Njihuni me Anisën nga Gjirokastra, policja 23-vjeçare e “Shqiponjave”

209811Anisa Zani, 23-vjeçarja nga Gjirokastra me një eksperiencë pune 4-vjeçare në Policinë e Shtetit, shprehet për “Shqiptarja.com” se për të punuar në Polici duhet vullnet. Ajo ka mbaruar Akademinë e Policisë 1-vjeçare, ndërsa tregon për gazetën se ka punuar me Patrullën e Përgjithshme në Komisariatin numër 2 në Policinë e Tiranës, tek grupi i “Shqiponjave”, dhe së fundmi është vendosur në detyrën e inspektores në Qarkullimin Rrugor. Anisa është e fejuar dhe me obligime familjare, por pavarësisht kësaj ajo është shprehur se arrin t’ia dalë mbanë me punën që bën.

23-vjeçarja ka treguar më tej që ka punuar rreth një vit me grupin “Shqiponjat”, madje duke kryer edhe arrestime të shumta të personave të ndryshëm, ndërsa është shprehur që haset me situata të ndryshme gjatë kohës kur ajo ndodhet në shërbimin rrugor, të cilin ka tetë muaj kohë që e ushtron si detyrë.

Anisa, si është të punosh në Policinë e Shtetit? 
Puna në Policinë e Shtetit është më tepër pasion. Punën në Policinë e Shtetit nuk duhet ta ndjesh si një detyrim. Unë e kam dashur gjithmonë punën në Polici, madje tani është bërë një pjesë e imja. Gjatë-gjithë karrierës sime, unë kam provuar të punoj në patrullën e përgjithshme të Komisariatit numër 2 në kryeqytet, tek skuadra “Shqiponjat” dhe tani kam lëvizur në Qarkullimin Rrugor. Tek të gjitha këto pozicione që përmenda jam ndjerë mirë, pavarësisht anës së vështirësive që kanë.

Mund të na i përshkruani eksperiencat tuaja gjatë kohës që keni shërbyer në Polici tek këto pozicione? 
Në total kam  rreth katër vite që punoj në Policinë e Shtetit. Në Policinë Rrugore kam vetëm tetë muaj që punoj. Në fillimet e mija, unë kam punuar me Policinë e Rendit (Komisariati nr. 2) dhe me skuadrën “Shqiponjat”. Puna në polici më bën të ndihem mirë pasi kam kontakt të përhershëm me njerëz, pavarësisht që ndonjëherë nuk ndodh ashtu siç unë e pres, por përsëri ajo është bukuria e kësaj pune. Me këtë punë ke të bësh me njerëz që e presin mirë komunikimin tonë, me njerëz që nuk e presin mirë, me njerëz që duhen falur, etj.

Në rastin tënd, si janë komunikimet e tua me qytetarët?
Në pozicionin ku unë ndodhem tani, fillimisht qytetarit i bëhet e ditur shkelja që ai ka bërë. Ai e sigurt që nuk e pranon kur unë e ndaloj, por me pak komunikim dhe me pak vendosmëri arrij ta bind. Pas sqarimeve, qytetari arrin të bindet për gjobën e marrë dhe e pranon shkeljen që ka bërë duke na thënë “Unë e kuptova shkeljen, por nuk doja të merrja gjobë”. Me raste, shkeljet e lehta i kalojmë edhe në gjobë për shkak të sjelljes së pahijshme të tyre, pasi në këtë mënyrë ata edhe ndërgjegjësohen.

Si vepron një drejtues mjeti momentin kur t’i e konstaton që ka vendosur një rrip sigurimi fals?
Në momentin kur unë ndodhen në shërbim në një kryqëzim të kryeqytetit, drejtuesi i mjetit më konstaton nga larg dhe vendos në moment ose dhe e vë në mënyrë fiktive. Në këtë moment unë e konstatoj që ai ka vendosur një rrip sigurimi fals vetëm për t’u dukur nga ana e jashtme, aty unë vendos një gjobë. Ai (drejtuesi i mjetit) e pranon shumë mirë këtë veprim tonin sepse ka gënjyer një punonjës policie dhe ai veprim është në dëm të tij e jo tonin.

Cilat janë rastet më të shumta që t’i përballesh gjatë një dite të zakonshme pune?
Varet nga personat që ne ndalojmë, sepse ka drejtues mjetesh që e presin mirë ndalimin, e presin si një formë këshillimi, por ka raste që nuk e presin mirë. Ndonjëherë na ndodh edhe të falënderohemi nga drejtues mjetesh, pasi shume rregulla të Kodit Rrugor ata nuk i njohin. Për shembull, telefoni nuk duhet përdorur gjatë kohës që i jepet makinës, pasi ai vetëm e shpërqendron drejtuesin. Në një ditë të zakonshme pune gjendemi në shumë situata të ndryshme saqë ndonjëherë tregohemi edhe të “egra”. Reagimi im i “egër” është vendosja e gjobës o jo të ulërasim me qytetarët.

Je kundërshtuar ndonjëherë, mund të na tregosh ndonjë rast?
Po, ka pasur shumë raste që unë jam kundërshtuar nga drejtues të automjeteve. Një prej rasteve më të rënda që mua më ka ndodhur ka qenë me një drejtuese mjeti femër, gjatë shërbimit në rrugën “Myslym Shyri”. Drejtuesja e mjetit ishte me telefon në dorë kohën kur edhe i jepte makinës, si dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit. I bëj shenjë ndalimi dhe i komunikova arsyen se pse u ndalua. I thashë që je pa rrip sigurimi dhe përdor aparatin celular, të cilat ndalohen me ligj. Për momentin e pranoi gabimin, dhe tha që t’i vendosja gjobën.

Kohën kur unë po plotësoja gjobën, gjatë kohës së verifikimeve na doli që kjo drejtuese ishte debitore me një gjobë. Ndërkohë ajo mendonte që gjobën e kishte paguar. Ne po mundoheshim që ta çonim automjetin e saj në pikë bllokimi. Teksa ia bëmë të gjitha të ditura personit në fjalë, filluar acarimet. Në këtë moment kemi thirrur një patrullë të grupit të gatshëm, dhe drejtuesja e mjetit pranoi që makina të shkonte në pikë bllokimi. Gjatë shoqërimit të saj, rrugës na thoshte “edhe këta ma bëre”, pavarësisht se e kuptoi që e kishte gabim. Por, pavarësisht këtyre jemi bërë edhe shoqe.

Anisa, ti je e fejuar, si e përballon me këtë profesion?
Nuk është shumë e lehtë për t’u përballuar, sepse unë gjatë gjithë kohës jam në punë. Kur jam turni i parë në punë, normalisht do më duhet që të dal herët nga shtëpia dhe gjithçka në shtëpi më mbetet rrëmujë. Gjatë ditëve të javës nuk është se kam kohë të lirë për t’u marrë shumë me shtëpinë, por mundohem t’i rikuperoj këto ditët e pushimit. Nga ana tjetër kam mirëkuptimin edhe të bashkëshortit tim, i cili që ditën e parë që më ka njohur nuk e ka kundërshtuar punën që unë bëj. Por, me qejf për ta vazhduar unë këtë punë nuk e ka, pasi thotë që pse jo mos të bësh edhe ndonjë punë më të mirë e të përshtatshme për familjare.

Na e përshkruaj pak si është për një femër të punojë me “Shqiponjat”?
Unë kam mbaruar Akademinë e Policisë, 1-vjeçaren. Fillimisht kam punuar te Komisariati numër dy, me patrullën e përgjithshme. Puna ishte me turne, i parë, i dytë dhe i tretë. Bëja patrullë këmbësore dhe me makinë, si dhe mbuloja zonën e “Bllokut” dhe në vendet ku ndodhte ndonjë ngjarje.

Tek grupi i “Shqiponjave” kam qëndruar për gati një vit dhe zakonisht qëndroja vetëm me një koleg. Mbuloja vetëm “sektorin 5”, sektori i “Bllokut”, dhe jam marrë më shumë me pjesën e femrave. Bëja kontrolle të tyre në automjete, madje dhe shoqërime. Ka pasur edhe disa raste ku unë kam bërë edhe arrestime, kryesisht femra, por nuk përjashtohen edhe meshkujt. Puna tek “Shqiponjat” është shumë e bukur, por edhe aq shumë e vështirë. Por kjo nuk do të thotë që nuk realizohet dot, një femër që ka dëshirë e kryen atë në çdo kohë të mundshme. Punën në Polici unë e kam filluar që kur isha 19 vjeçe dhe nuk e kam pasur problem këtë pjesë.