Nis bashkëpunimi Pekin-Gjirokastër, marrëveshje mes dy universiteteve (VIDEO)
Universiteti i Pekinit dhe ai i Gjirokastrës do të bashkëpunojnë në fushën e studimeve albanologjike dhe ballkanase, si dhe për programe të përbashkëta të gjuhëve.
Rektori i Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Pekin finalizoi me rektorin e Universitetit të Gjirokastrës marrëveshjen e parë që do të fillojë zbatimin që prej këtij viti akadamik. Qëllimi është ndërkombëtarizimi i universitetit.
“Është një marrëveshje e vecantë, që vjen në kohën kur në Shqipëri ka një rivalitet të fortë mes universiteteve publike dhe private. Ndaj në kuadër të kësaj marrëveshje shumë premtuese universiteti ynë do të realizojë disa objektiva të rëndësishëm në fushën e ndërkombëtarizimit të tij”, deklaroi profesor doktor Bektash Mema.
Peng Long, rektori i Universitetit të Pekinit, tha se janë 84 studentë kinezë që studiojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Kinës dhe se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Gjirokastrën është me interes edhe për studentët e pedagogët kinezë.
“Ne si universitet mund të ndihmojmë në mësimdhënien e gjuhës kineze dhe në fusha të tjera akademike. Me rëndësi është sfera e studimeve albanologjike dhe studimeve ballkanase”, deklaroi Peng Long./tch