Një mëngjes në Gjirokastër, si zgjohet qyteti i gurtë… (FOTO)

Gjirokastra është një qytet që zgjohet ngadalë të dielave, ose së paku kështu duket këtë të dielë. Easy as Sunday Morning. Kafetë sapo janë hapur, burra që ujisin lulet e të tjerë që lajnë sokakun me ujë. Tek kafe “Rrapi” ekspresi zhurmon bashkë me televizorin që shfaq një video nga arkiva. Një zë burri thotë diçka për shokun Enver.

Plakut që bën kafenë nuk duket se ia vë veshin, unë kam përshtypjen e një mize në dhomë që e kam parë vetëm unë. Qyteti është mbresëlënës vërtet, edhe pse përpëlitet mes rrënojave dhe rikonstruksioneve të ngadalta. Në hotel kam dëgjuar ca amerikanë të entuziazmuar nga “liket dhe komentet pafund” që kishin marrë nga postimet që bënin nga Xhi-rro-kasra.

– Në dimër këtu, ahaaa, – ia bën i zoti i kafesë dhe ngre supet. – Duhet të punojmë pak në verë që të hamë në dimër, si milingonat.

– I jap pesëdhjetë lekë për kafenë, e kthej me një frymë dhe dal. Është e hidhur, por hej, pesëdhjetë lekë janë vetëm pesëdhjetë lekë. Ushqimi tek Rrapi është i mirë. Kam ngrënë disa herë dhe më ka pëlqyer. Më kujton shumë gatimin e gjyshes sime dhe mesa kuptoj janë gra që gatuajnë, si në shtëpitë.

Vij vërdallë qafës së pazarit nja 20 minuta dhe ka pak lëvizje. Shkrep ca foto të rrugicave të pjerrëta, më bën përshtypje, një jetë me ngjitje dhe zbritje, siç jeta i ka, por Gjirokastra i ka të përditshme./peshkupauje.com