Një grua kandidate për drejtimin e Këshillit Bashkiak të Libohovës. Të mërkurën bëhet konstituimi

Libohove3Konstituimi i Këshillit Bashkiak të Libohovës do të bëhet ditën e mërkurë, ora 13:00.

Fillimisht ishte parashikuar për nesër, por më pas u shty për të mërkurën. Në mbledhjen e parë pritet të bëhet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të Këshillit.

Libohova Online mëson se koalicioni i majtë, që ka edhe shumicën e anëtarëve, do të kandidojnë Anastasia Dushin për kryetare Këshilli. Dushi është zgjedhur këshilltare si përfaqësuese e PS-së në Zagorie.

Ndërsa në postin e nënkryetarit të Këshillit pritet të votohet Jorgji Kuro, këshilltar i zgjedhur si përfaqësues i LSI-së. Edhe Sekretari i Këshillit do t’i takojë LSI-së. Të paktën këto janë dakordësitë e deritanishme brenda koalicionit të majtë.

Më herët ka pasur zëra që flisnin për përpjekje të PD-së për të bashkuar votat me LSI-në, në mënyrë që të merrte drejtimin e Këshillit Bashkiak të Libohovës. Megjithatë mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë të mërkurën.

Të pranishëm në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak, pritet të jenë edhe ministri Ahmetaj dhe deputeti Tavo.