Nis investimi i OSHEE në Dropull, Kumbaro: Gati projekti edhe për Shpellën e Skotinisë (FOTO)

Pas përfundimit të investimit në Libohovë rreth një vit më parë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Eletrike ka nisur një tjetër investim kësaj radhe në Bashkinë Dropull.

E pranishme në inagurimin e fillimit të punimeve, ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se ky është një tjetër investim i rëndësishëm i qeverisë shqiptare në zonën e minoritetit. Sipas saj investimet në rrjetin elektrik dhe në përgjithësi në infrastrukturë janë të domosdoshme për zhvillimin e turizmit.

Me këtë rast Kumbaro njoftoi një tjetër projekt për Dropullin, konkretisht për Shpellën e Skotinisë, në mënyrë që ky monument natyror të kthehet në një destinacion turistik për vizitorët vendas e të huaj.

Kumbaro shoqërohej në këtë takim nga ish-ministri Bledi Çuçi, kreu i PS Gjirokastër, Flamur Golemi dhe drejtorët e OSHEE, Sokol Feruni e Andi Shkurta.

Objekti i këtij investimi me vlerë rreth 47 milionë lekë të reja, është rikonstruksioni i kabinave elektrike dhe rrjetit të shpërndarjes me kabëll të llojit “Abc”, i cili ul humbjet në rrjet dhe rrit nivelin e tensionit që shkon tek konsumatorët familjarë apo bizneset. Punimet parashikohet të përfundojnë në muajin shtator të këtij viti.

/Libohova Online/