Një rrugë e dy punë në Athinë, Tritan Shehu “selfie” nga varrimi i Mitsotakis dhe gafat me drejtshkrimin e shqipes (FOTO)

Kryesuesi i listës së PD-së për Gjirokastrën, Tritan Shehu ka qenë dje në kryeqytetin grek për takime me emigrantët, por edhe për të marrë pjesë ne ceremoninë funebre të vdekjes së ish-kryeministrit grek, Kostantinos Mitsotakis.

Nuk dihet nëse Shehu shkoi në Athinë për takime me emigrantët dhe meqë rastisi të ndërronte jetë Mitsotakis, shkoi në ceremoninë e tij funebre.

Ose mund të ketë shkuar vetëm për vdekjen e Mitsotakis dhe një rrugë e dy punë, zhvilloi edhe takim me emigrantët. Siç shihet nga fotot që Shehu ka postuar në Facebook, bashkë me të është edhe ish-ministri Spiro Ksera.

Ka edhe një detaj tjetër që nuk mund të anashkalohet teksa lexon postimet e tij në Facebook.

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe lë për të dëshiruar. Sigurisht që nuk është në nivelin e gabimeve trashanike që bën kandidati i PS-së për kryebashkiak në Kavajë, por prapë janë gafa të rënda.

Për të ndihmuar sadopak Shehun, ne kemi nënvizuar me të kuqe fjalët e shkruara keq prej tij, me shpresën se herë tjetër do jetë më i vëmendshëm ose së paku do të konsultohet me Fjalorin e Gjuhës Shqipe.

/Libohova Online/