i përfundonte dënimi në moshën 62 vjeçare.

31. Mit’hat Frashëri

Pinjoll i frashëllinjve, djali i patriotit të shquar të Rilindjes, Abdyl Frashërit, ai është përballur dy herë me drejtësinë. Themeluesi i lëvizjes nacionaliste Balli Kombëtar, u arrestua për herë të parë në vitin 1943 nga Italia fashiste. Shkak u bë lëvizja e tij për çlirimin e vendit. Ai do qëndronte i burgosur vetëm pak kohë, pasi me kapitullimin e Italisë, ai lirohet nga burgu. Por në nëntor të vitit 1944 ai detyrohet të largohet nga Shqipëria, pasi forcat komuniste e cilësojnë tradhtar. Ai dënohet në mungesë nga gjykatat komuniste me vdekje. Vdiq i mërguar në SHBA më 3 tetor 1949.

32. Musine Kokalari

Lindi në Adana të Turqisë dhe u diplomua në universitet për Letërsi dhe Arte të Bukura, dhe po aty u doktorua me temën “Naim Frashëri”. Musine Kokalari është nga shkrimtaret e para shqiptare, por edhe një intelektuale e kompletuar, që nuk mundi të pajtohej me mungesën e lirisë së fjalës dhe të shtypit. Në vitin 1943 themeloi Partinë Socialdemokrate Shqiptare dhe nxori gazetën “Zëri i Rinisë”. Për pikëpamjet e saj, që binin ndesh me regjimin, u arrestua më 22 janar 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg. Mandej u internua dhe u keqtrajtua. Është cilësuar “Pishtare e demokracisë dhe e shqitparizmës”. Vdiq në internim në Rrëshen më 14 gusht 1983.

33-34. Naxhie Dume dhe Nesti Kerenxhi

Naxhie Dume, ish-ministrja e Arsimit, dhe një nga gratë më aktive në Partinë Komuniste, u shkarkua nga të gjitha postet qeveritare dhe partiake pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste. Anëtare e Komitetit Qendror të PKSh-së, Dume ishte ministrja e parë femër në historinë e Shqipërisë. Dume, ishte bashkëshortja e Nesti Kerenxhit, një funksionari të lartë të qeverisë dhe Partisë Komuniste. Të dy u burgosën dhe u internuan për veprimtari armiqësore ndaj partisë.

35. Nesti Nase

Kishte drejtuar diplomacinë shqiptare prej dhjetëra vitesh, kur u arrestua në shtator të vitit të kobshëm 1982. Ai u akuzua si pjesëtar i grupit armiqësor të drejtuar nga Kadri Hazbiu, që kishte për detyrë eliminim e udhëheqjes së lartë si dhe bashkëpunëtorë i shërbimeve të huaja. Në vitin 1983 gjykata e shpall fajtor për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij dhe e dënon më vdekje, ekzekutimi i tij kryhet menjëherë.

36. Nexhmije Hoxha

Ish-bashkëshortja e Enver Hoxhës është dënuar disa herë në periudha të ndryshme. Në kohën e Luftës u dënua me 11 vjet burg për veprimtarinë e saj si komuniste. Por koha më e vështirë për të, ishte pas viteve ’90. Ajo u arrestua në vitin 1991 dhe u dënua në vitin 1993 me 11 vjet burg, për akuzat e shpërdorimit të detyrës. Por ky dënim u ul disa herë në bazë të amnistive të ndryshme që u bënë në ato vite dhe zonja Hoxha vuajti përafërsisht gjysmën e këtij dënimi. Nexhmije Hoxha akuzohej për shpërdorim detyre, konkretisht se kishte abuzuar me 764 mijë lekë të fondeve publike. Ajo u lirua në vitin 1996 në moshën 76-vjeçare.

37. Pandi Kristo

Për herë të parë, Pandi Kristo u dënua dhe u burgos në Berat në vitin 1938, sepse ishte komunist. 10 vjet më vonë, për ironi të fatit, do të dënohej nga vetë komunistët. Kristo ishte një nga figurat më të larta të sistemit komunist. Në tetor të vitit 1944, ai zgjodh anëtar i Byrosë Politike edhe shef i Shërbimit të Fshehtë Informativ. Në vitin 1946-1947 caktohet kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit dhe në vitin 1948 ministër pa Portofol. Në Kongresin e Parë të PKSH-së kritikohet dhe akuzohet së bashku me Koçi Xoxen, për veprimtari agjenturore pro jugosllave, antishqiptare dhe antisovjetike, etj. Më 28 nëntor të vitit 1948, arrestohet në selinë e KQ-së, mandej hetohet, gjykohet dhe dënohet me 20 vjet heqje lirie. Dënimin e ka kryer në Tiranë, në Burgun e Vjetër, në Burgun e Ri, në atë të Artizanatit dhe në Burrel. Në tetor të vitit 1963 u lirua nga burgu i Burrelit dhe jetoi në qytetin e Lushnjës, si i dëbuar ushtroi profesionin e këpucarit. Në vitin 1991 u kthye në Tiranë. Vdiq në Tiranë, më 2 tetor të vitit 1994.

38. Pjetër Arbnori

Që në moshën 14 vjeç u përfshi në aktivitetet e grupeve ilegale kundër komunizmit. Së bashku me intelektualë të tjerë, mori pjesë në themelimin e një organizate ilegale socialdemokratike, programin e së cilës e hartoi vetë. Në pranverën e vitit 1961 u arrestua dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh, u dënua me vdekje. Pas tre muajsh, dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe duke organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg për agjitacion e propagandë, si edhe për arsye të shkrimit të një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Pasi kreu dënimin, më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të vitit 1989. Ishte Kryetar i Kuvendit nga viti 1992 deri në vitin 1997. Vdiq më 8 korrik 2006.

39. Qemal Stafa

Qemal Stafa ishte figurë e shquar e lëvizjes dhe e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai është dënuar dy herë nga drejtësia. Herën e parë u arrestua në janar 1939 dhe u dënua me burgim nga regjimi i Zogut si kundërshtar i tij dhe për bindjet e tij komuniste. Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë arratiset nga burgu dhe bashkë me Vasil Shanton organizon qëndresën antifashiste. Më 5 maj 1942 rrethohet nga forcat fashiste dhe vritet.

40. Ramiz Alia

Ish-Presidenti i Republikës do përballej me akuzën e shpërdorimit të detyrës vetëm disa kohë pasi do jepte dorëheqjen si President, në mesin e shtatorit 1992. Në gusht të vitit 1993 ai burgoset dhe së bashku me ish-funksionarë të lartë të PPSH-së del para gjykatës në prill të vitit 1994. Megjithëse Alia deklaroi se dënimi i tij ishte krejtësisht politik dhe se ai ishte i pafajshëm, gjykata vendosi ta dënonte me 9 vjet burg. Ky vendim u reduktua më pas me 5 vjet burg. Alia kishte kaluar vetëm 1 vit në qeli, kur u la i lirë më 7 korrik të vitit 1995, një vendim i marrë nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se Kodi i Ri Penal e çlironin atë nga dënimi i caktuar. Por liria e Alisë nuk zgjati shumë. Në vitin 1996 ai akuzohet “Për krime kundër njerëzimit” dhe burgoset në mars të këtij viti. Gjyqi ndaj tij filloi në shkurt të ’97-ës, por një muaj më vonë, për shkak hapjes së burgjeve, largohet nga vendi i dënimit. Më vonë çështja ndaj tij pushohet.

41. Safet Butka

Arsimtari i njohur i viteve ’30 dhe eksponenti i famshëm nacionalist i Ballit Kombëtar, ishte një nga drejtuesit kryesorë të demonstratës antifashiste të 28 nëntorit të vitit 1939 në qytetin e Tiranës dhe për atë shkak ai u arrestua nga autoritetet italiane. Butka u burgos në Tiranë, më pas u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, ku u mbajt i izoluar për tre vjet me radhë së bashku me ajkën e intelektualëve shqiptarë antifashistë, si Selman Riza, Abas Ermenji, Masar Shehu, Zef Mala etj., të cilët kishin organizuar e frymëzuar demonstratat e para kundër pushtuesve italianë.

42. Safet Zhulali

Ish-ministri i Mbrojtjes në vitet 1992–1997, Safet Zhulali është një nga politikanët shqiptarë të akuzuar nga drejtësia shqiptare. Ai u arrestua më 22 gusht 1998 së bashku me disa drejtues të lartë. Ish-ministri i Mbrojtjes u akuzua për krime kundër njerëzimit. Por akuzat ndaj tij nuk u provuan kurrë. Kështu, pas 45 ditësh burg, Safet Zhulali lë qelinë, por qëndroi edhe 6 muaj në arrest shtëpie. Më 26 prill 2002 gjykata i dha Safet Zhulalit pafajësinë.

43. Sejfulla Malëshova

“Lame Kodra”, pseudonimi me të cilin u bë i njohur që në moshën 24-vjeçare, vdiq në vitin 1971 i internuar në Fier. Që në Plenumin e Beratit, në vitin 1944, Sejfulla Malëshova shfaqi kritikat e tij mbi linjën e Partisë Komuniste. Ai e cilësoi atë si një parti terroriste. Në 1947-n shkarkohet edhe nga funksioni i lartë shtetëror, ai i ministrit të Arsimit, me motivacionin e çuditshëm “për paaftësi”. Pas Konferencës së Tiranës, më 1956, për shkak të bindjeve të tij politike, ai akuzohet si armik i partisë dhe burgoset e më pas internohet, fillimisht në Ballsh, dhe më vonë në Fier, ku qëndroi deri sa vdiq më 11 qershor 1971.

44. Shefqet Peçi

Ish-deputet dhe ministër i Transportit në kohën e komunizmit, Shefqet Peçi u arrestua më 11 tetor të vitit 1995 dhe u akuzua për një krim të kryer në vitin 1944. Sipas organit të akuzës, Peçi kishte urdhëruar vrasjen e 21 fshatarëve nga Buzëmadhi, një fshat afër Kukësit, në pozicionin e tij si komandant i ushtrisë. Peçi ishte personi i parë i akuzuar nën ligjin e gjenocidit, i cili kaloi në Parlament më 20 shtator të vitit 1955. Peçi deklaroi në atë kohë se “e kishte për nder të vdiste në burgjet e Berishës”. Në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, në moshën 90-vjeçare, Peçi hyn në grevë urie dhe pas 12 ditësh vdes.

45-46. Spartak Ngjela dhe Kiço Ngjela

Të ishte pjesë e nomenklaturës së Hoxhës ishte fat. Por kur ti tregoje nivel, ide të reja dhe ndryshe nga vija e partisë, ajo të kthehej në të kundërt. Kështu i ka ndodhur ish-deputetit Spartak Ngjela, i cili pësoi të njëjtin fat si i ati, Kiço Ngjela, i cili u dënua për sabotime në ekonomi. Ministrit të Ekonomisë as që i shkoi ndërmend një gjë e tillë. Por duket se radha e Enverit nuk bënte dallime. Por, për fatkeq, në këtë drejtim ishte dhe i biri, Spartaku, i cili kishte koncepte dhe ide shumë perëndimore. Ai i arrestua dhe dënua për agjitacion e propagandë në vitet shtatëdhjetë dhe u lirua në vitin 1990. Ish-ministri i Tregtisë së Jashtme, Kiço Ngjela u arrestua “Për veprimtari armiqësore e sabotuese në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, në bashkëpunim me armiq të jashtëm”. Ai u burgos në vitin 1976 në burgun e Kosovës.

47. Todi Lubonja

Todi Lubonja ishte një nga intelektualët opozitarë të diktaturës komuniste. Që i ri mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Lubonja u bë një emër i njohur si drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar dhe në këtë post ai do të mbahet mend, si njeriu që solli një frymë liberale dhe profesionale edhe pse ishte anëtar i Komitetit Qendror. Festivali i 11-të i Këngës në RTSH ishte një rast për të vënë në shënjestër një grup intelektualësh, ku padyshim ndër më kryesorët ishin Todi Lubonja e Fadil Paçrami. Lubonja shkarkohet. Por dënimi i tij dhe i Paçramit për veprimtari armiqësore si pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grup liberal”, ndodhi në 1974-n, pas Plenumit IV. Familja e Lubonjave internohet, ndërsa i biri i tij, Fatos Lubonja, bën gjithashtu burg politik si i ati. Todi Lubonja vdiq në moshën 83-vjeçare në Tiranë.

48. Tuk Jakova

Antifashist i orëve të para, themeluesi i Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941, veprimtar i shquar i LANÇ-it, anëtar i KQ dhe i Byrosë Politike, ministër, deputet, zëvendëskryeministër, gjeneral-major dhe “Heroi i Popullit”, u cilësua nga regjimi komunist “Armik i partisë dhe i popullit”. Në vitin 1953, ai përjashtohet nga Byroja Politike dhe më pas arrestohet me akuzat si përkrahës i klerit katolik dhe shfaqjes së mendimeve kritike për qëndrimet e Partisë Komuniste. Ai dënohet me 20 vjet burg. Tuk Jakova vdiq në spitalin e burgut, në Tiranë, më 26 gusht 1959, në rrethana misterioze.

49. Ymer Dishnica

Ymer Dishnica ishte një intelektual e figurë tepër e rëndësishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Studimet e larta i kishte kryer në Francë për Mjekësi. Ai ishte një nga figurat kryesore të lëvizjes antizogiste në emigracion. Kthehet në Shqipëri dhe ingranohet në udhëheqjen qendrore të PKSh-së. Që në vitin 1943 ai “përplaset” me udhëheqjen komuniste për shkak të Konferencës së Mukjes. Megjithatë, në qeverinë provizore të krijuar në Berat, Ymer Dishnica do të kishte një post ministri. I njohur për lidhjet e ngushta me Nako Spirun, pas vdekjes së këtij të fundit, Ymer Dishnica mënjanohet plotësisht nga të gjitha detyrat. Shkarkohet nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe emërohet mjek i thjeshtë në spitalin e Tiranës. Më vonë “transferohet” në Berat. Më pas arrestohet dhe dënohet për agjitacion e propagandë. U dërgua për vuajtjen e dënimit në kampin-burg të Bulqizës.

50. Zylyftar Ramizi

Ish-Drejtori i Sigurimit të Shtetit dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme në sistemin komunist, u gjykua për periudhën e tij të drejtimit pas përmbysjes së diktaturës, me ardhjen e qeverisë demokratike. Në vitin 1996 ai u dënua me dënim me vdekje për gjenocid dhe shpërdorim detyre në të njëjtin proces ku u gjykuan si të pandehur edhe shumë VIP-a të tjerë të Bllokut, si Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Hekuran Isai, Manush Myftiu e shumë të tjerë. Më pas, Gjykata e Apelit e uli dënimin me vdekje në burgim deri në 25 vjet. Largohet nga burgu në ’97-ën./Tirana Observer/

Libohova Online