Nis hetimi ndaj 3 zyrtarëve në Gjirokastër për abuzim me pronën
Prona është një prej problemeve kryesore në Shqipëri. Abuzimet me to nuk bëhen vetëm në qytetet kryesore dhe bregdet, por edhe në zona jo shumë të njohura, siç është rasti ne Kërculle te Gjirokastres.
Bëhet fjalë për një pronë dy-katëshe, e cila me vendim gjykate është vlerësuar në 181 m2, por regjistruesit e Zyrës së Pasurive të Paluajtshme në Gjirokastër, eksperti bankar dhe përmbaruesi gjyqësor e kanë regjistruar dhe nxjerrë në ankand për vetëm 138 m2.
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur procedimin penal ndaj disa shtetasve, punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gjirokastër si dhe të një punonjësi banke të nivelit të dytë, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim të rremë”.
Edhe pse drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive i ka kërkuar vartësve të tij të regjistrojnë pronën në fjalë, gjë që nuk është bërë, ndërsa eksperti i bankës ka bërë vlerësimin e pronës në llogari të institucionit financiar ku punon pa patur licencën e nevojshme.
Kallëzuesi shprehet se mbi bazën e padisë së ngritur prej tij Gjykata e Rrethit gjyqësor Gjirokastër me vendimin nr.722, datë 22.04.2009, ka vlerësuar pavërtetësinë e sipërfaqes së objektit dhe saktësimin e saj nga 138 m2 në 181 m2. Për shkak të mospërmbushjes në kohë të detyrimeve ndaj bankës më 10.05.2013 prona në fjalë i ka kaluar shtetasit Fatos Ormenaj, por jo për 181 m2, por për vetëm 138 m2, edhe pse sipërfaqja ishte saktësuar më parë me vendim gjykate.
Kallëzimi është bërë nga shtetasi Alban Sinani. Ai i konsideron veprime të paligjshme ato të kryera nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gjirokastër, nga eksperti vlerësues dhe përmbaruesi gjyqësor, sepse sipërfaqja nga 181 m2 është vlerësuar si 138 m2 dhe e tillë është nxjerrë në ankand.
Kjo ka bërë që organi i akuzës të hapë procedimin penal ndaj tre zyrtarëve, të cilët si pas saj kanë vepruar në kundërshtim me nenet 248 dhe 309 të Kodit Penal duke “shpërdoruar detyrën” dhe duke bërë “ekspertim të rremë”.
“Në bazë të nenit 331 të Kodit të Procedurës Penale , Prokuroria kërkon: Gjykimin e çështjes penale nr. 234 të vitit 2015, me të pandehur Jeton Ahmeti e Aleksandër Zhulati, të akuzuar sipas nenit 248 të Kodit Penal dhe Spartak Kashuta, i akuzuar sipas nenit 309 të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e Prokurorisë së rrethit gjyqësor Gjirokastër./syri