Nis fushata kombëtare e leximit, Kumbaro: Libri s’ka vlerë pa ty, na jep një dorë që të rrisim Lexuesit!
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve në nisje të fushatës kombëtare të leximit, e cila hapet ditën e sotme. Sipas ministres Kumbaro, pa Lexuesin, libri nuk ka asnjë vlerë, ndaj të gjithë duhet t’i bashkohen kësaj fushate, që zgjat gjatë gjithë muajit nëntor, për t’i dhënë jetë historive të fshehura mes faqesh, sepse siç thekson ajo “Leximi është në fakt qëllimi final i kulturës së Librit”.
“Unë lexoj, po ti? Po ai?
Për të dytin vit Ministria e Kulturës nis fushatën kombëtare të Leximit, kudo ku mundemi, kudo që gjejmë një fletë libri hapur.
Jemi të bindur se Leximi është në fakt qëllimi final i kulturës së Librit, qoftë prej letre qoftë elektonik.
Autori, Përkthyesi janë lulet e rralla që duhet të kultivojmë për të mbajtur gjallë krijimtarinë artistike dhe kulturën.
Botuesi është hallka e domosdoshme për ekzistencën reale të tyre duke u dhënë jetë e duke i bërë të udhëtojnë.
Por ç’kuptim do të kishte kjo jetë nëse Ai, Lexuesi, nuk do të jetë aty, në fund të zinxhirit
për ta pritur Librin,
për ta marre,
për ta prekur,
për ta blere,
për ta huazuar,
për ta dhuruar,
për të pasuruar bibliotekën e vet,
për ta kujtuar,
për ta mbajtur me vete,
për t’ia kthyer cepin e fletes që t’i rikthehet sërish,
për t’i nënvizuar rreshtat,
për t’i shkëputur fletën e poezisë së parapëlqyer,
për ta fotografuar mbase, që ta nxjerrë në Facebook,
për të kujtuar dikë,
për të nxitur fantazinë,
për të rishijuar historinë e shkruar të filmit që ka parë,
për të kopjuar një fjali,
për t’u izoluar në një jetë paralele mes fletëve, në jetën që nuk e ka por qe ia jep Libri….
Akt dashurie i papërsëritshëm është Leximi, prandaj me çdo menyre na jep nje dore qe te rrisim Lexuesit, pa te cilet nuk ka as Autor, as Perkthyes, as Botues !
TakohemiPerNjeLiber”, shkruan Kumbaro në rrjetin e saj social.
Një nga projektet e programit “Edukimi përmes kulturës”, prioritet i qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës, është edhe fushata e leximit, duke shpallur muajin nëntor si muaj të leximit për vitin 2017.
Nisur nga përvoja e vitit të kaluar ku fushata përfshiu gjithë vendin, edhe këtë vit në fushatë të ftohen për bashkëpunim bibliotekat, libraritë, shkollat, universitetet, bashkitë si dhe të gjitha institucionet kulturore në vend.
Fushatë në mbarë vendin, me mbi 200 aktivitete leximi ku përfshihen shkollat, bibliotekat e rretheve, libraritë, etj. Aktivitetet do të angazhojnë të gjitha hallkat e librit: autorë, përkthyes, botues, redaktorë, mësues, nxënës e studentë, artistë, etj.
Gjatë fushatës do të realizohen mbi 200 aktivitete në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Bashkinë e Tiranës dhe institucione dhe partnerë të tjerë si më poshtë:
– Bashkitë e rretheve Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Durrës, Korçë, Berat, Fier, Devoll, Skrapar, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Pogradec, Prrenjas, Librazhd, Shijak, Kukës, Vorë, Roskovec, Çorovodë, Mallakastër, Dibër, Cërrik, Himarë, Bulqizë, Mirditë, Maliq, Tepelenë si dhe bibliotekat vendore dhe qëndrore në rrethe.
– Biblioteka Kombëtare, Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri i Kukullave, Teatri i Operas dhe Baletit, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin.
– Shtëpitë Botuese: Pegi, Toena, Dituria, Onufri, Skanderbeg Books, Pika pa sipërfaqe, Albas, Ombra GVG, Fan Noli, Tirana Times, Gjergj Fishta, Zenit, etj.
– “Bukinist” –platforma e shitjes online për libra, pjesë e “NetTrade Albania”, që do të dhurojë kupona falas por edhe me ulje çmmi për shumë nga pjesëmarrësit e Fushatës Kombëtare të Leximit.
– Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër, Universiteti “Fan Noli” Korçë, Universiteti “Aleksandër Moisiu”.