Një urim i sinqertë “Libohovës së re”
Nga Thanas Verdhi
Nga ndarja e re administrative Libohova mbeti bashki. Një vlerësim për Libohovën, më tepër për të shkuarën e saj, se sa për atë që është sot. Me këtë rast, mbyllja e këtij kapitulli, në shlallë vendi, qetësoi dhe shpirtërat e trazuar e të shqetësuar të një kategorie njerëzish në pushtet që s’rrojnë dot pa privilegjet që u jep ky status. Është një lehtësim që do sjellë një frymëmarrje të re në shkallë vendi, por që për “fat të keq”, do shkurtojë një lukuni pushtetarësh të babëzitur, të paaftë dhe servilë në mbi 300 njësi të vogla vendore, që, për gati një çerek shekulli e zhvatën dhe e grabitën këtë vend si të ishte vend armik dhe jo atdheu i tyre.
Pa u zgjatur në prioritetet e shumta të kësaj reforme, mbasi në fakt nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, do ndalem në Libohovën tonë, duke vënë në dukje disa nga mangësitë që ua kanë prurë shpirtin në majë të hundës bashkëqytetarëve të mi të nderuar dhe, pse jo, kush më ndalon të jap edhe disa mendime dhe ide për të ardhmen. Për mua Libohova është dashuria ime e parë. Aty u linda e u rrita. E kam në zemër atë vend që, megjithëse kam mbi 50 vjet që jam larguar, asnjë vend tjetër dhe as Tirana ku banoj prej gjysmë shekulli nuk ka për mua atë forcë tërheqëse që ka Libohova. Në kushte normale, po ta shihja nga larg Libohovën, do shihja vetëm anët formale të saj, bukuritë e natyrës që i ka falur Zoti, por si një njeri që e dua shumë vendin tim, e krahasoj me një mik të shtrenjtë, tek i cili gjithmonë kërkoj maksimumin.
E parë në këtë prizëm, Libohova ka plot të meta e mangësi, kryesisht për shkak të papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së pushtetarëve vendorë që kanë administruar Libohovën në këto 20 e ca vitet e fundit. Është e pafalshme që Libohova, vendi që noton në ujera të pastra e të kristalta të vuajë për ujin e pijshëm, kur me pak shpenzime, me një stacion të fuqishëm pompimi, ai ujë që derdhet me furri nga gushnica dhe merr tatëpjetë të dërgohet në depozita dhe, prej andej në shtëpitë e libohovitëve që “të shuante” etjen e banorëve që kurrë s’u ngopën me ujë. Po ai avazi i dritave që është bërë gangrenë çfarë emri t’i vëmë? Po si mund të justifikohet ai terr gjatë netëve kur nuk gjen dot një llambë të ndezur rrugëve, pa le pastaj lagjet brenda tyre; një errësirë e frikshme që nuk justifikohet. Menaxhimi i mbetjeve urbane, një tjetër problem që kërkon zgjidhje. Nuk dua të bëj debat për këtë aspekt, por edhe infrastruktura rrugore e Libohovës s’është ajo që duhet, as gjendja e monumenteve kulturore. Nuk dua ta zgjas për gjendjën e vështirë ekonomike dhe problemet e punësimit, mbasi ato kërkojnë një analizë më të plotë dhe më të detajuar. Përfundimisht, në këto 20 e ca vjet, duke përjashtuar periudhën që Bashkinë e drejtoi zoti Hide, kanë mbetur shumë gjëra pa u bërë. Unë nga natyra nuk jam fatalist, por as edhe të pranoj që Libohova është perla e jugut, siç pashë të publikuar diku në një faqe të Libohovës. Do ndjehesha qesharak dhe naiv nëse do besoja në broçkulla të tilla, kur në Libohovë rrallë sheh ndonjë vizitor vendas, pa le më të huaj që numërohen me gishtat e dorës. Të kthehemi prapë te evenimenti i rëndësishëm, te Bashkia e re e Libohovës. Fati e solli që edhe për arsye konjukturash Libohova përfitoi nga një konsensus dhe mbeti njësi vendore më vete.
Një falenderim të sinqertë, Komisionit të Reformës Admonistrativo- Territoriale dhe Qeverisë, duke i siguruar që Libohova dhe libohovitët do t’u jenë përjetësisht mirënjohës për ketë vlerësim historik. Ata që do marrin guximin të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, duhet të jenë patriotë të vërtetë, njerëz të ditur e me personalitet të spikatur, që ta duan me zemër vendin e tyre dhe komunitetin, aq më tepër që tani harta e bashkisë do përfshijë një zonë goxha të gjerë. Shpresoj që ky zgjerim të hap një perspektivë të re për Libohovën, jo vetëm në zhvillim të infrastrukturës, por të shërbejë sadopak edhe për një frymë ndryshe mes njerëzve, pasi sa herë vij në Libohovë dëgjoj histori partish, ndarjesh e mërish, që kanë si shkak bindjet partiake të njerëzve. Kjo më trishton sa herë shkel në vendlindje. Uroj të vijnë kohë më të mira.