Njihuni me Entela Shehajn, pedagogia që kërkon të bëhet deputete në Gjirokastër

Kur ngjiste shkallët në korridoret e Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër dhe hynte në auditorë të jepte leksionet e Mikroekonomisë, për dallim nga koleget e veta me taka të larta, funde të shkurtër e dekolte të hapur në ndonjë rast, ajo tërhiqte vëmendje për pantallonat e thjeshta xhins, atletet “All Star” apo T-shirtin e klubit anglez të Liverpool. British style! Është fjala për Entela Shehajn, e cila së fundi është propozuar për të qenë kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Gjirokastër. Që në momentin e parë kur kemi raportuar për emrin e saj dhe përfshirjen e mundshme në politikën aktive, kemi thënë se kandidimi i saj i bën nder Partisë Demokratike të degraduar në përfaqësim vit pas viti derisa përfundoi në duart e atyre që për turp sot na u fanepsën si ‘oferta e re’ për zgjedhjet e vitit 2021.

Nga një derë e madhe gjirokastrite si Ficot, e shkolluar dhe me një karrierë të konsoliduar, Entela Shehaj është vite drite larg shumicës në listën e PD-së në Gjirokastër, që s’kanë asnjë vokacion për ta përdorur politikën në shërbim të qytetarëve, por thjesht përgjojnë pas derës sa herë vjen pushteti për të ndarë ofiqet dhe tenderat si pazarxhinj të rëndomtë. E lindur dhe rritur në Gjirokastër, ajo përfundoi studimet e larta për Administrim Biznesi në Fakultetin Ekonomik në Tiranë në vitin 1993. Më vonë kreu studimet Master në vitin 2002 në Britaninë e Madhe në Universitetin Staffordshire dhe në vitin 2006 përfundoi doktoraturën për Ekonomiksin e Aplikuar në po të njëjtin universitet. Rikthimi si pedagoge në Gjirokastër do të ishte i përkohshëm.

Dukej sikur Universiteti “Eqrem Çabej” i rrinte ngushtë pavarësisht se kishte një autoritet të pakontestueshëm te studentët e pedagogët dhe gëzonte një simpati të gjerë. Zgjodhi të vijonte karrierën përtej Gjirokastrës në një sektor të rëndësishëm për vendin si energjitika. Për më shumë se një dekadë ajo shërbeu si anëtare e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike në Shqipëri, duke dhënë kontributin e saj në rregullimin e tregut të energjisë në vendin tonë, përcaktimin e tarifave, legjislacionin për licencat etj. Po kështu Entela Shehaj ka punuar në hartimin dhe diskutimin e të gjithë legjislacionit sekondar në sektorin e gazit dhe veçanërisht aktet rregullatore në lidhje me projektin TAP. Aktualisht ajo vijon karrierën akademike si zv.rektore në Tirana Business University.

Promovimi i saj në bordin drejtues të ERE-s u bë prej Genc Rulit, i cili asokohe ishte deputet i Gjirokastrës dhe Ministër i Energjitikës. Kundërshtarët e saj në këtë fazë të angazhimit politik në PD, i gjejnë si të vetmin “cen” pikërisht mentorimin prej Genc Rulit dhe e shohin kandidimin e saj për deputete si një dorë të zgjatur të Rulit, aq më tepër që ajo nuk vjen nga strukturat e PD-së. Është një katapultim direkt prej Rulit në PD, që pavarësisht së është bërë pa një ngjitje natyrale shkallë-shkallë përmes forumeve e strukturave, sërish duhet konsideruar një vlerë e shtuar për Partinë Demokratike.

Katapultime të tilla kanë ndodhur e do të ndodhin. Vetë Luli fjala vjen është një katapulim në PD, ashtu siç ishte Rama nga Fatos Nano e plot raste të tjera. Më mirë Entela se Antonela. Apo jo?! Le më pastaj Bequa e Dashua me shokë. Natyrisht nuk po mundohemi aspak ta vizatojmë Entela Shehajn si shkencëtare që mund t’i sjellë botës edhe vaksinën e Covid 19, por dukshëm është kandidaturë e denjë në listën e PD-së. Ata që kanë nisur ta sulmojnë thjesht ndihen inferiorë karshi saj dhe të tillë kanë për të mbetur. Pastaj pjesa tjetër se sa vota merr Entela Shehaj, sa mund të frymëzojë ajo qytetarët e Gjirokastrës për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2021, është një çështje më vete që i përket PD-së.

Në një realitet si Shqipëria të qënit një figurë e pastër, e paqtë dhe e shkolluar, nuk përkthehet domosdoshmërisht në më shumë vota. Kujtoni pak çfarë thoshte ‘off record’ Shpëtim Idrizi në emisionin “Opinion” disa vite më parë: “Nuk fitohen votat me akademikë Fevzi. E provova unë në Elbasan me një profesor, burrë i mirë shumë, por dështova…” Urojmë që të mos jetë ky rasti edhe i Entela Shehajt në Gjirokastër. Niveli i përfaqësimit në Shqipëri është katandisur në këtë derexhe sepse janë mbajtur larg politikës njerëz si Entela Shehaj ndërsa janë shqyer dyert e Kuvendit dhe institucioneve për horra dhe idiotë që s’kanë lexuar kurrë një libër në jetë, por fatkeqësisht paguhen me taksat tona./ argjirolajm.net