Nis Festivali Përmeti Multikulturor, Kumbaro: Promovojmë traditën, ndihmojmë zhvillimin e turizmit

Ka nisur Festivali Multikulturor i Përmetit, një event i përvitshëm që mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe ku ka një ndërthurje të muzikës e riteve tradicionale.

Pavarësisht se moti nuk ka favorizuar, kjo nuk i ka penguar muzikantët dhe njerëzit të jenë pjesë e këtij eventi të rëndësishëm. E pranishme në këto festime, ministrja e Kulturës dhe kandidatja për deputete e PS-së, Mirela Kumbaro ka thënë se aktivitetet janë shtrirë përgjatë gjithë muajit Prill e Maj, si dy muajt që përkojnë me çeljen e sezoneve turistike në qytete të ndryshme. Sipas saj me anë të këtyre aktiviteteve është mënyra më e mirë për  të ruajtur traditën, për të promovuar qytetet dhe për dhe për të ndihmuar zhvillimin ekonomik.

“Është e disajta herë që Përmeti mirëpret brenda këtij viti, aktivitete të shumëllojshme, duke treguar që ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ndërkohë që sot shohim këtu në shesh, se ka një numër gjithnjë e më të madh turistësh, aq sa me keqardhje shohim shpeshherë se turistët detyrohen të ikin në mungesë të hoteleve për t’i pritur të gjithë. Kjo tregon se duhet shtuar ritmi në qytet dhe në të gjithë qarkun për të bërë më shumë investime në hoteleri dhe në shërbime, të cilat duhet të ecin në të njëjtin hap me investimet që po bën qeveria në infrastrukturë dhe në estetikën urbane, të cilat të gjitha së bashku prodhojnë ekonomi”, tha Kumbaro.

Në muajt e fundit në Përmet ka inisiativa private të hapjes së hoteleve, ashtu siç ka prej tyre që po përpiqen të nxisin modelin e turizmit familjar në shtëpitë e vjetra. Kumbaro theksoi se politikatë e qeverisë nëpër qendrat historike ecin paralel me nxitjen e investimeve private.

Kumbaro indirekt i është përgjigjur sërish akuzave, kryesisht atyre që vijnë nga LSI-ja dhe mediat pranë saj, se aktivitete të tilla janë fasadë.

“Theksoj se nuk janë aktivitete fasadë, por aktivitete nxitjeje për ekonominë e vendit, për të zhvilluar agroturizmin dhe turizmin kulturor”, thotë Kumbaro.

/ArgjiroLajm.net/